– Doktoreshë Rezarta, motra ime ka bërë operacion për heqjen e perdes së syrit, por tani ankohet se bebëzën e njërit sy e ka më të vogël, që do të thotë se kur zmadhohen e zvogëlohen, nuk janë njësoj te të dy sytë përnjëherë. Unë s’e kuptoj, por ajo është shumë e shqetësuar. Është 35 vjeçe. Ku qëndron problemi? A është normale kjo që i ka ndodhur motrës sime?
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – I nderuar letërprurës! Shqetësimi që ju paraqisni për motrën është legjitim, pra, normal, i bazuar, pasi bëhet fjalë për një vajzë të re në moshë, 35 vjeçe dhe ana e paraqitjes është shumë e rëndësishme te një femër. Arsyeja pse ka ndodhur ky fenomen ka lidhje drejtpërsëdrejti me ndërhyrjen që ka bërë ajo në sy për heqjen e perdes. Perdja e syrit ose katarakta është turbullimi i thjerrëzës së shikimit, që zakonisht ndodh mbi moshat 50 vjeçare, ndërkohë që motra juaj është vetëm 35 vjeçe, pra, shumë e re për këtë sëmundje. Që këtu fillojmë të mendojmë se diçka nuk ka shkuar mirë me syrin e saj, që iu nënshtrua ndërhyrjes.
– Në letrën tuaj ju nuk më sqaroni në lidhje me faktin që perdja në syrin e motrës u zhvillua pa shkak, natyralisht, apo si pasojë e ndonjë goditjeje paraprake në sy apo ndonjë sëmundjeje pararendëse. Ju pyes për këtë fakt pasi ka lidhje me rezultatin pas operacionit. Gjatë ndërhyrjes së katraktës në syrin e njeriut hiqet thjerrëza e turbulluar (perdja) dhe në vend të saj njëkohësisht në ndërhyrje implantohet (futet në sy) një lente intraokulare, lente e fabrikuar sipas numrit të rezultuar nga matja biometrike që i është bërë syrit të motrës suaj. Lentja futet në sy në vendin e mbetur tashmë bosh nga heqja e perdes. Në përgjithësi, ndërhyrja shkon shumë mirë, pasi sot përdoret gjerësisht teknika e Phacoemulsifi kacionit, që nënkupton thithjen e perdes përmes një aparati të ngjashëm me sondë, pasi e kemi copëtuar më parë me ultratinguj. Ndërsa bëhet pa gjak, sepse hapja e syrit bëhet përmes një mikroincizioni vetëm 2 mm. Lentja e vendosur në sy poziconohet bukur dhe qëndron në syrin e operuar gjithë jetën. Arsyeja që njëra bebe, pupile ajo e operuar duket pak më e vogël, ka të bëjë me faktin që muskujt rrethorë të pupiles reagojnë tepër fort nën impulsin e dritës dhe kjo bebe ka rrumbullakësi më të rregullt sesa tjetra, gjë që ia mundëson dhe sistemon lentja intraokulare e implantuar tashmë në sy gjatë ndërhyrjes. Njëkohësisht, motra duhet të vizitojë edhe syrin tjetër, pasi ndoshta bebja e syrit tjetër ka një zgjerim të lehtë, ose reagim jo të shpejtë në dritë, që mund të vijë nga ndonjë patologji në syrin tjetër. Sytë janë organe simetrike dhe asimetria duhet të zbulohet duke i vizituar dy sytë. I rekomandoj syze dielli origjinale, pasi pas çdo ndërhyrjeje syri, syzet e diellit duhet të mbahen pa diskutim dhe të jenë origjinale. Ato mund t’i gjejë lehtësisht tek Optika Union, që gjendet në kryqëzim të 21 Dhjetorit. Shpresoj t’ju kem sqaruar për shqetësimin tuaj. Faleminderit që më shkruat.