Arjon Kajoshi është emri më i ri i boksit shqiptar. Ai ngriti flamurin shqiptar në Maqedoni duke fituar turneun më prestigjioz të Ballkanit,  “Gongu i artë”. 19- vjeçari arriti të dilte fitimtar në të gjitha takimet me rezultat të pastër duke fituar të parën kundër boksierit kosovar dhe të dytën, me përfaqësuesin e Rumanisë. Shkodrani garon në peshën 75 kg dhe tani mund të konsiderohet më i forti i Ballkanit dhe pse jo, edhe i kontinentit, pasi është kampion Shqipërie e tani, Ballkani. Megjithatë, ambicia e tij nuk mbaron këtu, pasi Arjon Kajoshi synon majat e boksit evropian…

 

Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje. Si ndiheni?

Arjon Kajoshi: – Përshëndetje! I lumtur për suksesin.

– Ju jeni emri i ri më i suksesshëm në boksin shqiptar. A mund të na tregoni diçka më shumë për veten?

– Jam 19 vjeç, nga qyteti i Shkodrës. Me sportin e boksit kam filluar që të merrem që i vogël, në moshën 9 vjeçare dhe nuk jam ndalur më. Në fillimet e mia jam stërvitur me Jetmir Kuçin dhe më pas kam kaluar në klubin e boksit Vllaznia. Aty jam në drejtimin e Zef Gjonit dhe Lazarin Vilës. Përfaqësoj edhe ekipin kombëtar për peshën 75 kg në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare.

– Keni pak ditë që jeni kthyer nga turneu “Gongu i Artë”. Çfarë është ky kompeticion?

– Keni të drejtë. Kam përfaqësuar Shqipërinë në këtë turne për peshën deri në 75 kg. Ky kompeticion zhvillohet në Maqedoni dhe është më i rëndësishmi i gadishullit të Ballkanit. Në të marrin pjesë edhe ekipe kombëtare të Evropës dhe mori pjesë edhe ekipi ynë kombëtar.

– Dhe ju dolët kampion…

– Po, arrita të dilja kampion, pasi i fitova pastër të dyja ndeshjet e mia me rezultatin 3-0 nga gjyqtari. Si rrallëherë isha një kampion i pakontestueshëm. Më lumturon ky fakt.

– Me çfarë kundërshatrësh u ndeshët?

– Ndeshjen e parë e zhvillova përballë një kundërshtari nga Kosova dhe dominova dukshëm ndaj tij. Ishte kënaqësi të ndeshesha me të, pasi gjithçka shkoi shumë mirë dhe në fund më uroi për fitoren, ndërsa unë i urova suksese të mëtejshme. Në finale isha përballë një kundërshtari rumun. Nuk ishte shumë e lehtë, pasi kundërshtari ishte jo korrekt, nuk e njihte “fair-play”-n dhe më provokoi, por pavarësisht kësaj, unë arrita ta mposhtja bindshëm dhe t’ia ktheja reston në anën sportive.

– A patët ndonjë problem gjatë ndeshjeve?

– Mora disa goditje, por fatmirësisht, jo shumë të rrezikshme. Vetëm një grusht poshtë syrit më krijoi pak probleme, por në përgjithësi gjithçka shkoi shumë mirë. Tani ndonjë goditje do ta marrim, pasi për atë punë jemi. (Qesh)

– Kjo ishte hera e dytë që Shqipëria fiton “Gongun e Artë”. Si u pritët?

– Unë isha boksieri i dytë që e fitoi. Për stafin e trajnerëve dhe kontigjentin e ekipit kombëtar u cilësua si një sukses i madh. Urimet dhe falënderimet ishin të mëdha. Nuk mund të them të njëjtën gjë për Federatën e Shqiptare të Boksit, pasi nuk iu kushtua rëndësi këtij suksesi.

– Kujt ia dedikoni suksesin tuaj?

– Në radhë të parë, familjes sime që më ka mbështetur gjithmonë, që më kanë dhënë kurajo edhe në momentët e vështira, pasi jo gjithmonë gjërat kanë shkuar mirë dhe kam pasur edhe kampionate kur nuk kam arritur të fitoj trofe. Trajnerët e mi meritojnë respekt dhe falënderime të mëdha, pasi një pjesë e suksesit u dedikohet atyre dhe natyrisht, shokëve të ekipit e të gjithë shqiptarëve.

– Si mund ta arrish ekipin kombëtar kur je boksier?

– Në ekip kombëtar grumbullohen kampionët e kampionatit kombëtar. Unë arrita të shpallem kampion Shqipërie në peshën 75 kg, në kampionatin që u mbajt para 1 muaji në Shkodër. Në atë ring nuk humba në asnjë takim dhe e meritova medaljen.

– Cilët do të jenë turnetë e ardhshëm?

– Në fund të muajit jam në Kosovë. Më kanë ftuar për turneun “Adem Jashari” dhe pranova me gjithë qejf. Shpresoj të bëj një paraqitje të mirë dhe të dal përsëri i pari.

– Sa e vështirë është të jesh boksier në Shqipëri?

– Është shumë e vështirë, pasi nuk kemi kushtet e duhura për të punuar. Palestra jonë, pavarësisht rezultateve që marrim, është në kushte mjerane dhe pa dyshim, më e varfëra në rajon e në Evropë. Nuk kemi mbështetjen e duhur dhe nuk jetohet me të ardhurat e boksit. Një boksier që jeton dhe ushtrohet në Shqipëri është një hero, pasi karriera e boksit nuk zgjat pafundësisht dhe nuk arrin të sigurosh jetesën e jo më pastaj të mendosh edhe për të ardhmen.

– Sa e fortë është stërvitja për një boksier?

– Një boksier ka një regjim të rreptë, stërvitje të fuqishme dhe një ushqim të mirë. Stërvitja është e larmishme dhe kryesisht, është e ndërthurur në mes të forcës dhe teknikës.

– A ka Shqipëria boks profesionist?

– Jo, në Shqipëri nuk ekziston një linjë e boksit profesionist. Ne garojmë me 3 raunde dhe jo me 12 si profesionistët. Jemi kategori më vete.

– Ju vetë, e synoni arenën ndërkombëtare në boksin profesionist?

– Sigurisht. Po punoj dhe luftoj fort për të arritur qëllimet e mia.

– Shkodra është 20 herë kampione e Shqipërisë. Është gjenetike? Çfarë ka të veçantë ky qytet?

– Mendoj se është stërvitja e mirë. Trajneri është çelësi i suksesit dhe ne kemi trajnerët më të mirë në Shqipëri. Pastaj, mund të jetë edhe me racë, ku i dihet. (Qesh)

– A keni idhuj?

– Sigurisht. Ne frymëzohemi nga dikush dhe kemi shembujt tanë në boks. Mua më pëlqen Genady Golovkin për forcën dhe teknikën në ring dhe jo për atë që ka përfaqësuar në jetën private.

– Çfarë ju frymëzon?

– Muzika është ilaçi më i mirë për mbarëvajtjen e stërvitjes.

– Sa i ndjeshëm është një boksier?

– Nuk jemi si trungje pemësh, pa merak. (Qesh) Jemi më të ndjeshëm sesa mendoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *