– I dashur Dr. Demiri, në shkollë më shohin çuditshëm, më rrinë larg dhe s’më përfillin. S’e kuptoj sjelljen e tyre ndaj meje, më duket se më vënë në lojë, sikur më kanë nxjerrë namin për budallaqe. Si tip jam serioze dhe e urtë, por ndjej që më përbuzin dhe sinqerisht, jam bërë për të vrarë veten. Ndihem shumë keq dhe më është shpifur shkolla. S’kam mbështetje dhe s’e kuptoj pse sillen kështu pikërisht me mua. Ku qëndron problemi? Si të sillem me këta njerëz të ligj? Mos jam budallaqe me të vërtetë? Përshëndetje nga Jeta.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuar Jeta, po e filloj këtë përgjigje me fjalët tuaja të fundit: “Si të sillem me këta njerëz të ligj? Mos jam budallaqe me të vërtetë?”. Nga letra jote dal në përfundimin se ti vuan nga 3 fobi: 1. Dismorfobi, që do të thotë parehati me veten, domethënë, që s’të pëlqen vetja. 2. Fobi sociale, që do të thotë ankth e siklet kur je përballë të tjerëve dhe 3. Alienofobi, që do të thotë, frikë se mos çmendesh ose se mos je e tillë. Është pra një lajm i keq kjo që po të them unë se, sadopak që të jenë, të tria së bashku bëhen shumë. Është lajm i mirë se të trija këto, ashtu si çdo lloj fobie, janë sjellje të mësuara, në saje të ngacmuesve specifikë dhe ashtu siç janë mësuar, po ashtu çmësohen, por vetëm me anë të psikoterapisë dhe hipnoterapisë. Është lajm i mirë ky tjetri se ti, pavarësisht se ta di shpirti se çfarë heq, aq sa thua se je bërë për të vrarë veten, më në fund, u drejtove te psikologu, aty ku duhej që të trokisje me kohë e vakt, por siç thotë populli, mos thuaj asnjëherë se është vonë, aq më tepër në rastin tënd që je e re dhe jetën e ke përpara, aq më tepër se pasi të çlirohesh nga këto fobi, do ta gëzosh më shumë atë. Unë doja të të thoja “të lumtë” për një gjë, se pavarësisht nga ankthi, druajtja e sikleti që ke ndjerë, ti shkollën nuk e ke lënë, pavarësisht se thua se të është “shpifur”. Pra, në njëfarë mënyre, ti ke ecur, nuk je futur në atë që do ta quaja “zona e rehatisë së keqe” duke u mbyllur në shtëpi për të qenë “rehat”. Ti, pra, e ke shkelur dhimbjen dhe, edhe pse si mbi ferra, ke ecur dhe për këtë ke merita. Vuajtjet e tua nuk t’i di askush, as familjarët e as të tjerët, vetëm ti vetë, ai që i ka kaluar si ti dhe ne psikologët. Në fakt, ankthi e fobia sociale është lloji më i trajtueshëm i çrregullimeve të ankthit, por e keqja është se rreth 80 % e njerëzve që i kanë këto vuajtje, nuk paraqiten për ndihmë te psikologu pasi u vjen zor, turp, ose shkojnë te doktorët e tjerë duke shpikur sëmundje me mendjen e tyre. Ndodh që mjekët i falënderojnë për paratë dhe u thonë: “Gëzohu që nuk ke asgjë…” e ata mund të mendojnë: “Të paktën të kisha gjetur diçka, me gjithë ato para që pagova!”. Pastaj, “jo, jo, më mirë kështu që s’qenkam sëmurë, por… ç’duhet të bëj?”. Kur këta klientë paraqiten te psikologu, ai në fillim bën testet për të parë llojin e shqetësimeve, shkallën e ankthit e të deprimimit dhe në përfundim të seancës së parë, pas disa pyetjesh e përgjigjesh e informon klientin realisht se çfarë ka, çfarë lloj psikoterapie i duhet, si dhe mund të pajisë me një libër në shqip për ankthin, i cili do të jetë si ai teksti mësimor, si një “guidë” e cila do t’i shërbejë vetëndihmës. Në seancat e para, klienti nuk e beson se do të vijë një ditë kur ai nuk do të ketë më asnjëherë çrregullime të tilla, por edhe kur e beson këtë gjë, ajo ditë i duket tepër e largët. Dua t’i porosis psikoterapistët e rinj se kur ne punojmë me klientët, hyjnë në veprim e ndërveprim dy të vetëdijshmet dhe dy të pavetëdijshmet tona, prandaj gjithmonë e pavetëdijshmja e klientëve, na sulmon ne psikoterapistët nëpërmjet vetëdijes së tyre.

