– Doktoreshë Rezarta, kam probleme me syrin e djathtë, që më ikën, domethënë, shikoj shtrembër. Kam mbajtur syze qëkur isha 12 vjeç dhe e në atë kohë e bëra operacion në Shqipëri. Tani kam 17 vjet që këto dy vitet e fundit më është shfaqur i njëjti problem, përdor edhe syze dhe nuk ndikon fare pozitivisht. Dioptrinë e kam +0.75. Ju lutem, më thoni se si ta zgjidh këtë problem që kam. Ju falënderoj.
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – I dashur letërshkrues! Diagnoza për të cilën ju më shkruani quhet Strabismus dhe është shtrembërimi i syrit, mospërqendrimi i tij në aksin qendror të shikimit. Ju nuk më sqaroni në letrën tuaj nëse shtrembërimi i syrit është nga ana e hundës apo nga ana e veshit. Në qoftë se do të ishte nga ana e hundës quhet strabismus convergens, ndërsa po të jetë nga ana e veshit, quhet strabismus divergens.
– Duke qenë se më jepni detaje të numrit dioptrik në letrën tuaj dhe më shkruani që e keni dioptrinë +0.75, me përafërsi e marr me mend që vuani nga diagnoza: strabismus convergens secondar akomodativ. Kjo do të thotë se syri juaj i djathtë duke qenë se nuk sheh në qendër, në aks, ikën shtrembër sekondarisht, pra, si pasojë e mosshikimit mirë. Ndërhyrja që ju keni bërë në moshën 12 vjeçare për strabismus, siç duket, nuk e ka sistemuar plotësisht këtë problem, nuk e ka çuar syrin drejt, prandaj edhe ju keni humbur shpresat dhe jeni bërë pesimist. Ai që nuk më pëlqen dhe më shqetëson në letrën tuaj është fakti se ju nuk i mbani syzet, ose i mbani me hope dhe në këto kushte, nuk pretendohet që ju të shihni mirë dhe të keni sadopak këtë shtrembërim. Unë do t’i jepja dy zgjidhje problemit tuaj të shtrembërimit:
– E para, të mbani syzet respektivisht, që të ulet, minimizohet sadopak këndi i shtrembërimit të syrit tuaj.
– E dyta, të interesoheni për një ndërhyrje tjetër kirurgjikale e cila ndoshta duhet të bëhet në të dy muskujt e kundërt të syrit tuaj të djathtë, për t’i sjellë në qendër. Kjo mbetet për t’u menduar dhe për t’u përcaktuar, pasi unë personalisht t’ju bëj një vizitë të hollësishme. Shpresoj t’ju kem sqaruar. Ju mirëpres në vizitë. Faleminderit.