– Jam 37 vjeç dhe kam 5 vjet që vuaj me sytë. Më skuqen shpesh dhe po shpesh më djegin, më japin ndjesinë sikur i kam të thata dhe kam guriçka nëpër to. Më ndodh që më dhemb edhe kokrra e syrit, më shkakton marrje mendsh dhe shikim të turbullt. Kam përdorur shumë ilaçe dhe s’më kanë bërë asgjë. Çfarë sugjerimi më jepni ju, që të kurohem? Pres me padurim përgjigjen tuaj. Faleminderit.
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – I nderuar letërshkrues! Nga letra juaj më lind mendimi që ju vuani nga sindroma e syrit të thatë, një grup sëmundjesh në sy të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën si shkak-pasojë dhe anasjelltas. Syri i thatë jep shqetësime të tilla si: praninë e grimcave të rërës në sy dhe në momentet që sytë lëvizin lart-poshtë apo anash, personi ndjen një lloj bezdie në sy që ne e shprehim si ashpërsim i tyre. Loti i njeriut është substanca fiziologjike më e nevojshme që nxjerr syri i njeriut. Loti është ambienti më i mirë fiziologjik në të cilin jeton syri.
– Syri laget prej lotit gjatë gjithë kohës dhe normalisht, një herë në 9 sekonda, individi pulit sytë për të përhapur atë film loti që prodhohet nga gjëndra e lotit mbi xhamin e syrit dhe në strukturat e tjera rreth tij. Në sëmundjen e syrit të thatë, sasia e pakët e lotit që qarkullon në sy nuk arrin ta lagë të gjithë sipërfaqen e syrit me lot, ndaj dhe syri lëviz në një ambient të thatë, të ashpër. Pacienti ka shqetësime të tilla si: djegie, dhimbje, ndjesinë e lëvizjes së syrit në ambient të thatë, herë pas here i turbullohet shikimi gati deri në veshje të syve. Për ta zgjidhur këtë problem, duhet një vizitë okulistike e hollësishme, matje e sasisë së lotit të prodhuar me testim etj. Më pas, nëse diagnoza përcaktohet qartë, është i fiksuar edhe mjekimi. Faleminderit për letrën tuaj.