– Doktor Petriti, ka një muaj që më është bërë gjuha me puçrra. Jo e gjitha, por vetëm në fund, afër fytit. Ato nuk më dhembin, por ka një javë që më janë acaruar më shumë dhe më kanë dalë edhe në fyt e më pengojnë kur kapërdihem. Çfarë mund të jetë dhe çfarë i ka shkaktuar? Jam shumë i shqetësuar dhe shumë në merak.
Dr. Petrit Stafa, ORL: – I nderuar lexues, problemi që më përshkruani ka të bëjë me qelizat e gjuhës, që quhen qeliza në formë V-je dhe që janë më të mëdha se qelizat e tjera që duken në gjuhë. Këto qeliza, ndodhen në fundin e gjuhës dhe kanë formën që ju thashë, ama mos u shqetësoni, sepse nuk janë të sëmura. Këto lloj qelizash i ka çdonjëri prej nesh. Ju jeni shqetësuar sepse i keni parë në pasqyrë, por në fakt, kjo s’ka të bëjë fare me ndonjë sëmundje apo infeksion në veçanti. Ju nuk keni temperaturë, dhembje, pra, s’keni lidhje fare me infeksionet. Këto qeliza kanë të bëjnë me shijen, kripërat dhe me ndjeshmërinë e gjuhës. E theksoj nuk kanë lidhje me infeksionet që ju mund të hamendësoni.