Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Askush nuk e deshi nusen time!

Jam Blerimi. Sot vendosa të shkruaj historinë time dhe po e bëj me qëllimin e vetëm për të falënderuar njeriun e zemrës që më ka qëndruar gjithmonë pranë duke më shërbyer mua dhe familjes sime. Me historinë time dua t’u jap një mesazh të fortë të gjithë atyre djemve apo burrave që njeriun e jetës së tyre e zgjedhin duke u bazuar te bukuria dhe jo te vlerat njerëzore. Historia ime nisi në kohën kur unë kisha vendosur ta lija kurbetin dhe t’i kthehesha jetës këtu në Shqipëri. Atëherë sapo i kisha kaluar të tridhjetat dhe në shumë vite që kisha jetuar në Greqi, kisha vënë një lloj kapitali dhe kisha vendosur të investoja në vendin tim. Si çdo djalë në moshën time, edhe unë në atë kohë kisha kaluar nëpër duar me dhjetëra femra, por kishte ardhur koha që unë të gjeja një njeri të mirë dhe të krijoja familjen time. Një ditë, teksa po ecnim bulevardit të qytetit tim, me cepin e syrit pashë një vajzë që punonte në një dyqan këpucësh. I thashë shokut, i cili po më shoqëronte: “Hymë pak në këtë dyqan”, por shoku ma ktheu me shumë seriozitet:

– Hajde shkojmë se nuk ia vlen ajo për ty.

Këmbëngulja e tij për të ikur më bëri kurioz për ta pyetur se pse duhet të largoheshim. Ai ma shoi menjëherë kuriozitetin, duke më thënë:

Advertisement

– Para teje e kam ngacmuar unë, por ajo është gur varri, një copë fshatare e rëndomtë që nuk merr vesh nga jeta. Të gjithë djemve që i propozojnë u thotë “drejtohuni në familje”, sikur është e vetmja femër në këtë botë. Nuk është as e bukur…

Atë ditë e lashë me aq, po nuk e di pse në atë mbrëmje mendja më rrinte tek ajo bisedë që bëra me shokun; m’u duk sikur diçka nuk shkonte. Edhe pse ai më tha shumë fjalë, unë doja të flisja njëherë me atë vajzë. Është ajo ndjenja mashkullore që provon kur e do diçka dhe do që ta arrish me çdo kusht. Në fakt, t’ju them të drejtën, duke e krahasuar veten me shokun tim, nuk jua them për mburrje, por kisha disa cilësi që çdo femër do t’i pëlqente te një mashkull. Në radhë të parë, kisha paraqitjen, kisha anën ekonomike shumë të mirë dhe ajo që më duhej më shumë, ishte zgjuarsia. Kështu, pra, vendosa të bisedoja njëherë me atë vajzë. Ditën tjetër s’po më mbante vendi derisa të kaloja nga dyqani ku ajo punonte. Hyra brenda, e përshëndeta dhe ajo bëri të njëjtën gjë. Për të mos rënë në sy menjëherë se për çfarë kisha shkuar në atë dyqan, fillova të shikoja këpucët, ndërsa mendjen nuk e kisha fare tek ato, po te vajza që ishte ulur në karrige. E shikoja me cepin e syrit me vëmendje, por të jem i sinqertë, në pamjen e parë, ajo nuk më bëri aspak për vete. Si të thuash, nuk kishte paraqitje, jo se kishte ndonjë tipar të shëmtuar që të binte në sy, por thjesht, ishte shumë imcake. Pa dashur që ta ofendoj, ajo që në pamjen e parë dukej se ishte nga fshati. Megjithatë, unë fillova të hyja në bisedë me të. Në fillim e pyeta se nga ishte dhe ajo, në mënyrë të ftohtë, m’u përgjigj:

– Ke ardhur për të parë këpucët, apo mua?

