Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Si të ruani dëshirën nga mosha 30-55 vjeç?

Deri në moshën 30 vjeçare të rinjtë bëjnë shpesh dashuri dhe mendojnë se ky oreks i paparë do të vazhdojë gjithmonë. Më pas bëhen me fëmijë dhe jeta seksuale fillon të bjerë, duke i ngjarë gjithnjë e më shumë Turit të Francës: Me qafa malesh për t’u ngjitur dhe me pjerrësira…

 

Dëshira spontane zgjat 12-18 muaj

Advertisement

Nuk po ju themi ndonjë gjë të re. Kjo është epoka e performancave seksuale, me orgazmat e njëpasnjëshme e me seks deri në mëngjes. Revistat dhe sondazhet e ndryshme janë të mbushura me pyetësorë që kanë tendencë të provojnë se është normale të bësh dashuri çdo ditë, pavarësisht gjendjes shoqërore, moshës dhe problemeve. Sikur kriza, puna (kur ekziston), fëmijët dhe punët e përditshme të mos ndikonin aspak në libidon tonë! As mosha, ndryshimi hormonal dhe rutina. Këto anketa janë me të vërtetë mahnitëse: Mjafton të futesh në internet për të hasur përfundimet e disa pseudostudiuesve që nuk kanë asgjë për të bërë, veçse të shohin se ç’bëjnë të tjerët në shtrat. Meqë dihet se këto gjëra nuk kanë dëshmitarë, atëherë anketat e tyre mbështeten vetëm te deklaratat e të anketuarve. Ju njihni shumë njerëz që do të pranonin se: “Kemi 10 vjet së bashkë, por nganjëherë preferoj të shoh një film romantik, sesa të rishikoj Kama Sutrën?”. Është për të ardhur keq, sepse kjo është ajo që mendojnë të gjithë, përfshirë edhe mua. Por, kjo nuk thuhet, nuk është “seksualisht korrekte”.

Një tjetër anketë shumë serioze flet për lidhjen mes kërkimit të lumturisë dhe seksit. Sipas një ankete të Universitetit të Kolorados, ajo që e bën vërtet të lumtur një çift është të dijë se bën më shpesh dashuri sesa fqinjët. Eh, sikur të gjithë të deklaronin të vërtetën në këtë drejtim! Sipas të njëjtit burim, mësojmë se dita ideale e të anketuarve përfshinte 106 minuta seks, 36 minuta punë, 48 minuta para kompjuterit, 82 minuta me shoqërinë, 75 minuta duke ngrënë, 47 minuta me punë shtëpie dhe 46 minuta çlodhje… 106 minuta të bëjnë të ëndërrosh… ose jo. Para disa vitesh, një shkrimtar francez kishte shkruar librin “Dashuria zgjat 3 vjet”. Ai mendon kështu, sepse seksologët mendojnë se dëshira “spontane” zgjat 12-18 muaj.

Po më pas? Në 30 vitet e fundit, sipas një sondazhi, njerëzit i kanë shtuar dy partnerë dhe 10 vjet më shumë jetës së tyre seksuale. Sot, 90% e grave mbi 50 vjeç, që jetojnë në çift, pohojnë se kanë një jetë seksuale, ndërkohë që para 38 vjetësh, përqindja e tyre ishte vetëm 53%. Për shkak të gjithë këtij presioni, është e vështirë t’u shpjegosh më të rinjve se një jetë seksuale e kënaqshme kërkon punë e përpjekje dhe nuk është e nënkuptuar. Sipas të njëjtës anketë, 50-70 vjeçarët që bëjnë dashuri, rrojnë më shumë, kanë shëndet më të mirë dhe janë më të lumtur. Për këtë arsye, të gjithë duan të zhvillojnë këtë “aktivitet” që të zgjat jetën dhe që nuk kushton gjë.

