– Jam një vajzë 20 vjeçe që sapo jam fejuar dhe kam filluar marrëdhëniet me të fejuarin tim. E kam problem sepse ai nuk bën marrëdhënie me prezervativ, ndërkohë që unë kam frikë mos ngelem shtatzënë. Doja të dija, cilat janë ditët më të rrezikshme kur mund të ngelësh shtatzënë? Problemi tjetër është se kam pak skuqje vaginale dhe kruarje. Mos vallë kam marrë infeksion pas zhvirgjërimit? Këto pyetje ia drejtoj doktor Evi Danit, duke e përshëndetur njëkohësisht. Faleminderit.
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog: – E nderuar 20 vjeçare faleminderit për përshëndetjet tuaja. Duke qenë se sapo keni filluar marrëdhëniet, është mirë të jeni e informuar si ju dhe i fejuari, pasi dukeni çift shumë i ri, nisur edhe nga mosha juaj. Kur një femër zhvirgjërohet, ka edhe shenja të tilla siç është skuqja dhe kruarjae, gjithmonë nëse bëhet fjalë për ditët pas zhvirgjërimit, por këto janë kalimtare. Nëse do të vazhdoni të keni këto shenja, ju sugjeroj të bëni një vizitë te gjinekologu dhe të merrni një mjekim pa u përkeqësuar akoma më shumë infeksioni. Përgjithësisht, këto janë shenja të një infeksioni mykotik, ndaj duke qenë se ju jeni fillestare në marrëdhënie, duhet të keni shumë kujdes si ju, ashtu edhe partneri, mundësisht të bëni marrëdhënie me mbrojtje dhe të keni një higjienë shumë të lartë intime.
– Ndërsa përsa i përket pyetjes suaj në lidhje me ditët kur duhet të ruheni që të mos ngelni shtatzënë, po ju tregoj si më poshtë: Çdo femër ka ciklin e saj menstrual, që në 70-80 për qind të rasteve është prej 28 ditësh. Ka edhe femra që kanë një cikël më të shkurtër apo më të gjatë 25 apo 30 ditësh. Quajmë cikël menstrual duke filluar nga dita e parë e gjakderdhjes deri në ditën e parë të menstruacionit pasaardhës. Kjo periudhë i korrespondon një ndryshimi në mënyrë të vazhdueshme të organit riprodhues që përsëritet çdo muaj deri në moshën 40 vjeç. Ndryshimi i organit riprodhues te femrat i korespondon shtimit në mënyrë graduale, ndryshimit të disa hormoneve, trashjes së murit të uterusit, sekretimit të përgatitjes së qafës së mitrës, përgatitjes së një veze dhe daljes së saj nga ovari për në tubat e fallopit, ku do të bëhet fekondimi. Dalja e vezës apo pjekja është momenti më i rëndësishëm ku femra mund të arrijë një shtatzani. Kjo gjë ndodh në çdo muaj në periudhën e ovulacionit që i korrespondon ditës së 13-14-të të ciklit menstrual, duke filluar nga dita e parë e ciklit. Dua të theksoj ditën e parë të ciklit për arsye se shumë femra në mosha të reja e lidhin periudhën e ovulacionit direkt pas përfundimit të menstruacioneve. Pra, për ta theksuar, mundësia më e madhe për të ngelur shtatzënë një femër është dita e 13-14-të e ciklit menstrual. Edhe dita e 10-të dhe dita e 15-16-të kanë një mundësi. Për ta përmbledhur, nga dita e 10-të e ciklit e deri ditën e 18-të, i rekomandohet çiftit që të bëjë akt seksual një herë në dy ditë. Kjo llogaritje sigurisht nuk vlen për ato që kanë ciklin 25 apo 30 ditësh të cilat mundësinë më të madhe e kanë respektivisht ditën e 10-11-të dhe të 15-16-të të ciklit. Një nga metodat për të mos ngelur shtatzënë është ajo tradicionalja, që mashkulli në këtë periudhë të bëjë tërheqjen, pra, të mos e derdhë spermën në vaginë. Kjo nuk është shumë e sigurt se në një moment të caktuar mund të mbeten në trupin e femrës sidomos porcionet e para të lëngut spermatik dhe të arrihet shtatzania e padëshiruar. Metoda të tjera janë përdorimi i prezervativit apo preparatet, siç është kontraceptivi.