Ndoshta jo të gjithë e kanë ndjekur “Dance vvith me” vetëm për Ceken, por çfarë nuk mund ta mohojmë është se prania e tij aty sillte një ajër tjetër, i jepte ngjyra të veçanta programit. A mund të ndodhte ndryshe me një personazh që ka një jetë që u sjell shqiptarëve të qeshura? Por politika “ndërhyn” duke e prekur aty ku nuk duhet, te familja, me dëshirën për t’ia ngrirë buzëqeshjen atij dhe shqiptarëve. Dhe kur “drama” prek një aktor të komedisë, atëherë ndoshta është koha të pyesim: “Ku po shkon ky vend?”. Përgjigjen nuk e kemi akoma, por vetë Cekja ka diçka për të treguar…

 

Alma Buci: – Ceke, çfarë more nga pjesëmarrja në “Dance vvith me”?

Cekja: – Ishte një eksperiencë e re në një disiplinë që nuk e kisha prekur më parë, por duke lëvruar pantonimat me Albi Nakon, e kalova jo keq. Mbetet një eksperiencë goxha e bukur.

– Pyetja që i bëre vetes para dhe pas “Dance vvith me”?

– Në fillim e pata pak të vështirë dhe nuk pranova. Vetëm në takimin e dytë u binda. “Çfarë do t’i jap unë baletit?” mendova. Pastaj, ishte dhe mosha, ndonëse para meje kishte qenë Sabriu (Fejzullahu), që është më i madh se unë. Pas 3 apo 4 puntatash, i thashë Veselit: “Çfarë bëhet kështu ore, hap shalë, mbyll shalë, u shkyem fare”. (Qesh)

– Sa koncerte ke humbur gjatë asaj kohe?

– Kjo është një pyetje shumë e bukur! Të them të vërtetën, goxha kam humbur, por ia ka vlejtur duke parë edhe reagimin e njerëzve, pasi përveç figurave të ndryshme në kërcim, ka rënë në sy edhe loja ime me Bertin dhe njerëzit komentonin: “si ia bëre”, “si ta bëri”…

– Është rritur numri i ftesave për koncerte pas “Dance vvith me?”

– Sigurisht që është rritur.

– Përveç batutave, përfshihet edhe kërcimi në “paketë” tani?

– (Qesh) Jo, jo, njerëzit edhe në kërcim, më shumë prisnin batutat e mia. Të nesërmen më thoshin: “Pse nuk flet më shumë?”. Mua më vjen mirë që diçka ka mbetur. Pjesë si kërcimi me gangsterin apo ai me “7 xhuxhat” janë momente që kanë mbetur në kujtesën e publikut.

– Pas “Dance vvith me”, cili është propozimi i radhës?

– Aktualisht, kam një projekt shumë të mire. Kam folur me ata të Klanit për idenë e xhirimit të disa telefilmave të shkurtër humoristikë diku te 25-30 minuta për çdo fundjavë, si tip telenovele. Kjo është një ide që e kam patur me qejf shumë kohë përpara dhe që shpresoj ta realizoj me stafin e duhur. Pastaj vazhdojnë koncertet… Për Shën Valentin jam në Itali, në fund të muajit, në Greqi etj.

– Vazhdojnë të funksionojnë batutat e vjetra nëpër koncerte?

– Edhe të vjetrat, por sigurisht, të ndërthurura me të reja. Unë alternoj anekdoda me monologje të shkurtra edhe për shkak të kërkesave të organizatorëve, pasi sipas tyre, dy vetë janë shumë e një është pak.

– Çfarë nga ato që po ndodh aktualisht në botë, përbën shqetësim për ty?

– Varfëria e madhe, e tejskajshme, lufta e terrorizmi. Sa herë dëgjoj për varfëri, më këputet shpirti. Për të mos vajtur më larg, njoh një familje pranë shtëpisë sime, njerëz të nderuar që s’kanë mundur të bëjnë pisllëqe si të tjerët dhe kanë zgjedhur të jetojnë me djersë. Zotëria ka qenë intelektual dhe tani të dy shesin cigare në anë të rrugës për të fituar diçka. Është për të ardhur keq…

– Nëse do të kishe një mesazh për botën, cili do të ishte ai?

