Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Kam frikë nga shumë gjëra

– Jam një vajzë 21 vjeçe që vuaj nga ankthi. Nuk e di se kur ka filluar, por di të them që po rëndohem çdo ditë e më shumë. Mbase nuk është normale, por unë kam shumë frikë nga vetëtimat. Në momentet kur fillon të prishet koha, mua më shtohen rrahjet e zemrës, më trazohet stomaku, më humbin fuqitë, më djersiten duart dhe e përjetoj shumë keq. Dua të strukem në një dhomë të errët e të mos dëgjoj asgjë. Por kjo nuk është e vetmja frikë e imja. Para një viti, në zonën ku unë jetoj, ka rënë një tërmet shumë i fuqishëm. Ajo ishte hera e parë që unë ndjeva një tërmet, por nuk mbaroi aty. Çdo natë para se të fle, e kam të pamundur të mos mendoj për atë tërmet, sikur do të përsëritet. Edhe për gjërat më të vogla trembem dhe filloj të ndjej ankth. Kohët e fundit, gjendja vetëm po rëndohet, me zor më zë gjumi për shkak të këtyre mendimeve, por ka edhe raste kur më del gjumi natën dhe nuk e shmang dot mendimin për to. E di shumë mirë që janë dukuri natyrore dhe nuk mund të shmangen, por prapë nuk arrij ta qetësoj veten dhe të sillem normalisht, si gjithë të tjerët. Më duket sikur unë apo personat e mi të dashur do të vdesin nga kjo gjë. Shpeshherë, mendoj se po çmendem. Nuk arrij ta përballoj dot më këtë gjendje. Ju lutem, më ndihmoni.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – Vërtet frikërat, fobitë e ankthi nuk janë sëmundje, por ti vajzë po vuan prej tyre si të jesh e sëmurë e ndoshta ca më keq. Ty të është prishur cilësia e jetës dhe ndihesh e lodhur, e këputur, pa gjumë e pa humor, njëlloj sikur bota do të përmbyset mbi ty. Vërtet askush nuk ka vdekur nga frika, por siç thotë populli në kuptimin figurativ, “trimi vdes një herë, kurse frikacaku një mijë herë”. Për të qeshur e për të qarë… Megjithatë, mos u mërzit, pasi ankthi jo vetëm që nuk është sëmundje, por ai është 100 % i trajtueshëm, vetëm se ty të duhet një lloj “kursi” që e ka emrin terapi psikologjike ose psikoterapi, për ta njohur e menaxhuar atë. Edhe fobitë, janë vetëm si sjellje e mësuar në saje të ngacmuesve specifikë, pra, janë si një “gropë” që bie avash-avash e si pa e kuptuar, aq sa edhe vetë e kupton se frikërat janë absurde e gati qesharake, por po ashtu, në mënyrë qesharake e ndjen se nuk del dot nga “gropa”. Me sa kuptoj unë, ti vajzë vuan nga reagime që quhen “kurth paniku” ose marifet paniku, pra, “hile paniku. Siç e sheh, me pak fjalë, vërehet “mashtrimi” pra, trupi vihet në alarm kot në veprime nga një rrezik imagjinar duke vepruar sikur ato të ishin të vërteta, edhe kur nuk ka ndonjë rrezik real. Mbaj mend, kur ishim të vegjël, ne trembeshim tmerrësisht nga gjëmimet e bubullimat dhe m’u desh një shpjegim i babait për vetëtimën, që të mos trembesha më. Ai më tregoi se vetëtima bie diku larg, kushedi se ku, por shpejtësia e dritës është aq e madhe dhe këtu te ne na vjen shpejt. Kur neve na vjen zhurma, ajo s’ka asnjë rrezik, pasi ajo është thjesht një jehonë zëri. Filluam pastaj t’i shihnim me qejf vetëtimat dhe i prisnim krejt të qetë zhurmat, gjëmimet edhe pse të “tmerrshme”, gati shurdhuese. Ndër shpjegimet që më vlejtën ishte se vëtetimat bien mbi lartësitë, mbi rrufepritëset e mbi objektet e hekurit, ndaj ato neve na mbrojnë pasi vetë Krijuesi e ka menduar këtë, si i pagabueshëm për gjithçka. Dikush ka frikë magjitë, mirëpo një besimtar i vërtetë nuk i ka hiç frikë pasi ai me bindje të thotë se asgjë nuk ndodh, as edhe një gjethe peme nuk bie, pa e lejuar Zoti. Normalisht, çdo tërmet është i frikshëm, por ne nuk futemi te zonat e forta sizmike, se, ç’duhet të bënin vallë japonezët e “shkretë” të cilët janë mësuar që të lëkunden nga tërmetet më shumë sesa në kolovajza? Këto frikërat e tua, në gjuhën popullore quhen vesvese e ato janë trajtuar edhe në librat fetarë.