Me pak fjalë, ja si zhvillohet jeta seksuale e femrave: Nga mosha 20-30 vjeç mësojmë, 30-40 vjeç përfitojmë, 40-50 vjeç qetësohemi pak, por jeta seksuale vazhdon edhe pas të 50-tave. Duke ditur që një grua evropiane sot e ka marrëdhënien e parë seksuale nga mosha 17 vjeç dhe e lind fëmijën e parë në moshën 28 vjeçare (kundrejt 24.2 vjeçe në vitin 1967), kjo të lë 10 vite për të mësuar. Së pari, si të arrish një orgazmë vetëm dhe pastaj në çift, ku fillon të njohësh trupin e tjetrit. Seksologët janë të prerë: Një grua e arrin kulmin e saj seksual nga mosha 30 vjeçare. Pikërisht në momentin kur ndjehesh në kulmin tënd, duhet të bësh një fëmijë!

 

30 vjeçe: Seks, punë dhe depresion pas lindjes

Që të dy partnerët janë rregulluar, punojnë shumë, por nuk i kërkojnë asgjë askujt. Janë të aftë të sigurojnë jetën e tyre, kanë blerë apartamentin e parë, dalin, zbaviten, shkojnë për fundjava dhe bëjnë dashuri çdo ditë. Është epoka e bekuar kur i thua vetes se “jeni bërë për njëri-tjetrin”. Shumë më vonë do të kuptojmë se jeni tre: Ti, ai dhe çifti që keni formuar. Pastaj vendosni të bëni një fëmijë. Përmbysja e parë hormonale, epshi që ulet e ngrihet. Disa gra mendojnë vetëm për seksin, kurse të tjera refuzojnë çdo kontakt me partnerin, të frikësuara nga ideja se seksi mund të dëmtojë beben. Pastaj bebja lind. Marrin fund fundjavat me shoqërinë, daljet mbrëmjeve, seksi në mëngjes dhe darkë, fillojnë biberonat, netët zgjuar duke u përpjekur të vësh në gjumë fëmijën, vrapi për ta çuar në çerdhe e më pas në kopësht, pa llogaritur punën, mbledhjet pas pune që dikur nuk ju bënin edhe aq përshtypje dhe që tani je e detyruar t’i lësh përgjysmë se të ikën bebisiteri. Kështu, në darkë je e lodhur dhe nuk ke fuqi për asgjë. E ke mendjen se mos zgjohet bebja, bile edhe kur nuk zgjohet, shkon ta shohësh nëse merr frymë apo jo. Pas pak, kjo përsëritet edhe me fëmijën e dytë…

 

35 vjeç: Partnerë apo prindër?

Sigurisht, jeni më të organizuar, por të mbushur me punë. Është mosha kur do të kesh sukses në gjithçka: Në punë, në jetën familjare, shoqërore dhe, sigurisht, në çift. Me dy fëmijë nuk bëhet fjalë të rrish në shtrat në dielën në mëngjes. Do të nxjerrësh fëmijët për një shëtitje, ose për të luajtur, burri rifillon sportin që kishte lënë, por me shokët. Sigurisht, ty të bien përsipër edhe punët e shtëpisë, sepse janë të rralla çiftet që i ndajnë ato në mënyrë të barabartë. Kështu, gratë bëjnë grevë në shtrat dhe fillojnë justifikimet e para: “Do të na dëgjojnë fëmijët”. Megjithatë, arrijmë të mbajmë ritmin. “E pranoj se nganjëherë, duke bërë seks, mendoja për diçka tjetër”, thotë një grua. “Kjo shkonte që nga lista e pazarit e deri te burra të tjerë, situata të tjera, pozicione të tjera, për t’u stimuluar”. Për momentin, nuk e dimë mirë ç’jemi, prindër apo partnerë.

