E nderuar redaksi! Po detyrohem ta ndaj brengën time me ju, sepse gjithkush që e dëgjon habitet dhe të gjithëve u duket si sajesë. Në fakt, kjo është jeta ime martesore fatkeqe.
Jam nga Shqipëria e Mesme, jetoj në Tiranë qysh prej shkollës së mesme. Kam ardhur në Tiranë kur unë isha në vitin e parë të shkollës së mesme. Kam mbaruar shkollën e Gjuhëve të Huaja dhe më pas fakultetin po për Gjuhë të Huaja, në degën Përkthime. E theksoj, Përkthime, jo Mësuesi, sepse mesatarja ma lejoi të kaloj një shkallë më lart në fakultet. Për familjen time ka qenë sakrificë e madhe shkolla ime sepse ne ishim shumë fëmijë.
Unë kam mësuar qysh nga klasa e parë dhe kam shkëlqyer gjithmonë në shkollë. Dy vëllezërit dhe motra që ishin para meje s’e kanë patur me qejf fare, ndërsa vëllai i vogël ishte i llastuari i prindërve. Edhe në fëmijët e kemi llastuar sepse kishim shumë diferencë në moshë.
Prindërit e mi kanë qenë njerëz shumë të urtë. Mund të them që i kanë “shkelur me këmbë” të gjithë xhajat edhe hallat sepse ata ashtu janë. Mirësjellja e tyre duket gjithmonë si përkulje. Dhe nga kjo “përkulje” e tyre kemi vuajtur edhe ne fëmijët, jo se prindërit na kanë keqtrajtuar apo rrahur. Unë s’mbaj mend as të na bërtasin ndonjëherë, por i kemi patur gjithmonë në qafë fëmijët e xhajave që i kishim komshinj dhe fëmijët e hallave, kur vinin te gjyshja. Një herë mbaj mend që gjyshja më ka dhënë ca shuplaka të mira se i mora cinglat e mia (dy shkopinj të hollë) djalit të hallës. Ai ishte më i vogël se unë e nuk këpuste dot degë që t’i bënte kështu që më mori të miat. Kur unë ia mora, ai qau e gjyshja më rrahu mua. Sërish prindërit e mi nuk thanë asnjë fjalë me nerva apo të ngrinin zërin.
Pastaj, aq shumë sa lodheshin ata në punë në fermë, s’kishin fuqi të flisnin më. Mamaja ime pas punës rraskapitëse në fermë vinte e përpiqej të punonte edhe në bahçe, për të siguruar ndonjë zarzavat apo perime. Ishim shtatë gojë për t’u ushqyer. Babi punonte bashkë me të, por mamaja edhe duhej të gatuante e të lante rrobat me dorë, se lavatriçes nuk i dinim as emrin. Kështu na rritën mes 1001 halleve prindërit tanë. Dy vëllëzërit, pasi mbaruan shkollën e mesme bujqësore, filluan punë në fermë. Vëllai i dytë arriti të vazhdonte kursin e shoferave e atëherë ishte gjë e madhe të ishe shofer. Kursi i tij zgjati dy vite dhe ai u bë shoferi i drejtorit të fermës. Ndërsa vëllait të madh, qysh kur ishte fëmijë, i kishin pëlqyer veglat e makinave e sapo vëllai im u bë shoferi i drejtorit, ai e rregulloi vëllain nga puna në ara, në ofiçinën e fermës. Kështu dy të mëdhenjtë u rregulluan goxha mirë. Edhe pasi mbaruan secili dy vitet e ushtrisë, u kthyen në punët që kishin qenë para se të iknin. Ndërkohë, motra ime e madhe mbaroi shkollën e mesme dhe prindërit e fejuan me të parin djalë që u prezantoi daja. Burri i motrës ishtë djalë i mirë dhe na hyri në zemër menjëherë. U bë si djali i shtëpisë, edhe me vëllezërit e mi ia kalonte shumë mirë. Mbaj mend se në shtëpinë tonë bëhej si festë çdo të shtunë që vinte ai në shtëpi. Motra u martua pas një viti dhe më pas u fejuan të dy vëllezërit e u martuan, ndërsa unë u rrita e kërkova bursë për shkollën e mesme ose Mercologji në Vlorë ose Gjuhët e Huaja në Tiranë (këto ishin dy fiksimet e mia). Bursa që më dha këshilli i frontit ishin Gjuhët e Huaja në Tiranë, dega ime e preferuar!