– Këtu kam një libër i cili tregon se kur ke frikë, Jezusi të thotë: “Mos kij frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb sepse jam unë që të mbroj, unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj, të mbaj në dorën e djathtë të mbrojtjes e drejtësisë sime”. (Isaia 41:10). Po ashtu, në një libër të fesë islame shkruhet se shkak për këto lloj frikërash (vesvesesh) bëhet “shejtani, i cili përpiqet që të të krijojë dyshime duke të kujtuar gjithçfarë gjërash që kanë ndodhur, që nga më të voglat e deri te të mëdhatë. Kjo gjë mjekohet: duke i kthyer shpinën vesvesit dhe me besim te Zoti e te vetja, duke u marrë me punë të dobishme, duke u shkuar për vizita njerëzve të mirë, farefisit etj. Shto këtu edhe mjekimin fizik, si duke shtuar lëvizjet për të larguar përtacinë etj.”.

Advertisement

Siç e kupton, e nderuara 21 vjeçare, këto frikëra janë vetëm mendime dhe mendimet mund të ndryshohen. Gjithkujt i vijnë në mendje mendime të tilla frikësuese, por nuk përqendrohen në to, pra, nuk u japin atyre rëndësi sepse sa më shumë të trembesh e të përqendrohesh tek ato, aq më shumë fuqi të marrin ato. Ato nuk i prodhon mendja, pasi mendimet nuk janë mendja, ato ty të vijnë, por ajo që ne bëjmë të gabuar është përqendrimi ynë tek ato. Dikush për shembull ka frikë vdekjen dhe nuk e heq këtë gjë nga mendja. Le të shtrojmë pyetjen: Frika ndihmon jetën apo vdekjen? Jo, frika nuk e ndihmon jetën. Atëherë hiqe atë me ndërgjegje të plotë. Kjo është arsyeja se pse vetëm 2 % e 65 vjeçarëve e lart kanë frikë nga vdekja, ndërkohë që gati çereku i 20 vjeçarëve kanë shumë frikë prej saj. Kur unë i pyes pse ndodh kështu, ata më thonë një përgjigje për të qeshur, se 65 vjeçarët e kanë “kullotur” jetën, pra, kanë jetuar.

Jo, nuk është ashtu, se jeta në fund të saj është edhe më e çmuar, edhe më e dashur, por kjo vjen sepse një mendje me përvojë dhe e “stërvitur” nuk i “ha” gjërat që i prishin punë, ndër to, edhe mendimet frikësuese e katastrofizuese. Ti, vajza 21 vjeçare, ke pësuar ndoshta “trauma” dhe ato që ke përjetuar nuk të ripërpunohen nga truri, por imazhet e tyre mbeten të “gjalla” në kujtesë e të krijojnë këto sisteme alarmi, të cilat tentojnë të kthehen në kronike. Duke qenë ato një sjellje e mësuar dhe refleks i keq, ashtu siç mësohen, ashtu edhe çmësohen. Raste të trajtimit të frikërave, fobive e ankthit me psikoterapi në praktikën time kam me qindra dhe të gjitha kanë qenë të suksesshme. Suksesi këtu nuk është personal, por sepse ato janë tepër të trajtueshme. Fillimi i shërimit është trokitja te psikoterapeuti.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Kristina Marku: Unë besoj te mrekullitë!

Next Post

Shoqja ime do djemtë e këqinj

Advertisement