Përgjigjja e saj m’u duk shumë e trashë dhe u pendova që i fola. Nga përgjigjja e saj më iku dhe oreksi për të folur me të, kështu që pa rënë në sy, i lashë këpucët në vend dhe dola. Mbas një jave kalova përsëri nga i njëjti dyqan dhe pa u futur brenda hodha një shikim. Ç’të shikoja?! Brenda ishte shoku im, që po bisedonte me të dhe dukej sikur debatonin. U ndjeva shumë keq, m’u duk vetja i tradhtuar prej shokut. Në fakt, unë nuk kisha gjë me atë vajzë, po nuk e kuptoja, ai ç’kërkonte me të? Ai para disa ditësh më tha se ajo nuk ia vlente. Një ndjenjë e brendshme më trazoi gjithë trupin. Që nga ai moment, fillova të mendoja për atë vajzë. Nuk ishte dashuri, por një dëshirë për të vërtetuar se sa i fortë isha unë për ta bërë atë për vete, qoftë edhe për inat të shokut tim.

Një ditë më pas, hyra përsëri në dyqanin e vajzës. E përshëndeta dhe i kërkova të më orientonte që të gjeja një palë këpucë ashtu siç i doja unë. Ajo erdhi dhe, në mënyrë të kulturuar, më zgjati një palë këpucë dhe më tregoi për firmën dhe cilësinë e tyre. Dukej shumë e sjellshme dhe kishte njohuri për punën që bënte. Në njëfarë mënyre, si të thuash, unë po sillesha si një klient i bezdisshëm, për të parë si do të reagonte, por ajo në çdo moment e ruajti qetësinë. Për një muaj rresht u bëra klienti i saj; herë blija këpucë për veten, herë për pjesëtarët e familjes. Kur e kujtoj sot, më vjen për të qeshur, por nuk kisha rrugë tjetër, ishte mënyra e vetme për të kuptuar botën e saj. Ju tregova edhe më lart se ajo nuk kishte paraqitje, mirëpo unë isha lodhur nga femrat e bukura. Në fund të fundit, doja vetëm një njeri të mirë për të kaluar jetën. Edhe pse kisha shumë kohë që e frekuentoja dyqanin, nuk kisha mundur të mësoja prej saj asgjë personale. Një ditë i thashë:

– Është i vetmi dyqan ku më pëlqen të blej këpucë.

– Po, e kam vënë re këtë… – më tha ajo.

Duke parë se edhe ajo e kishte kuptuar qëllimin tim, i thashë se do të më pëlqente të dija pak më shumë për atë vetë. Ajo mori menjëherë një pamje shumë serioze dhe ma ktheu:

– Nuk jam këtu për t’u dhënë informacion njerëzve për veten, por për t’u shërbyer.

“Me këtë nuk u bëka shaka. Qenka palcë e trashë”, mendova me vete, por vendosa t’i them edhe një gjë të fundit:

– Dua të pi një kafe me ty, të bisedoj gjëra serioze, të vendosim për jetët tona, por më parë dua të di, nëse në zemrën tënde është dikush tjetër apo jo?

Ajo ma ktheu: – Nëse e ke vendosur që me mua të kesh gjëra serioze, atëherë drejtohu në familje. Sa djem vinë këtu dhe më thonë llafe të tilla, nuk mund të pi kafe me të gjithë.

Përgjigjja e saj më la pa fjalë. Ndoshta ajo kishte të drejtë. Atëherë bëra si më tha ajo, i mora adresën, emrin e të atit dhe vendosa të shkoja ta kërkoja në shtëpi. Të gjitha këto, ajo i mori si me shaka, po nuk e di, diçka brenda vetes më thoshte se ajo ishte një vajzë e mirë dhe ia vlente të bëhej pjesë e jetës sime. Në fillim i telefonova të atit, pimë kafe me të dhe folëm shumë gjatë. Ata ishin një familje e ardhur nga fshati në qytetin tonë. Me sa kuptova, i ati i kishte mësuar fëmijët me rregulla shumë strikte dhe ata u bindeshin atyre. Vjehrri im, atë ditë më tha këto fjalë:

– Ti vajzën time në paraqitje e ke parë; për të tjerat, e mbaj unë përgjegjësinë. Nëse ajo nuk është e ndershme, nëse ajo nuk të respekton ty dhe njerëzit e tu, nëse ajo nuk është e aftë të bëjë punë shtëpie dhe të kujdeset për ty, atëherë turpin e mbaj unë dhe ti do ma sjellësh vajzën në shtëpi, por ama nëse kërkon të tallesh me fëmijën tim, merr parasysh pasojat.