Isha shumë e vogët për t’u larguar nga shtëpia e për prindërit e mi, me mentalitetin e dy njerëzve që kishin jetuar gjithmonë në fshtat, ishte fundi i botës. Aq shumë më porosiste mamaja ime që të mos dilja, të mos zija shumë shoqe, “pale të zësh shokë, turpi i botës, veç në daç të na shtiesh të gjallë në dhé mua e babanë tënd! Mblidh mend e mëso”, më thoshte gjithmonë te porta e jashtme kur më përcillte, ndërsa vëllai qeshte me këshillat e mamasë.
– E latë të shkojë e të rrijë në Tiranë, të bëjë ç’të dojë, – i thosh ai e qeshte.
– Ua, m’u çmend djali, ç’thua?! Si të bëjë ç’të dojë, do kthehet në shtëpi, apo jo? – E ndërkohë e kapte shakanë e vëllait sepse ai na rrokte e na përqafonte të dyjave.
– Nuk do të na turpërojë moj mama se kjo është motra ime, – thosh ai e mamaja ime më lëshonte dorën e ne niseshim për rrugë.
Kështu mbaruan katër vitet e shkollës së mesme dhe me mesataren 9.8, nxënësja e shkëlqyer e shkollës. Fatmirësisht, në fshat më dhanë edhe bursën e shkollës së lartë për Gjuhë të Huaja. Të gjithë u habitëm sepse në këtë degë, në monizëm, shkonin vetëm fëmijët e komunistëve, por me siguri mua më ndihmoi mesatarja dhe fakti që gjithë fshati i shihte prindërit e mi si gjynahqarë.
Ndërsa fillova shkollën e lartë, e kisha kapërcyer goxha atë ndrojtjen e vajzës së vogël nga fshati. Isha rritur e isha bërë goxha bukuroshe. Por, sërish, përparësia ime ishte shkolla, më duhej të justifikoja plotësisht sakrificën e prindërve e të vëllezërve që megjithëse ishin martuar e kishin grua e fëmijë në shtëpi, nuk harronin asnjëherë të më jepin çdo muaj edhe mua “racionin tim”.
Kur isha në vitin e dytë në fakultet, mes shokëve e shoqeve që kisha njohur në Tiranë, ishte edhe një djalë nga Durrësi, Ardi, që ishte në vitin e katërt për Inxhinieri Mekanike. E njihja prej një viti, por ai nuk m’u afrua qysh në fillim. Mbaj mend që kur e kam takuar për herë të parë, ai ishte me një vajzë që ishte në të njëjtin konvikt me mua dhe mendova se e kishte të dashur. Në fakt, kjo ishte taktika e tij për të më njohur. Pyeste për mua vajza të ndryshme nëpërmjet shokëve të tij dhe më takonte gjoja rastësisht për një vit të tërë. Në një ditëlindje të shoqes sime nuk e mora vesh se si, por ishte i ftuar edhe ai. Qysh në fillim të festës ai erdhi e u ul pranë meje. Filluam të flisnim, sepse ne ishim përshëndetur disa herë. Atë natë kërcyem vetëm bashkë dhe pasi mbaroi festa, ai më përcolli deri poshtë konviktit. Të nesërmen, sapo e pashë pas mësimit, ai qeshi dhe m’u afrua.
– Dje ishim në festë. Po sot, mund ta bëjmë rrugën bashkë? – dhe më zgjati dorën për t’u takuar.
– Sigurisht që mund ta bëjmë rrugën bashkë, – më erdhi përgjigjja pa e menduar.
Jo vetëm bëmë rrugën, por u ulëm në një nga stolat në Qytetin Studenti dhe biseduam kështu në përgjithësi për rreth dy orë. Pas asaj dite, Ardi vinte çdo ditë e më takonte. Lidhja jonë po merrte formë dhe ai vetëm pas pesë muajsh takimesh të vazhdueshme më propozoi.