– Kjo është arsyeja pse edhe psikoterapistëve më të mirë në botë u ikin klientët më parë se të jenë shëruar, pasi ose kujtojnë se ia “hodhën”, ose humbin besimin te psikoterapia që nuk i jep rezultatet aq të shpejta. Prandaj duhet këshilluar klienti që të jetë bashkëpunues deri në fund të terapisë, si dhe të bëjë edhe ndonjë seancë përforcuese pasi i ka mbaruar sesionet e nevojshme sipas literaturës shkencore. Duke e studiuar me hollësi rastin tënd, Jeta, arrij të kuptoj se ti ke një vetëvlerësim shumë të ulur dhe për këtë, nuk ta kanë fajin të tjerët të cilët ti i quan të gjithë të ligj. Kur nuk na ecën me të gjithë, të mos harrojmë se 50 % të asaj që nuk shkon, e kemi ne vetë. Anjëherë mos e lër gjendjen tënde shpirtërore në duart e të tjerëve, pasi është njëlloj sikur “fëmijën” tënd të brendshëm ta lësh në rrugë e të ta masakrojnë të tjerët. Sipas librit “Mjetet”, te kapitulli “Autoriteti i brendshëm” ti duhet ta shohësh veten “lart” dhe të tjerët si “nën”, poshtë teje, jo për të qenë fodulle, mendjemadhe, por për t’u ndjerë vetvetja, kështu që frika e hija e ngrirjes nuk do të të sikletosin. Edhe në librat fetarë, shkruhet: “Perëndia mbi të gjithë, pastaj vijnë prindërit, pastaj ti vetë, e të gjithë të tjerët “nën”, kushdoqofshin ata”.

Gjatë seancave me psikoterapi, do të bëhen edhe disa ushtrime para pasqyrës dhe ushtrime të tjera me vlera sugjestionuese, si dhe për rritjen e vetëvlerësimit. Do të mësosh se si të përdorësh bukur fjalët dhe humorin, për të mos u përplasur pa nevojë me të tjerët e për të mos u bërë lexuese e keqe e mendjes së të tjerëve. Askush nuk është i përsosur, të gjithë kemi pluset, por edhe dobësitë tona, porse ti duke i menduar tepër disa të meta “normale”, i ke zmadhuar ato dukshëm me mendime obsesive dhe nuk beson se të tjerët nuk kanë punë me to e as nuk ka përse të të përçmojnë. Ti do të mësosh se nuk ke përse t’i atribuosh të tjerët me arsye të gabuara dhe se duke ndryshuar ti, edhe ata do të bëhen më të sjellshëm e më të kujdesshëm me ty. Disa edhe mund të mendojnë keq për ty, por ti nuk ke përse të shqetësohesh, kjo ndodh me të gjithë e ti duhet të kuptosh se kjo është punë për ta. Hiqe, pra, atë “lupën zmadhuese” dhe fillo të tregosh ndaj tyre dashuri aktive, duke qenë më e afruar, falënderuese. Ndryshimet pozitive fillojnë te vetja me ato që janë ndjenja e mendime pozitive rreth vetes. Pak e nga pak, duke arritur rezultate më të mira, do të dalësh nga ky rreth vicioz, ashtu siç ndodh gjithmonë me ata që i nënshtrohen psikoterapisë. Do të jesh po ti që do të dëgjohesh me respekt e dashuri duke shprehur mendimet e preferencat e tua. Por, siç ka thënë Çehovi: “Respekto veten, të të respektojnë të tjerët”. Kështu, duke mos qenë aq shumë e përqendruar te vetja, do të jesh më e lirshme me të tjerët, sikur të kesh gjetur çelësin që të nxjerr nga ky lloj “burgu”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *