Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Jona Dervishi: Lidhja sa vjen e forcohet…

 

Ajo është figura e Federatës Shqiptare të Futbollit, por çfarë qëndron përtej portretit të saj aq tërheqës dhe seriozitetit që i shkon për shtat pozicionit të zëdhënëses në një institucion kaq të rëndësishëm? Për këtë ishim kuriozë, ndaj e takuam Jonën dhe bëmë me të këtë bisedë…

 

Advertisement

Blerina Çizmja: – Jona, cila është lidhja jote direkte me sportin?

Jona Dervishi: – Deri diku jam njeri sportiv, më pëlqen vrapi, noti dhe kur kam kohë të lirë merrem me kënaqësi. Mendoj se një jetë me sport është një jetë me shëndet dhe paqe mendore, por nuk jam sistematike dhe këtë e quaj defektin tim dhe të bashkëmoshatarëve të mi. Puna që kam, në fakt, më shumë më lidh me Marrëdhëniet me Publikun sesa me sportin, ama qëkur kam filluar të punoj në Federatë, lidhja sa vjen e forcohet dhe kjo gjë më pëlqen.

– Para se të futeshe në FSHF, e kishe menduar të punoje në një profeson që ka lidhje me futbollin?

– Në fakt, ka qenë një surprizë e këndshme edhe për mua, prandaj them ndonjëherë se fati është i paparashikueshëm. Ashtu sikurse vetë jeta e njeriut… Në momentin që u përballa me këtë profesion, u ndjeva e privilegjuar, por të jem e sinqertë, nuk e kisha menduar paraprakisht… Vetëm kur pashë që kërkohej një zëdhënëse në FSHF, fillova ta konsideroja realisht këtë mundësi dhe, të them të drejtën, më doli shumë mirë.

– Pse në këtë pozicion duhet të ishe ti dhe jo një tjetër?

– Në fakt, duhet të pyesni ata që më kanë marrë se përse e kanë menduar kështu… (Buzëqesh)

– Ti vetë, çfarë mendon se të ndihmoi për të nisur këtë punë?

– Ishin 5 kandidatë meshkuj dhe unë isha e vetmja kandidate femër. Ndoshta ishte kjo një përparësi, meqenëse jemi në kohën e barazisë gjinore dhe mund të më ketë dhënë një lloj privilegji. Megjithatë, unë mendoj se ato që më bënë të fitoja ishin idetë, nismat  që paraqita dhe përputhshmeria që kishin idetë e mia me atë çka kërkohej në FSHF…

– Përveç faktit që ishe e vetmja femër, mund të ketë ndikuar edhe fakti që ishe një femër e bukur?

– Po tani, ku di unë… (Buzëqesh) S’më duket vetja kaq e bukur, të them të drejtën. Çdo gjë është relative. Mund të them vetëm se kur ke rol zëdhënësi, normalisht puna që ti bën është përpara kamerave dhe publikut, kështu që edhe estetika ka një rol me rëndësi…

– Sa e ndjek futbollin aktualisht?

– E ndjek dhe më pëlqen, jo vetëm në aspektin profesional. Unë nuk merrem me çështjet teknike, e shikoj më shumë nga lart, pa iu futur tamam profesionalizmit apo detajeve, megjithatë sidomos kampionatin shqiptar, kam dëshirë ta ndjek dhe shkoj edhe në stadium.

– Në profilin tënd në Facebook, ti vazhdimisht promovon flamurin… Je vërtet nacionaliste apo e bën këtë për hir të punës?

– Shiko… nuk jam nacionaliste, por jam patriote, se ky termi “nacionaliste” sikur shpreh dhunë dhe ekstremizëm. Për mua, është çështje patriotizm, pra, atdhedashurie, patjetër edhe duke promovuar kështu Kombëtaren dhe vlerat e kombit tonë në çdo aspekt. Kam qenë gjithnjë kështu, por duke iu përshtatur mbase profilit të punës sime, mund ta kem shtuar deri diku dozën. Një gjë ama mund ta them me siguri të plotë: çdo gjë që bëj, është e ndjerë!

– Mund të ishe ti për shembull, imazh i Kombëtares Shqiptare?

– Kombëtarja është një imazh më vete; spektakli që ata djem na dhurojnë në fushë është edhe imazhi kryesor që duam të përcjellim. Gjithsesi, nëse do të isha ose jam bërë deri diku imazhi i Kombëtares, është privilegj për mua.

– Me çfarë mbushet dita jote e punës?

– Kemi një orar zyrtar 8.30-15.30 që e nis me kafen e mëngjesit dhe shtypin e ditës, me gazetat sportive, me portalet online etj. Pastaj hap emailet dhe vazhdoj me procedurën e punës së çdo institucioni, pavarësisht se puna ime është edhe punë terreni, me takime me gazetarë. Marrëdhëniet me publikun janë strategji, kështu që me duhet të bëj “propagandë”, që t’ju mbushim mendjen ju gazetarëve për shembull, të shkruani gjëra pozitive dhe të na promovoni sa më shumë… (Qesh)

– …ndërkohë që, arsimimi yt nuk ka lidhje fare me gazetarinë…

– Unë kam mbaruar Gjuhët e Huaja, por Gjuhët e Huaja, ashtu sikurse Gjuhë-Letërsia e Gazetaria, janë të së njëjtës familje. Unë kam bërë edhe master për komunikim për dy vjet dhe komunikimi, në vetvete, gazetari është. Gjithsesi, Marrëdhëniet me Publikun janë edhe çështje dhuntie sepse mund të kesh mbaruar gazetari profesionale e të kesh dalë shkëlqyeshëm, por nuk je i mirë në promovim…

– A shikon njëfarë lidhjeje mes faktit që gjithnjë e më shpesh, në pozicione kyçe shohim femra të bukura; zëdhënëset, parlamentaret… Do të thotë kjo se ato janë më të afta?

– Unë vetë jam adhuruese e të bukurës, por mbi të gjitha, e një mendjeje dhe karakteri të bukur. Nëse këto të dyja bëhen së bashku, mjafton shumë pak stil dhe mund të quhesh e bukur. Sa i përket politikës, mendoj se parlamentaret janë të bukura brenda ideologjisë që ne përkrahim dhe na duken edhe me të bukura në pamje. Pastaj, mos harro se televizioni të jep madhështi. Sipas disa studimeve, njerëzit janë më të prirur të shikojnë një person të bukur që nuk thotë asgjë, sesa një person që mund të mos jetë estetikisht shumë i bukur, por ka shumë për të thënë. Kjo vjen edhe si proces i rënies së nivelit intelektual deri diku, ose ndoshta është ndikimi i stresit; njerëzit nuk duan më të dëgjojnë, janë të lodhur ndaj ndonjëherë duan vetëm të shohin.

– Nëse nesër do të ikje nga kjo punë, për çfarë do të të vlente eksperienca?

– Unë e marr jetën pa e parashikuar… Po të shikosh edhe formimin tim, unë jam e spostuar nga Perëndimi drejt Lindjes, sepse kam bërë të mesmen për gjuhë italiane, vazhdova për turqisht, pastaj për komunikim, disa kohë në Ministri të Jashtme, pastaj erdha në FSHF, kështu që nuk e di… Si çdo njeri, i kam edhe unë planet e mia. Edhe tema e politikës deri diku më intrigon…

– Cila është gjëja më e bukur e punës tënde?

– Emocioni shumë i madh që të jep Kombëtarja, sepse e shikon edhe me syrin e patriotizmit dhe jo vetëm të lojës. Jam me fat që punoj edhe me një staf të mrekullueshëm. Ata janë gjithmonë pas kuintave, por bëjnë një punë të jashtëzakonshme, njësoj si Kombëtarja në fushë.

– Po më e vështira?

– Do të merrja shembull akreditimin e gazetarëve në stadium, pasi vendet janë të pakëta, në krahasim me kërkesat e mëdha të gazetarëve që duan të marrin pjesë. Lënia jashtë vërtet që më lë shije jo të mirë, por duhet t’u përmbahemi disa kritereve… Shpresojmë që me stadiumet e reja, të ketë edhe më shumë kapacitet për t’i përmbushur kërkesat.

– Ka raste kur të afërmit të kërkojnë t’u sigurosh bileta për në ndonjë ndeshje të rëndësishme?

– Oh, një ndër pjesët më të vështira të punës është fiks momenti kur janë ndeshjet eliminatore të kombëtares sepse të tërë, që nga familjaret e mi e deri te shoqëria e farefisi, nisin të më kërkojnë bileta. Ngjan si humor, por shpesh kthehet në stres sepse kërkesat janë aq të shumta sa nuk i përmbush dot sepse ne si staf kemi një numër të limituar biletash.

– Cili është futbollisti që mezi prisje të takoje dhe ai që mezi pret ta takosh?