– Mund të ta kisha thënë edhe më parë atë që dua të të them, por ne të shkencave ekzakte duam të jemi të sigurt, – më tha. – Dëshiron të bëhesh shoqja ime e krahut? Je dakord të më njohësh edhe pak e pastaj të vendosësh nëse do të martohesh me mua? – tha dhe mori frymë thellë. – O Zot, e thashë të qartë pyetjen time apo s’kuptove gjë? – dhe ndërkohë më përqafoi. – Ti më pëlqen shumë, je vajza që kam ëndërruar gjithmonë që të kem në krah, – ndërkohë më largoi në gjatësinë e krahut për të parë fytyrën time. Unë u bëra si spec i kuq, e nuk arrita të thoja asgjë. – Të lutem mos më thuaj që nuk ndjen asgjë për mua? Pse nuk flet? – dhe po më shihte në dritë të syrit.
Mua aq turp po më vinte sa m’u mbushën sytë me lot. Arrita të mbledh veten dhe i thashë: – Nuk isha përgatitur ta dëgjoja sot gjithë këtë nga ti. Ti më pëlqen, por nuk e kam menduar aq thellë se deri ku do të arrijmë.
– E rëndësishme është që të pëlqej, se më ngrive gjakun, – tha dhe ndërsa më përqafoi, më puthi në faqe. – Në rregull, ti mendoje thellë, ashtu siç do ti, po rrugën do ta bësh prapë me mua jo me tjetërkënd. Hajde ikim tani se do bëhemi vonë e nuk dua të të përcjell natën kur s’ka lëvizje. Nuk dua të dëgjoj askënd të flasë për ty.
E kështu ne u lidhëm. Kur mbaroi shkolla e mbaruam edhe sezonin e provimeve, Ardi më tha që u kishte treguar prindërve të tij për mua dhe ata do të vinin të më kërkonin dorën në shtëpi. Ne kishim një vit e gjysëm që e njihnim njëri-tjetrin dhe mendoja se ishim gati për ta hedhur këtë hap. Kështu u bë. Prindërit e tij erdhën në shtëpinë time dhe ne atë verë shpallëm fejesën. Pushimet atë vit unë i bëra për herë të parë në det, në Durrës, me të fejuarin tim.
Kur erdha në shkollë në vitin e tretë, isha e fejuar dhe i fejuari im ishte në vitin e pestë. Atë vit e kaluam bashkë dhe unë sigurisht e ruajta sërish standardin e notave. Vitin tjetër, Ardi filloi punë në portin e Durrësit dhe unë vazhdova vitin e fundit të fakultetit. Sapo mbaroi shkolla dhe u diplomova, ne u martuam. Shtëpia e Ardit ishte e bukur, por e vogël për të jetuar dy çifte, se ishin edhe prindërit, motra e vëllai i tij. Qysh në ditët e para të martesës më dukej sikur kunata ime shtrembëronte buzët sapo ktheja shpinën. Pas një muaji martese, ndërhyri daja i Ardit dhe unë fillova punë në Tiranë. Bashkë me mua, sigurisht, edhe Ardi. Në atë kohë, motra e tij fitoi shkollën e lartë dhe ajo erdhi të banonte te ne. Në fillim vrulli i punës, lumturia që kisha Ardin pranë për ta pyetur për çdo gjë, më bënte ta kaloja çdo situatë apo fjalë të kunatës time. Pasi mbaroi vitin e parë të fakultetit, ajo iku në shtëpi me pushime e ne të dy mbetëm vetëm. Ishin ditë që do t’i krahasoj vetëm me muajin e mjaltit, aq shumë e ndiem të dy njëri-tjetrin të afërt, një çift të bërë njësh. Në këtë kohë mbeta edhe shtatzënë. Shtatzania më zuri me të vjella e me tension të ulët. Javët e para më ndihmonte im shoq për punët e shtëpisë e pazaret. Kur erdhi shtatori e kunata ime do fillonte shkollën, do t’i bënte ajo, por ajo ndërsa bënte punët, gjithmonë ankohej, acarohej dhe i fliste gjithë kohën në vesh Ardit, por unë përpiqesha të ruaja qetësinë. “Nuset e vëllezërve të mi s’kanë thënë gjë edhe pse vëllezërit më kanë mbajtur me lekë sa isha në fakultet e unë të hap gojë”, mendoja ndërkohë që gjërat sa vinin e acaroheshin. Ishte edhe viti i ndryshimeve, ndërrimi i sistemit, radhat e tmerrshme, frika për çfarë ndodhte rreth e përqark, dëshira e pafund e të gjithëve për të ikur, por me mua shtatzënë, Ardi nuk bënte dot asgjë. Pastaj ne të dy ishim në punë shumë të mira. Erdhi koha e unë linda vajzë. Shëndeti i vajzës ishte më i mbarë se shtatzania ime, falë Zotit. Ajo po rritej e Ardi sa vinte e linte kokën për vajzën. Sa herë që puthte vajzën, kthehej nga unë e në sy të së motrës më thosh:
– Të puth mamin e bukur që më bëri burrin më të lumtur në botë, – e puthjet e tij ishin balsami për plagët që më shkaktonte kunata.
