Mbase vendimi më i vështirë që mund të marrë një çift i martuar është të ndahet. Është e vështirë të kuptosh se si një martesë në dukje normale të përfundojë me divorc, por në fakt ky është hapi i fundit i një serie evenimentesh dhe ndryshimesh të vogla, që kalojnë pa u vënë re. Problemet e një martese duken shumë kohë para se çështja të përfundojë në gjyq. Qëllimi është t’i njohësh dhe t’i kuptosh këto probleme që në lindje, para se të jetë shumë vonë. Ne po ju ndihmojmë duke ju dhënë disa nga shenjat që tregojnë se po shkoni drejt divorcit…
- Varësitë
Një nga shenjat më të zakonshme të problemeve në çift është kur njëri nga bashkëshortët vuan nga varësia ndaj diçkaje. Ky mund të jetë alkooli, bixhozi, bile edhe interneti. Kur këto varësi zënë një vend më të rëndësishëm sesa tjetri, atëherë ka ardhur momenti të flisni me partnerin. Fakti që flisni dhe komunikoni me njëri-tjetrin, patjetër që do t’ju ndihmojë, por nëse nuk merreni me këtë çështje tani, do ta keni të vështirë ta riparoni me kalimin e kohës.
- Depresioni
Të gjithë kemi kaluar nga ky stad. Është normale të ketë në çdo lidhje ditë të trishtuara, por nëse depresioni bëhet kronik, ai mund të ketë pasoja serioze. Gjithashtu, duhet thënë se depresioni nuk duhet të çojë patjetër në divorc. Duke e mbështetur partnerin/en që vuan nga depresioni dhe duke e shtyrë të kërkojë ndihmë mjekësore, bën hapin e parë që ai/ajo ta marrë veten dhe mbase kjo do të përbëjë edhe shpëtimin për martesën tuaj.
- Mungesa e komunikimit
Dy pjesëtarët e një çifti nuk duhet të jenë dakord për gjithçka, por nëse një mospërputhje idesh çon në zënka të shpeshta, atëherë është e qartë se diçka nuk shkon. Shpesh çiftet evitojnë diskutimin e problemeve të tyre, duke patur frikë se këto biseda do ta përkeqësonin situatën. Kjo është një shenjë se nuk po bëni më përpjekje për lidhjen tuaj. Megjithatë, edhe të qëndroni të heshtur nuk do t’ju ndihmojë. Gjeni kohën e duhur kur mund të flisni me njëri-tjetrin dhe zbuloni rrënjët e problemit.
- Varësia nga puna
Të punosh përtej orarit të punës mund t’ju sjellë rritje në karrierë, por nuk është ide e mirë ta bësh nëse kjo të kushton martesën. Kjo mund të jetë një shenjë që i tregon partnerit/es se preferoni të kaloni më shumë kohë para kompjuterit sesa me të. Cilado qoftë arsyeja, nëse ndjeheni të braktisur në lidhje, diskutojeni sa më shpejt me partnerin/en.
- Ju duket tjetri gjithë defekte
Jeni betuar ta pranoni partnerin me të mirat dhe të këqijat që ka, por me kalimin e viteve, është normale t’ju pëlqejë dikush tjetër dhe të dëshironi që partneri të ketë të njëjtat cilësi. Por, nëse e krahasoni shpesh partnerin me tjetrin, atëherë problemi me siguri është më i thellë sesa mendoni ju.
- Dëshirë për përkryerje
Nëse prisni ose dëshironi që partneri të jetë i përkryer në çdo rast dhe rrethanë, kjo mund të rezultojë e lodhshme me kalimin e kohës. Nëse e kritikoni partnerin gjithë kohën se nuk ka veshur këmishën apo kravatën e duhur, ose gruan se është lyer shumë ose pak, kjo mund të tregojë se nuk jeni të lumtur në lidhjen tuaj dhe jo me pamjen e jashtme të partnerit/es.