– Këtu nuk të vlen asnjë mesazh. Ku pyesin këta për mesazhe?! I pasuri në Shqipëri nuk do t’ia dijë për asnjë tjetër. Ka pabesi, hipokrizi, shtirje pa fund. Ne vërtet kemi qenë të varfër, por të jesh i varfër nuk është turp; turp është të jesh i pandershëm, maskara. I ndershmi është i groposur sot… ky vend nuk bëhet!

– Më the që je pak me grip… Për këtë arsye je paksa i demoralizuar?

– Të them të drejtën, nuk kam pse ta fsheh, jam pak i mërzitur se skeçi i fukarait të cilin unë e kam luajtur shpeshherë, është bërë shkak që të më heqin djalin nga puna. Pjesa ku unë them “ma hoqën vëllain nga puna, ma zëvendësuan me një lypës të LSI-së” ka qenë si duket e papranueshme për dikë… Këtë ma tha dikush në vesh se unë s’dija gjë. Djali im është shumë i rregullt, pa vese, pa gjë. “Do ta dish arsyen pse ta kanë hequr çunin nga puna?” më thanë. “Për monologun tënd!”. U habita shumë të them të drejtën dhe më erdhi keq jo për atë 300 mijë lekësh rrogë. Të heqin çunin tim si inspektor pyjesh, pas 3 vitesh, me kontratë, me sjellje e me të gjitha në rregull, me pretekstin se nuk është paraqitur një ditë në punë?! Mua më vret ana morale, jo ajo financiare. Më vjen keq për emrin dhe për sa kam dhënë për qytetin.

– Ke një mesazh drejtuar instancave përkatëse për këtë çështje?

– Sigurisht që kam, edhe pse fjala ime mund të bjerë në vesh të shurdhër. U them: Mos i shikoni njerëzit se të kujt janë apo nga vijnë, shikojini si e bëjnë punën, a janë korrektë, a janë të aftë apo jo. Politikat shkojnë e vijnë, populli është gjithmonë aty. Në të kundërt, i bie që gjysmat të punojnë e gjysmat jo.

– Frederik Ndoci deklaroi para disa ditësh se do të largohej nga Shqipëria pasi këtu nuk shihte të ardhme për fëmijët…

– E lexova edhe unë dhe mirë do të bëjë. Kjo është më e mira. Ja, unë tani po mendoj ku ta çoj çunin jashtë… Do trokas te njerëzit që njoh nëpër koncerte për t’i gjetur një vend. Ne e mbyllëm historinë tonë, por është halli i fëmijëve tani…

– Çfarë nuk ia ke zili askujt?

– Pasuria ime më e madhe është emri. Jam shumë krenar për popullaritetin që gëzoj në popull dhe për këtë nuk ia kam lakminë askujt.

– Po emri shqiptar me të cilin krenohemi në botë?

– Pa diskutim, Nënë Tereza, është simboli i mirësisë.

– Çfarë do të bënte Cekja i gjendur një muaj i izoluar në skenë?

– Nga një muaj qëndrim në skenë, do të kishin dalë gjëra që as vetë nuk i imagjinoj dot, gjëra të jashtëzakonshme, të paparashikuara.

– Një fragment për të qeshur…

– Ishim në avion me Ponin dhe ajo ka shumë frikë nga avioni. Sapo u ngrit avioni, Poni kishte frikë nga turbulenca, ulëriti dhe u mbajt pas meje. “Mbahu sa të duash, i thashë, se bashkë do biem”. (Buzëqesh)

– Meqë jemi këtu… Di që keni shumë koncerte me Ponin. Çfarë vlerëson më shumë tek ajo?

– Poni është femër me një karakter të fortë, tipike labe.

– Kë shikon si një Ceke të ardhshëm në ekran, apo të mëdhenjtë nuk përsëriten?

– Ceken e shikoj te nipi! Diku do trashëgohet delli dhe ka qëlluar te djali i vajzës, që ka të dhëna artistike të mira për humor. Ai është në vit të dytë në gjimnaz tani, është aktivizuar me aktivitete të vogla dhe pasi të mbarojë, them të vazhdojë Akademinë.

– Cilin artist do të doje ta shihje në krye të shtetit shqiptar?