Tashmë kisha filluar t’i bëja vetë të gjitha punët, edhe sepse isha me raportën e lindjes në shtëpi. Duke qenë me raport sigurisht që edhe lekët ishin më të pakta dhe i numëronim mirë e mirë çdo qindarkë. Një herë, Ardi më tha që i mungonin 2000 lekë dhe më pyeti mos i kisha gjetur gjëkundi nëpër shtëpi ndërsa shkundja e laja.
– Sigurisht që s’i kam gjetur, – i thashë. – Po t’i kisha gjetur do të t’i kisha dhënë, ose do të të thoja. – Dhe i thashë se ndoshta ia kishin vjedhur ndërsa shtyhej nëpër radha, ose i kishin rënë pa dashje.
– Na paçin marrë të keqen e shtëpisë, – i thashë në fund. – Mos e merr me kaq inat. Ai bëri sikur u qetësua, por kur s’kishte ç’bënte, e la e s’foli më për to.
Pas dy javësh i njëjti avaz. Këtë herë i mungonin 2500 lekë. E motra rrinte si shenjtan në minder, ndërsa ai më shumë më akuzoi sesa më pyeti.
– Ardi, ç’është kjo pyetje? Nëse gjej lekë në shtëpi unë do të pyes se kujt i kanë rënë! Si mund t’i mbakam ashtu kur e di që ne me ato lekë do hamë bukë?!
Ai ktheu shpinën dhe nuk foli, por më solli pallton time dhe xhaketën time të kostumit.
– Atëherë, a mund të kontrollosh në xhepat e rrobave të tua, – më tha ndërsa i vura re dridhjen e duarve.
– Të betohem që nuk kam prekur gjë me dorë, jam e sigurt që nuk mund t’i vjedh asgjë askujt e jo më shtëpinë time! – i thashë ndërsa lotët m’u mblodhën në fyt.
– Epo atëherë duhet të më thuash si përfunduan këto në xhepat e tu, – tha dhe nga zëri e kuptova që ai ishte i bindur. Bëmë një goxha sherr që zgjati disa javë dhe në fund më tha që do të më kërkonte divorcin.
– Nuk mund të jetoj me dikë që përpiqet të më vjedhë, – më tha. U shokova dhe për momentin nuk arrita të flisja. Pas një ore, pasi e pushova disi të qarën, i thashë:
– Të lutem a s’më thua, kush i kontrolloi xhepat e mi, kush u kujtua dhe pse shkoi direkt aty? Pastaj unë do të të them të vërtetën, – thashë dhe ula sytë si fajtore.
– Epo, ime motër më tha të kontrolloja pallton, xhaketën dhe e vërtetova që aty ishin… – tha dhe fjala iu pre në grykë.
– Po atëherë, ajo nga e dinte se ishin në pallton e në xhaketën time? – i thashë.
– Lëre dreqin, se nuk di kujt t’i besojë robi, ka mundësi të ta bëjë motra këtë? – bërtiti ai dhe u nxi në fytyrë nga nervat. Kur e motra erdhi në shtëpi dhe ai e pyeti, ajo mbeti, se me sa duket nuk i kishte bërë mirë llogaritë. Ndërsa ai e shtrëngoi të tregonte të vërtetën, ajo pohoi se edhe disa lekë të tjera i kishte marrë e prishur me shoqe. Nga ajo ditë, motra e tij shkoi në konvikt, por unë rri me frikë në shtëpinë time se më duket sikur nga momenti në moment, im shoq do të më akuzojë që po e vjedh.
E.