– Jam Artani, 49 vjeç, nga Elbasani, 105 kilogramë, me një gjatësi rreth 170 centimetra. Për shkak të mbipeshës më sugjeruan që të kryeja një bilanc hormonal lidhur me çrregullimet hormonale të tiroides dhe diabetit. Nga bilanci i kryer më kanë dalë keq vetëm yndyrnat dhe vitamina D. Çuditërisht, mjeku që më konsultoi, edhe pse nuk isha me diabet, më ka rekomanduar të marr një bar me emrin Metformine. Ju lutem, doktor, më ktheni një përgjigje se çfarë duhet të bëj…
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – I nderuar Artan, ju falënderoj për pyetjen dhe mënyrën e trajtimit të problemit tuaj, sikur të jeni mjek i vërtetë. Që në fillim të përgjigjes sime doja t’ju informoja që niveli i lartë i yndyrnave, i shoqëruar me nivelin e ulët të vitaminës D, janë dy problematika shëndetësore tepër të zakonshme te njerëzit mbipeshë dhe obezë siç jeni ju. Pesha 105 kilogramë për një gjatësi 170 centimetra korrespondon me tregues të masës trupore të barabartë me 34, pra, BMI 34, çka ju klasifikon si obez i gradës së mesme në të rëndë. Mjafton thjesht mbipesha që herët a vonë në organizëm të fillojnë të shfaqen problematika të të gjitha llojeve dhe të të gjitha sistemeve fiziologjike të organizmit. Kryesisht, çrregullime më të përhapura tek individet mbi peshë dhe obezë janë çrregullimet metabolike që përfshijnë diabetin e sheqerit, çrregullimet e yndyrnave, çrregullimet e proteinave e për pasojë do kemi prekje më të shpeshtë të zemrës, enëve të gjakut, mushkërive etj. Lidhur me një pjesë të pyetjes suaj që edhe pse niveli i sheqerit në gjak ka rezultuar normal, kolegu e ka menduar që t’ju fillojë mjekim, mund t’ju them prerë që sot në mbarë botën vrojtohen dhe po tentohet gjithmonë e më shumë të shkohet drejt parandalimit të diabetit.
– Një nga format e parandalimit të diabetit është edhe dhënia e disa barnave, siç është në rastin tuaj për shembull, bari Metformine. Personalisht në praktikën e përditshme mjekësore nuk e preferoj shumë dhënien e barnave për të parandaluar sepse i mëshoj më shumë faktit që parandalimi më i mirë te këta të sëmurë është reduktimi i peshës. Për të reduktuar peshën ju duhet të ndryshoni stilin tuaj të jetesës dhe konkretisht, duhet të hani më pak, të ulni pra nivelin e kalorazhit ditor, si dhe të shtoni aktivitetin fizik. Të paktën çdo ditë duhet të lëvizni 60 minuta ecje të zakonshme ose të shpejtë. Gradualisht, duhet të kaloni në sporte me ngarkesë fizike më të lartë, për shembull not, aerobi, atletikë etj. Vetëm në rastet kur individët obezë e kanë të pamundur lëvizjen për shkak të sëmundjeve të tjera, atëherë do ta merrnim në konsideratë fillimin e trajtimit me barna duke e vlerësuar këtë gjendje jo si diabet i mirëfilltë, por si paradiabet. Në një pjesë tjetër të pyetjes suaj ju ngrini shqetësimin për nivel të ulët të vitaminës D. Opinioni im në lidhje me këtë çrregullim si pjesë përbërëse e obezitetit do ta konsideroja si faktorin më shqetësues që ju keni momentalisht. Nivelet e ulëta të vitaminës D, janë shumë të rrezikshme jo vetëm për uljen e fortësisë kockore, por mbi të gjitha sepse nivele të tilla mund të shkaktojnë sëmundje të rënda të zemrës, enëve të gjakut, si për shembull infarkte, trombozë etj. Mungesa e kësaj vitamine është e lidhur ngushtë me shumë çrregullime të imunitetit. Njerëzit që vuajnë mungesën e vitaminës D sëmuren më shpesh nga gripi dhe infeksione të tjera. Gjithashtu, rënia e vitaminës D në organizëm mund të predispozojë për sëmundje malinje dhe shumë problematika të tjera. Trajtimi më i mirë në këtë aspekt do të ishte shtimi i ekspozimit në diell, shtim i aktivitetit fizik dhe fillimi sa më parë i barnave që përmbajnë vitaminë D, kryesisht të marra me pika nga goja çdo ditë ose një herë në javë. Duke përfunduar, ju uroj shërim dhe rënie të shpejtë në peshë. Suksese!