Një ekip i BBC-së është përpjekur të analizojë fenomenin e onihofagjisë, ose ngrënies së thonjve, për të cilën, në disa raste ekstreme, kërkohet ndihma e psikologut që të gjejë shkakun dhe zgjidhjen e problemit.
Mendimi i specialistëve
Frojdi e bashkangjit fenomenin e ngrënies së thonjve me çrregullime në stadin e fëmijërisë së hershme, si tregues i një lidhjeje problematike me nënën, në ushqimin me gji që është bërë, ose nuk është bërë. Sipas teorive të tij, kjo gjë shoqërohet me simptoma të tjera, siç është sjellja sarkastike, pirja e duhanit, alkoolizmi dhe prirja për seksin oral. Një shpjegim tjetër i fenomenit është se ngrënia e thonjve është rezultat i agresivitetit të një karakteri të mbyllur në vetvete, ose mënyrë për të shkarkuar një stres të fuqishëm.
Teoritë e mësipërme përpiqen t’i japin shpjegim këtij problemi, por nuk ofrojnë zgjidhje të tij, përveçse një terapie të gjatë te psikoanalisti, që nuk sjell gjithmonë rezultatet e pritura, sepse arsyet janë të shumta dhe njerëzit, të ndryshëm. Ndërkohë, edhe ata që e kanë këtë zakon të keq në jetën e përditshme, kanë mendimin e tyre, i cili, mund të mos jetë shkencor si ai i specialistëve, por përfaqëson zërin e eksperiencës.
Mendimi i “viktimave”
Duke pasur parasysh se shumë njerëz që hanë thonjtë, nuk e bëjnë vetëm kur janë të stresuar, por edhe kur janë të qetë, e përjashton mundësinë që stresi është shkaktar i vetëm. Mbase stresi ka qenë shkaktar në fillim, por, për shumë vetë, ky zakon mbetet thjesht sepse… është i lehtë për t’u praktikuar. Ai lind në periudha stresi dhe, meqë është e lehtë që dikush t’i çojë duart në gojë, duke kërkuar qetësinë me çdo mënyrë, mund të bëhet automatikisht një rutinë e përditshme, duke çuar në problemin e onihofagjisë.
Cili është realiteti?
Ngrënia e thonjve konsiderohet si një zakon klasik që lind në periudha ankthi, por që vazhdon edhe kur rri kot, ose kur mërzitesh. Është një zakon me karakter nervor që shpesh vjen (sidomos te fëmijët) nga imitimi i pjesëtarëve të tjerë të familjes që e praktikojnë dhe, në shumicën e rasteve, bëhet në mënyrë të pandërgjegjshme. Ka disa që, përveç thonjve, hanë edhe lëkurëzat. Shumica e njerëzve e fillojnë këtë zakon në adoleshencë, ndërkohë që një pjesë e mirë e lënë rreth të 30-tave. Janë më të shumtë djemtë që e praktikojnë atë pas moshës 10 vjeçare dhe nuk është e rrallë që ajo të shoqërohet edhe me fenomene të tjera, si tërheqja e flokëve.
Si përballohet?
Ekzistojnë dy mënyra për trajtimin e këtij problemi. E para është përpjekja për ndryshimin e sjelljes dhe e dyta, duke vënë pengesa mes gishtave dhe duarve. Një mënyrë është edhe mbajtja e thonjve në gjendje të mirë, ose të bëni shpesh manikyr, që më pas të hezitoni “të prishni” bukurinë. Gjithashtu, mund të përdorni thonj fallco, sepse ata mbrojnë thonjtë natyralë nga kafshimi, duke u dhënë thonjve mundësi të rriten në mënyrë të natyrshme. Mund të vini doreza, ngjitëse shumëngjyrëshe, ose të vini një kyçin e dorës një llastik, të cilin ta shtrëngoni sa herë që përpiqeni të hani thonjtë. Bile, mund të mbani një ditar ku të shkruani sa shpesh i hani thonjtë gjatë ditës. Për ta trajtuar problemin më në rrënjë, mund të provoni teknika për kontrollin e ankthit, ose të gjeni një mënyrë tjetër për të kaluar kohën, si vizatimi, kërcimi, ose të luani me një top antistres. Nëse edhe fëmija juaj zhvillon një zakon të tillë, ndihmojeni të kuptojë se çfarë është ajo që e streson dhe gjeni së bashku një mënyrë përballimi që të jetë interesante dhe ai të kthehet drejt saj sa herë që ndjen tundimin të hajë thonjtë.