– Asnjë nuk shikoj. Duhet të kalojnë 7 breza që të pastrohet ky vend. Nuk i kam thënë unë këto gjëra, i kanë thënë të parët. Ne jemi njerëz shumë të egër, inatçinj, që s’ia duan të mirën tjetrit. Ka një smirë, një egoizëm të paparë, s’do vëllai vëllain, motra motrën. Vritet vëllai me vëllain për një metër tokë. Ta merr jetën tjetri pa të keq fare. Edhe kafsha që është kafshë, e mbron rrethin e vet. Jemi një vend shumë i vështirë për t’u qeverisur, ekziston një presion i tmerrshëm, një egërsi e paparë, një ujqëri e paparë, ka humbur ndjenja njerëzore dhe njeriu po s’pati dhembshuri, është i mbaruar.

– Çfarë do të kishe bërë nëse kjo kohë do të të kishte gjetur 20 vjeç?

– Do të kisha ikur me vrap nga Shqipëria dhe s’do ta ktheja kokën mbrapa. Berati njëherë është qyteti i tradhtisë se gjithmonë ka ngrënë bukë i paafti. Beratin e ka mbërthyer injoranca, njerëzit e aftë janë larguar të gjithë. Nuk njeh asnjë qytetar në ndonjë post në Berat. Kurdo që të dëshironi, jeni të mirëpritur një ditë në Berat, të shihni e madje të bëni edhe një reportazh se si funksionojnë gjërat këtu…

– Nëse do të ishe në portën e Parajsës dhe Zoti do të të pyeste: “Pse duhet të të lë të futesh brenda?”, çfarë do t’i thoje?

– S’kam bërë asnjë gjynah, nuk e njoh të keqen, përpiqem vetëm t’i bëj mirë tjetrit, edhe personit që ma bën të keqen i flas. Pastaj, ti po deshe më fut, po deshe mos më fut… (Buzëqesh)

– Çfarë të sjell më shumë kënaqësi tani?

– Kur më vijnë nipërit në shtëpi… Gocat më vijnë çdo fundjavë në shtëpi, vëmë muzikë dhe gëzojmë ashtu, të gjithë bashkë…

– Çfarë do të doje që nipat dhe mbesat të mbanin mend nga ti?

– Më të mirat e mia…

– Sekreti për një martesë të lumtur?

– Unë kam qenë pak i vështirë, s’jam nga ata burra që ndihmojnë, por gruaja, Drita, është shumë e aftë. Sekreti është të shkosh mirë, të plotësosh dëshirat duke shtrirë këmbët sa ke jorganin, të dish të ekonomisësh dhe unë të gjitha paratë që fitoj, ia lë gruas. Ajo i administron. Gruaja është baza për mua.

– Çfarë do të shkëpusje nga romanca kaq vjeçare me gruan?

– Unë dhe vëllai i Dritës, Jashari, kemi qenë në një pallat me hyrjet përballë. Plaku im dhe vëllai i Dritës ishin oficerë, kurse unë atë kohë isha 20 vjeç, ushtar. Një ditë, Drita erdhi te vëllai dhe plaka i tha plakut: “Ka ardhur e motra e Jasharit, vajzë e bukur shumë, me sy blu, do ia bëj djalit!”. Kur erdha në shtëpi, më tregoi e u takuam. Mua sikur më thithi Drita sapo e pashë! Me sy bojëqielli, flokë të gjatë, bionde… Shtanga në një moment. Ajo e vogël, 16 vjeçe, uli kokën e iku, kurse unë i thashë mamasë: “O mama, e dua unë atë”. (Qesh) Vëllai i saj tha: “Unë ku ta gjej ta shoh Dritën me ty”. Vetë Drita tha: “Flisni me babin, po tha babi “po”, unë dakord jam”, domethënë i pëlqente edhe asaj. (Qesh) Kanë qenë kohë të bukura ato. Mezi prisja të ikja në Korçë, ku jetonte ajo. Ishte një dashuri shumë e sinqertë, me shumë shpirt. Pastaj ata u martuan dhe jetuan të lumtur e të gëzuar. (Buzëqesh)

– Një pyetje të fundit… E ke marrë ndonjëherë në konsideratë mbjelljen e flokëve?

– Kurrë, sepse do prishja bukurinë. Po të vija flokë, do shëmtohesha! (Qesh)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *