Me jetë të gjatë Alvin!
Këto ditë, kolegu ynë, Helidon Tahiraj, u bë me djalë. Me jetë të gjatë Alvin dhe mirë se erdhe pranë mamit, babit dhe të gjithë neve që të duam shumë. Urime familjes Tahiraj për këtë bekim!
Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– Tani në janar, pas orës 5 (17.00), ngryset, por vargani i njerëzve andej nga liqeni vazhdon dhe vazhdon. Drita ka, gjynah të qahemi, por ca mbajnë edhe telefonin për dritë. Kështu duan. Kurse një vajzë kishte vënë një llampë në kokë. Dhe ç‘vraponte! Dhe ç‘vraponin edhe mendimet e mia, në galeritë e minierës së Mushqetasë ku mbanin sipër kokës llampën e minatorit. Drita lëvizte sa andej-këtej, për kilometra e kilometra, deri në frontin e punës. Tani prapë një dritë e bukur, në kokën e bukur të një vajze të panjohur, që më “përplas” në kushedi ç‘kujtime. Urime moj vajzë, dhe… mos e ndaj dritën! Vrapo, goce, vrapo!
– I dashur Alban Zeneli! Edhe pse nuk jam kuksian, e dua shumë këtë qytet halleshumë, sepse më ka dhuruar shumë miq, që nga Flamur Hoxha, Shefit Kastrati, Safet Gjici, Kadri Morina, Mehmet Hasalami, e plot të tjerë. Ndërkohë, të ndoqa edhe ty te Bejto Malo. Më kënaqe me tonin e shtruar, argumentiv. Lus Zotin, të të bëj mik. Edhe pse jam plak, jam i etur për njerëz të mirë! Të përqafoj dhe gëzuar 2016-ën!
– Prej dekadash, ti ke bërë vend në zemrën time, i dashur Agim Nesho. Kam shumë miq diplomatë, po ti dhe Land Bomo hani bukë veç. Ndoshta janë kujtimet e fëmijërisë dhe të rinisë që bëjnë ligjin në këtë përzgjedhje. Po, ndërkohë ti më ngre aq fort me ato analizat në televizion, për probleme nga më delikatet. Me një qetësi, pa u turrur si në një garë që të lë pa frymë, përkundrazi, shtruar, hedh dritë për gjëra që duken aq të komplikuara në marrëdhëniet ndërkombëtare… Dhe pastaj, ana tjetër njerëzore. Model i balancës, i thjeshtësisë, i zemrës së çiltër. Të përqafoj fort, shoku im i shtrenjtë, Agim Nesho! Gëzuar 2016-ën!
– Ky urim shkon për një çift gjyshërish, siç janë miqtë e mi: Eli dhe Gëzim Dauti. Nxitoj të them se edhe pse gjyshër, ata janë plot energji dhe punojnë, madje, por Zoti i ka bekuar me Gloenin e vogël. Ju uroj familjarisht fat dhe paqe në 2016-ën. Urime!
– I dashur Hamdi Tafaj, ja ku “zbarkoi” edhe viti i ri 2016. Si pa u kuptuar, u bënë shumë vjet miqësi e pastër mes nesh, ndonëse fizikisht, na mungon Xhemali i paharruar. Sa herë e kujtoj me Isak Shehun. Gjithsesi, ti je një bio-zgjatim i orëve të tij më të mira, duke ngjallur kudo respekt, sidomos me thjeshtësinë tënde. Të uroj një vit të mbarë, të paqtë, i dashur njeri fisnik Di Tafaj. Lumturi në familje.
– Janë të shumtë ata që e dinë, se në Shqipëri ka shumë njerëz me emrin Artan dhe mbiemrin Hoxha. Po, është unik (dhe jo vetëm në zemrën time) presidenti i TBU-së. Pra, Artan Hoxha, ai me syze, që u jep nur analizave sa herë shfaqet në media. Ndërkohë, ata që e njohin nga afër, e njohin edhe për zemrën flori. Unë jam nga ata, po të njëjtin mendim ndan edhe Flamur Hoxha, e plot të tjerë! Të përqafoj kaq fort, Tani. Suksese në punë, në atë universitet aq të lakmuar, ku ata që mbarojnë, punën e kanë thuajse 100 për qind të sigurtë. Puthe fort gocën!
– Ja dhe një tjetër Artan Hoxha që gëzon simpatinë time. Jo thjesht si një biznesmen i formuar i parfumerive. As se di gjuhë të huaja. Ai, mor Zot, e do fort letërsinë dhe shkruan aq këndshëm. Sa herë e nxis të botojë dhe do të vazhdoj ta bëj. Po me këto pak radhë u përcjell urimin: Gëzuar familjarisht vitin e ri 2016, i dashur Tani, me flokët aq tipikë!
– Loni, shoku im i vjetër dhe i Buçit të Myrvetes! Sa do të doja të shkruaja një gjë të gjatë për ty, shoferi i vetëm i brezit tim, në lagjen time, që kishe “Skode” me turi. Një makinë e vështirë e autoritare. Tani punon me Met Malon, me të njëjtin përkushtim dhe ndershmëri që ju e keni si familje. Paç shumë lumturi në këtë vit dhe gjithë jetën, ti, miku im i mrekullueshëm, Loni! Të fala shoqes time të klasës, Dylberes!
– Tani që po shkruaj këto radhë, i kam mbushur 62 vjeç. Ka disa orë! Është 14 janar. Truri më “mori për dore” dhe më çoi në 14 Janarin e vitit 1986. Gojan, Pukë. Arsimtar në dhomën pa drita, po me qirinj dhe llampë jam unë, Shpëtim Bajraktari (rahmet pastë) dhe ish-kryetari i kooperativës dhe deputeti Ndue Zefi. Festojmë ditëlindjen time. Sa të bëhen fasulet me mish plëndësi, ja urimi me verë çelek dhe arka. Jepi, shoku, jepi… Truri im më çon në kujtimet e një viti më vonë, në Tuç. Prapë mësues. Prapë 14 janar. Ftohtë, borë, gjumi poshtë batanijeve dhe xhupit. Kur… tak, tak! O Zot, te dera qëndronin nxënësit e mi që më kishin sjellë nga shtëpia secili nga një copë dru për të ndezur sobën! Dhuratë më të bukur, ende nuk kam parë. Atëherë të uroj ty Ndue Zefi, ju uroj edhe juve o ish-nxënësit e mi, që i keni fëmijët tuaj 20-30 vjeçarë. Qofshi mirë, kudo që të jeni. Fat dhe lumturi në 2016-ën!
– Këtë urim, i dashur Tonin Alia, Mjeshtër i madh i punës, po e shkruaj vetëm pak orë pasi u ndava nga ty. Më lexove një mesazh të sinqertë të dikujt ndaj teje. Por, i dashur miku im, pas 15 vjetësh njohjeje, unë jam “Mari Kyri” i gjinisë mashkullore. Domethënë, i vetmi (ose ndër të paktët) që di se shpirti yt nuk është një madhësi konstante: aq sa është sot, është edhe nesër. Ndryshon. Jo duke u tkurrur, siç ndodh gjithmonë me pleqtë cingunë, por zgjerohet dhe thellohet. Nuk e di a e njohin të gjithë këtë dimension? Unë po, për vete. Kam “kapitalin” e 15 vjetëve njohjeje. Gjithsesi, pikërisht në ditën e lindjes sime (62 vjet më vonë, në fakt) të uroj nga zemra për fisnikërinë tënde “Bio”, në përgjithësi, pronë shekullore e familjes Alia (po në Pukë). Të fala Davës, puthi fort kalamajt dhe mos harro liqenin! Urime.
– Nuk duhet ndonjë sebep i veçantë, për një urim për ty, i dashur miku im, Biblil Mema, komandant i Akademisë së Policisë. Gjithsesi, kam një ngërç brenda vetes: Vij çdo ditë me hap sportiv deri afër shkollës aty në Sauk, por… Jam me tuta sporti dhe se si më duket të të ftoj për kafe. Gjithsesi, të dua aq fort për mirësinë tënde absolute. Paqe dhe gëzim gjatë 2016-ës, i dashur Bilbil. Suksese!
– E dashur Erisa Xhixho! Sa herë takoj babain tënd, Pirron, i shpreh dëshiren time tepër të veçantë që të bëhem gjysh, por në sytë e tij lexoj gjithashtu të njëjtën dëshirë. Po… hë pra, hidhuni, ç’bëni? Ti e di, sa do të më lumturojë edhe mua ky fakt. Leqë çfarë “fakti”? Ajo është mrekullia e jetës! Dhe, e ke vënë re që kameramanët, një e dy të fokusojnë ty te mbledhjet e këshillit Bashkiak të Tiranës? E pra, nuk qenkam vetëm unë, ai që “bie telef”. Nejse, përtej humorit: Të përqafoj fort, gëzuar 2016-ën.
– Të kam fort për zemër, ty, e nderuara Voltana Ademi. Të kam fort, se nuk përton t’i dalësh Shkodrës sime të dashur, Zot, sa herë vjen fjala për mirëshpërndarjen e fondeve të qeverisë. Nuk lë rast pa të ndjekur kur del në televizor. Dhe… je edhe alamet kinge! S’më hiqet nga mendja, sa bukur ishe veshur me 4 nëntor 2015, te mesha… Shpesh të përmend edhe me mikun tim Halil Sykja. Të uroj gjithë të mirat, Voltana e dashur. Gëzuar familjarisht 2016-ën.
– Quhet Luli Malota! E kam takuar në Shkodër, me 4 nëntor të vitit të kaluar, me rastin e 25 vjetorit të Meshës së Dom Simon Jubanit. Kjo vajzë banon tani në shtëpinë modeste të klerikut të madh shqiptar dhe që atëherë, më merr gjithnjë në telefon. Ka një dashuri kaq të pastër për Zotin, kurse unë kam një dashuri kaq të madhe për sytë e saj aq të bukur. Ajo thotë se “ia kam kushtuar jetën Zotit, por unë mendoj se Zoti do të ishte dakord që ajo të martohej. Unë, Flamur Bërdëllima, 62 vjeç, që kam parë kaq shumë, po ju them se o rrallë, o hiç nuk kam parë sy aq të bukur, aq të pastër, sa të mikes sime Luli Malotit. Si thotë kënga shkodrane?! “Ti puthsha ata sy” Luli. Të përqafoj fort!