- Interesim i ringjallur për ish-in
Nëse partneri juaj rikontakton ndonjë ish, kjo mund të nënkuptojë se ai ndjehet i braktisur në lidhje dhe ka nevojë për mbështetjen e vëmendjen e dikujt tjetër.
- Përpjekje të pabarabarta
Një nga arsyet pse njerëzit ndahen, janë se njëri përfiton nga tjetri. Martesa është një lidhje reciproke, që kërkon përpjekje të njëjta nga të dy partnerët. Kjo nuk do të thotë se duhet t’i bëni bashkëshortit një dhuratë po aq të shtrenjtë për festën e Shën Valentinit, apo të ndani bashkë faturën e restorantit. Por, nëse në një moment të caktuar partneri ju duket barrë e rëndë për t’u mbajtur, ose nuk investon aq sa duhet në lidhje, ka ardhur momenti të rivlerësoni situatën.
- Nuk kaloni kohë vetëm për vetëm me të
Nuk është keq të ftoni në shtëpi të afërm dhe miq e shokë për dreka apo darka. Por, nëse shoqëria me partnerin nuk ju entuziazmon edhe aq e mezi prisni ta kaloni kohën me të tjerë, atëherë problemi ka rrënjë më të thella. Ju kujtohet koha kur i braktisët të gjithë që të rrinit vetëm për vetëm me të? Me sa duket, diçka ka ndryshuar!
- Nuk ju ndihmon fare në punët e shtëpisë
Jeni nga ato gra që pastrojnë e lajnë gjithë ditën, ndërsa bashkëshorti ulet para televizorit me një tas kokoshkash? Mund të duket gjë pa rëndësi, por të bësh gjithë punët e shtëpisë vetëm/ose pa ndihmën e partnerit mund ta dëmtojë lidhjen. Një martesë do të thotë të marrësh dhe të japësh, apo jo?
- Sekrete në telefon
Është e rëndësishme të kesh besim te tjetri në lidhje. Por, nëse kohët e fundit partneri juaj është shumë misterioz dhe shumë i dhënë pas celularit e tij, kjo mund të jetë shenjë e një problemi. Me sa duket, ai ka në telefon diçka të cilën nuk do që ta shihni ju.
- Humbja e pasionit
Ju kujtohet koha kur nuk rrinit dot asnjë minutë pa të, pa e parë, apo folur në telefon? Shumica e çifteve ndjejnë një ulje të pasionit me kalimin e viteve. Nëse ndjeni bezdi nga partneri, ose kuptoni se nganjëherë grindeni me të për gjëra të kota, atëherë ka ardhur koha të bëni një hap prapa dhe të mendoni si të rigjallëroni romancën që ju solli aq afër në fillim.
- Tradhtia
Është e qartë se diçka nuk shkon mes ju të dyve nëse partneri ka nevojë për seks jashtë lidhjes. Megjithëse tundimet ekzistojnë për të dy, mund të bësh seks me dikë tjetër vetëm kur nuk ndjehesh i lumtur në lidhjen tënde. Shpesh, tradhtia është pika e fundit që mbush gotën e një lidhjeje të tendosur dhe shumë shpesh çon në divorc.
- Problemet ekonomike
Ai që ka thënë se dashuria qëndron mbi paratë, ka thënë gënjeshtra. Nuk nevojitet të kesh miliona që të kesh një martesë të lumtur, por të luftosh çdo muaj për të paguar faturat mund t’i shkaktojë një dëm të pariparueshëm lidhjes tuaj. Nëse gjërat dalin jashtë kontrollit, nuk është ide e keqe të kërkoni këshillë nga një specialist në këtë fushë.
- E lini veten pas dore, për tjetrin
Të përpiqesh për lumturinë e partnerit është dçka e mirë, por të harrosh nevojat e tua dhe të lësh veten pas dore për këtë, është gjë e keqe. Në përpjekjen për të kënaqur tjetrin, shpesh njerëzit lënë pas dore dëshirat e tyre, gjë që më vonë çon në depresion dhe zhgënjim.