Biseda me të, edhe pse e ashpër, më pëlqeu. M’u duk sikur po bëja miqësi në malësi, por çdo prind ka të drejtë të mendojë ashtu për fëmijën e tij. I dhashë dorën të atit të vajzës dhe i thashë se do bëhej kështu siç thoshte ai. U tregova prindërve të mi dhe ata në fillim u gëzuan shumë, por ama kur shkuam në familjen e vajzës dhe panë nusen time, u befasuan fare. Duke më parë mua dhe duke e ditur tipin tim, menduan se do kisha zgjedhur ndonjë bukuroshe. Kur doli Lila me llokumet në dorë, babi shtangu, u hutua fare dhe nuk po e zgjaste dorën për të marrë llokumet, mamit iu mbushën sytë me lot nga inati që nusja e saj nuk ishte ashtu si ajo e kishte imagjinuar, motrës po i dridheshin duart dhe po buzëqeshte nga zori. E kuptova menjëherë se mezi prisnin të dilnin jashtë e të shpërthenin. Dhe në fakt, kështu ndodhi. Sa dolëm nga shtëpia e nuses, ia nisi mami e para:

– Po ku i kishe sytë, more djalë?! Ishin mbaruar femrat që zgjodhe atë kockë e lëkurë, që mezi qëndronte në këmbë?

Babi kishte mbetur pa fjalë, ndërsa motra vetëm qante:

– Po ne të kemi yll more. Ku do dalësh ti me atë? Pse e humbe veten kështu?

E di që këtë histori do ta lexojë edhe nusja ime Lila, prandaj nuk po ju tregoj më shumë nga fjalët që familja ime nxori nga goja atë ditë. Unë e kisha bërë mendjen top dhe as që doja t’ia dija për fjalët e tyre dhe të fisit, të cilët gjithashtu, nuk pushuan së foluri për Lilën time. Edhe shoku, i cili më kishte folur keq për të, u befasua kur unë i tregova se u fejova “me atë vajzën e dyqanit”. Më vonë mora vesh se ai e ngacmonte Lilën, por e kishte marrë ashtu si duhej përgjigjen nga ajo. Mbas një viti ne u martuam. Lila ishte dobësuar akoma më shumë nga stresi se si do ishte jeta e saj në familjen e re. Njerëzit vazhdonin të flisnin për mua “po ky ku i pati sytë? Janë si dita me natën” dhe të tjera si këto fjalë, por fjalët e tyre as që më interesonin. Në fillimet e martesës time me Lilën kuptova se ishte një vajzë e përsosur dhe se kisha bërë zgjedhjen e duhur. Jetonim në një shtëpi me prindërit dhe ata, nga hatri im, nuk silleshin keq me Lilën, por unë e dija se nuk e pëlqenin fare. Nusja ime me sjelljen e saj më bëri shumë për vete. Ajo nuk ishte më vajza e ftohtë që kisha njohur dikur, por një vajzë shumë e dashur, kokulur, e bindur dhe u falte njerëzve të familjes një mal me respekt dhe dashuri. Të gjitha këto cilësi, kishin bërë që tek unë të lindte një ndjenjë e bukur. E përkëdhelja, e ledhatoja, e shtrëngoja në kraharorin tim dhe i thërrisja “mace”, sepse ishte e imët si një mace e vogël. Kishin kaluar tre vjet nga martesa jonë kur ne u bëmë me një vajzë. Të gjithë u gëzuan, por dashuria e njerëzve të mi për Lilën vazhdonte të ishte e njëjtë. Por, që njerëzit e mi ta kuptonin se nuk është bukuria ajo që vlerësohet te njeriu, por shpirti, Zoti i vendosi prindërit e mi përballë një prove të fortë.