 

40-50 vjeç: Një pauzë e vogël

Në këtë moshë, sipas një ankete, një-dy vetë eksperimenton një mungesë dëshire në çift. 45% thonë se shkaktare është lodhja, 35% fëmijët, 33% stresi dhe 28%, migrena… Kur takohemi në darkë, biseda sillet më shumë rreth asaj që do të hamë (variant tjetër: çfarë ka televizori sonte?), sesa rreth një pozicioni të ri që mund të provojmë. Hormonet shkojnë e vijnë. Gratë ndjejnë mbërritjen e menopauzës, kilogramët që zënë vend dhe nuk largohen. Edhe burrat shtojnë në peshë. Fëmijët largohen për të filluar universitetin. Nëse nuk bëjmë asnjë përpjekje, situata mund të përfundojë keq. “Nuk kisha më asnjë dëshirë për tim shoq, as për ndonjë burrë tjetër”, pohon një grua që është divorcuar në moshën 49 vjeçare, pas 22 vitesh martesë. “Fëmijët tanë kishin ikur nëpër shkolla, jetonin më vete dhe ne mbetëm vetëm si dy pleq. Im shoq në fillim më luste të dilnim bashkë, por unë preferoja të dilja vetëm. Më në fund, ai filloi të dilte vetëm…”. Një grua tjetër flet ndryshe: “Është e vërtetë që në moshën 50 vjeçare vihet re një periudhë pauze në seks. E diskutuam këtë me burrin, i thamë njëri-tjetrit se ishte diçka fiziologjike. Kjo e forcoi lidhjen mes nesh. Vendosëm të gjenim një mënyrë tjetër për të bërë dashuri, më pak klasike. Sigurisht, testuam lodrat seksuale, por nuk na pëlqyen. Kështu, filluam ta preknim e ta përkëdhelnim më shumë njëri-tjetrin. Kur fëmijët u larguan nga shtëpia, filluam të dilnim të dy, si më parë. Nuk e lamë veten, me shpresën se dëshira do të rivinte dhe ajo erdhi përsëri!”, përfundon ajo.

Seksologët pohojnë: “Seksualiteti nuk është një nevojë, si të hash apo të pish, është më shumë si një sport. Sa më pak bën, aq më pak nevojë ke për të. Truri është si një uzinë, me neurone që punojnë gjithë kohës. Nëse nuk u japim punë, ato do kërkojnë punë gjetkë. Duhet punë për të mbajtur gjallë dëshirën. Duhet të mësosh të “shohësh” tjetrin dhe jo vetëm këmishët e tij të pista. Duhet mësuar të rimendosh për çiftin. Duhet hequr televizori nga dhoma e gjumit, të lësh takim për të bërë seks, si takim te doktori, ose në palestër”. E lehtë ta thuash… Unë do të doja të dëgjoja dëshmitë e grave të seksologëve. Kur ata kthehen në darkë nga puna, pasi kanë dëgjuar çrregullimet e ereksionit të pacientëve të tyre, apo vaginitetin e femrave, ata bëjnë seks me gratë, sepse e kanë shkruar në axhendë? Seksi nuk është me recetë mjekësore!

 

55 vjeç: Rilindja

Nëse çifti ka duruar deri këtu, atëherë gjithçka shkon mirë. Specialistët thonë se pas moshës 55 vjeçare, gratë rigjejnë një seksualitet të kënaqshëm, sidomos nëse partneri i tyre është i mirë, i kujdesshëm, i vëmendshëm, bile nganjëherë ato pohojnë se përdorin fantazitë për t’u stimuluar. Për 66% të grave mbi 55 vjeç, seksi është i rëndësishëm. Ato nuk kanë më ç‘të provojnë, si në jetën familjare, shoqërore, apo profesionale. Pavarësisht se janë prej kohësh në çift apo jo, kanë mbaruar kërkimet e performancave, krahasimeve, normave, etj. Zgjerohet nocioni i kënaqësisë dhe sensualitetit dhe orgazma nuk është më e detyrueshme. Burri ndjehet më i lirshëm; edhe nëse i ndodh ndonjë problem i përkohshëm, e di që gruaja nuk do ta marrë për keq. Ti mëson të vlerësosh gjithçka të bukur, kohën e kaluar në çift, të qeshurën me të madhe, lëkurën e tij ngjitur me tënden, mëngjesin e së dielës, që ai ta sjell në shtrat. Një gjest i prapë që nuk e prisje dhe, gjithçka rifillon! Nuk është e bukur jeta?

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Nuk ndaloj dot së ngrëni

Next Post

Kristina Marku: Unë besoj te mrekullitë!

Advertisement