– Nuk kam ndonjë futbollist që mezi pres ta takoj, të them të drejtën. Kisha kuriozitet të takoja Kristiano Ronaldon, si një gjigant të futbollit kur erdhi të luante këtu me Portugalinë, por pikërisht dy ditë para m’u desh të operoja apendisitin, kështu që s’munda ta takoja, bile edhe ndeshjen e pashë nga televizioni. Më ka ngelur peng që s’munda ta shijoja lojën në stadium mes atmosferës kuqezi, aty ku zemrat rrahin njësoj.

– A i lejohet një zëdhënëseje që, në intervistën e saj, të tregojë nëse është apo jo e dashuruar?

– Në këtë botë lindim për të dashuruar… qëkur hapim sytë, ndjejmë dashurinë për nënën. Mjerë ai ose ajo që s’ka dashuruar kurrë.

– Futbollist është ai?

– Në dashuri s’ka rëndësi, as profesioni, as feja, as origjina, as ngjyra. Dashuria është e paformë; ti e ndjen, por nuk e sheh. Rëndësi ka që të jetë  e pastër dhe të të bëjë njeri më të mirë.

– Do të bëhej ai xheloz nëse ti përqafon Ronaldon, apo në rastin e Ronaldos, ia vlen çdo sakrificë?

– Përqafimi është një shenjë ngrohtësie e respekti, por unë, gjithsesi, nuk mendoj se do ta përqafoja. Maksimumi do të bëja një selfie me të. (Qesh) S’mund të ketë xhelozi për një përqafim, por nëse s’do ta bënte të ndihej mirë, do ta evitoja.

– Plani më i afërt…

– I kemi sytë drejt Kombëtares në Evropian. Ky është plani më i rëndësishëm.

 

 

Nga afër me Jonën

– Je aq supersticioze sa të trembesh për shembull, nga një numër ters?

– Qëllon që edhe bëhem, sidomos kur shoh ndonjë ëndërr jo të mirë gjatë natës, por nuk e kaloj cakun. Çështjet e bestytnive i takojnë shekullit te kaluar. Besoj se të gjithë ne e kemi të shkruar fatin në librin e Zotit dhe s’mund t’i shmangemi as të mirës, as të keqes, nëse është thënë të bëhet.

– Çfarë do të bëje nëse një qen do të t’i ngulte sytë ndërsa kalon rrugën?

– Dy janë mundësitë: Ose do përkëdheli, ose do të më vërsulet! Unë s’do të rrezikoja me të parën sepse mund të pësoja të dytën, kështu që… Do të vazhdoja rrugën drejt. (Qesh)

– Sa orë pasi e ke marrë rrogën, e harxhon atë?

– Jo, jo, s’jam armike e parasë, përkundrazi. Jetojmë në kapitalizëm dhe duam apo nuk duam paraja është një domosdoshmëri. Nëse punën tënde mujore e harxhon brenda ditës, atëherë nuk ke respekt për të.

– Cila është ajo që nuk i reziston dot pa e blerë, edhe nëse ke dhjetëra të tilla në shtëpi?

– Në veshje, do thoja këpucët. Edhe kur në garderobë më mungojnë gjëra të tjera dhe jo këpucë, syri im shkon sërish aty.

–  Cila është dobësia jote më e madhe?

– Fëmijët, të cilëve u është vjedhur fëmijëria, që nga fëmijët e varfër të vendit tim e deri te  fëmijët në Lindjen e Mesme, që rriten çdo ditë me luftë e jo me lodra…

– Po pika jote më e fortë?

Dinjiteti. Nuk do të lejoja kurrë të më nëpërkëmbej! Një njeri pa dinjitet është një njeri i varfër në shpirt.

– Do të kishe kundërshtim po ta mbyllnim intervistën me librat dhe muzikën?

– Aspak. (Buzëqesh) Unë kam simpatitë e mia, më pëlqen të lexoj romane e poema, por për Kadarenë kam debulesë, sepse përhumbesh në vargjet e tij. Gjithashtu, kam simpati për librat e Ben Blushit. Po i shtoj listës edhe romanin e bukur të Blendi Fevziut, që kam pak kohë qe e kam përfunduar. S’mund të lë pa permendur përkthimet e të ndjerit Jusuf Vrioni. Ndërsa në lidhje me muzikën, jam e gjithanshme sepse e ndjej shumë. Çdo këngë më duket sikur është bërë apostafat për ditët e mia. Ngjan si mendim egoist, por fundja, kush nuk ndjen muzikën, nuk ndjen sensin e vërtetë të jetës. Më pëlqen shumë muzika italiane e viteve ’70, edhe ajo franceze, por nuk dua të lë kurrë pa përmendur dy perlat e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Kaltrina Selimi: Fajtori është ai!

Next Post

Djemte kerkojne vajza...

Advertisement