Xhaxhai im martonte djalin dhe babi shkoi me mamin në dasmë. Unë nuk shkova sepse nuk doja ta lija vetëm nusen dhe vajzën e sapolindur. Në kthim, prindërit e mi pësuan një aksident rrugor dhe ishin në gjendje shumë të rëndë për jetën. Nuk dua t’ju tregoj më shumë për atë gjendje që përjetuam atëherë, por dua t’ju them se nusja ime, që ata nuk e donin në fillim, u shërbeu sikur t’i kishte prindërit e vet. Edhe pse ishte një nënë që sapo kishte lindur fëmijën e saj, ajo prapë nuk u përtua asnjëherë duke u shërbyer prindërve të mi, të cilët zunë shtratin për dy-tre muaj. Vetëm atëherë ata e kuptuan se te njeriu nuk është gjithçka paraqitja, por normat dhe vlerat morale që ai mbart. Tashmë, jo vetëm prindërit e mi, por i gjithë fisi e mbajnë Lilën në gojë si nusja më e mirë që ka ardhur ndonjëherë në fisin tonë. Me bujarinë e zemërgjerësinë e saj ajo u tregoi njerëzve se kush ishte në të vërtetë. Shpeshherë, miqtë, shokët e mi apo dhe kushërinjtë, më thonë: “Ti Lilën e ke marrë vetëm për në shtëpi dhe jashtë do kesh ndonjë tjetër”, por kam Zotin dëshmitar se nuses sime nuk do t’ia bëja kurrë një gjë të tillë. Ajo shëroi plagët e mia dhe të prindërve të mi nga ai aksident i tmerrshëm që na ndodhi në familje.

Të gjithë ju që mendoni se nusen e kam vetëm për në shtëpi, gaboheni. Unë atë e dua dhe kurrë nuk do ta lëndoja, madje gjithnjë e më shumë po mundohem që në çdo mënyrë t’i tregoj se është e vetmja femër në jetën time dhe e tillë do të mbetet deri në fund të jetës. Me lindjen e vajzës, Lila ka ndryshuar edhe në paraqitje, është shëndoshur e është zbukuruar dhe të gjithë habiten se si ajo është bërë aq e mirë. Tashmë të gjithë në fisin tonë na shohin si çiftin më të mirë dhe të kompletuar nga të gjitha anët.

Ky ishte një mesazh që doja t’ua transmetoja të gjithë djemve dhe vajzave që familjen e tyre e ndërtojnë në bazë të interesit. Lumturia arrihet atëherë kur gjen njeriun e sinqertë dhe jeta bëhet më e bukur kur nuk ka hipokrizi në lidhje. Njerëz të tillë si nusja ime, është e vështirë të gjenden në ditët e sotme. Mua ma solli Zoti dhe asnjëherë nuk do ta lë të më ikë nga duart. Ju uroj edhe juve që do të lexoni historinë time, që Zoti t’ju gëzojë me njeriun e duhur, që lumturia juaj të jetë e kompletuar. Prindërit e mi sot betohen për nusen time. Ata e duan atë sikur të ishte vajza e tyre, madje i kanë kërkuar edhe ndjesë për fjalët jo të mira që kishin thënë në fillim për të. Tashmë ata e kuptojnë se Zoti më bekoi mua dhe familjen time duke më kompletuar me një nuse si Lila dhe me vajzën që ne të gjithë e adhurojmë. Familja është gjëja më e shtrenjtë dhe uroj që të gjithë ju, të keni të njëjtin fat si unë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (3) View Comments (3)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Zoti ambasador, mos e lejoni vetveten te beheni instrument i politikes se korruptuar e kriminale shqiptare! Nga Jakup Gjoça

Next Post

Risitë e Vipave në seks

Advertisement