Ju rrëfej 5 javët e mia në Dancing…

 

Edhe pse u skualifikua nga “Dancing VVith The Stars”, ai ka mbetur në mendjen e publikut. Ishte hera e parë që e shihnim Artin të bënte edhe këtë lloj arti: kërcimin. Kjo eksperiencë ishte histori më vete për të, ndaj ai rrëfehet me sinqeritet për rrugëtimin që përshkoi gjatë këtyre 5 javëve, por jo vetëm…

 

Mia Buci: Arti, më thuaj të vërtetën, sa në humor je nga 1 te 10-a në këto momente?

Art Abazi: – (Buzëqesh) Shtatë.

– Çfarë ta ka prishur humorin së fundmi?

– Kur u ktheva në Prishtinë, pashë që çafkat ma kishin bërë makinën pis…

– Këtë periudhë ke qenë shpesh në Tiranë për shkak të “Dancing vvith the stars”. Iu fute kësaj “loje” me mendimin për të fituar?

– Po e them me sinqeritetin më të madh që në Dancing u futa vetëm që ta shijoja si eksperiencë dhe për t’i mësu disa gjëra që s’i dija. Madje, as që e kisha ditur se ekzistojnë!

– A ishte i drejtë skualifikimi yt? Çfarë mendon se e solli atë?

– Hëm… Tani… edhe pse nuk dua të tingëlloj si një “humbës” që është gjithmonë i pakënaqur me rezultatin, normalisht, s’më është dukur shumë i drejtë. Nuk e kam pritur të ndodhte atë natë. Po të dilja në natën e dytë, kur isha në Dance Off me të nderuarin Mitro Çela, nuk do të habitesha aspak. Me Mitron kemi ndejtë shumë gjatë kohës që bënim prova, ishte një njeri që në çdo situatë krijonte batuta fantastike, një njeri ambicioz që edhe përkundër shumë angazhimeve që kishte, vallëzimin e kishte marrë me shumë seriozitet. Kështu që, meqë Mitroja, me fjalë të tjera, është i lindur për skenën, s’do të habitesha aspak po të dilja atë natë, por meqë gjërat rrodhën ashtu dhe dola i treti, më erdhi e papritur!

– Ishe përgatitur për të dhënë më shumë në javët në vazhdim apo kërcimi nuk është disiplina në të cilën ndjehesh mirë?

– Në fakt, që prej momentit të parë, shkova me një vetëbesim sa i përket vallëzimit sepse kur isha më i vogël, pata bërë tre muaj kurs për të kërcyer dhe mendoja që do të më shërbenin shumë, por nuk ndodhi ashtu. Gjërat që më servireshin për t’i mësuar ishin krejt të ndryshme dhe natyrisht, shumë më të vështira se ato që kisha mësuar unë, por e rëndësishme ishte që e kisha marrë me shumë vullnet dhe, të them të drejtën, mezi prisja të vinte orari i provave. Natyrisht, secilën javë shpresoja të dilja më mirë dhe faktikisht, këtë e vërenin edhe njerëzit përreth.

– Lloji i kërcimit në të cilin e gjete më shumë veten?

– Secila disiplinë kishte të bukurën e vet. Javën e parë kisha passo doble. Kisha punuar 11 ditë për ta realizuar koreografinë që kishte përgatitur Ledia dhe e ndjeva veten shumë, shumë mirë, por në fund juria nuk e vlerësoi aspak. Javën e dytë kisha cha-cha… Unë cha-cha-në e kam shumë me qejf sepse është një vallëzim ku mund të çlirohesh komplet dhe ta shijosh, por atë natë humori nuk ishte me mua dhe ajo u vërejt nga të gjithë. Me fjalë të tjera, e ekzekutova koreografinë duke menduar çdo sekondë fundin e saj (vetëm kjo nuk guxon të ndodhë në një kërcim!) dhe çuditërisht, edhe pse komentet ishin shumë të sakta, në përputhje me atë çka performova, pikët ishin më të mëdha se javën e parë në të cilën isha laaaaaaaaaarg më mirë se në cha cha. Javën e tretë kishim rock&roll dhe sinqerisht, nga inati që kisha me veten për javën e dytë ku nuk u ndava i kënaqur, vendosa të punoja në palestër shumë më shumë. Erdhi nata e spektaklit, realizuam koreografinë dhe mund të them lirshëm; pa asnjë gabim. Përsëri morëm komentet që kishim marrë edhe më herët: “Art po kërcen, por nuk e ke të natyrshme”. Kjo më shqetësonte shumë! Mbetëm në Dance Off, ne dhe Mitroja me Ermirën. Atë natë produksioni kishte vendosur që të mos kishte eleminime, me kusht që ai të ndodhte menjëherë të enjten që vjen. Javën e 4-t spektakli filloi me Dance Off-in. U prezantova me një vals dhe, edhe pse 90% të koreografisë e kisha bërë mirë, prapë nuk isha shumë i kënaqur me paraqitjen, por kjo arsyetohej me faktin se emocionet ishin të pakontrolluara. Javën e pestë dhe të fundit për mua, u prezantuam me një charlestone, një vallëzim shumë i vështirë pasi në çdo moment kërkon lëvizje, freski dhe nuk të pyet nëse je i lodhur. Atë javë inatin s’e kisha më me veten, por me Ilir Shaqirin që, kur më shpëtoi nga Dance Off-i, më tha: “po të shpëtoj sepse kam kureshtje të shoh çfarë di të bësh”. Nuk doja ta zhgënjeja, kështu që kërkova t’i zgjasnim orët e provave në palestër. Ledia kishte shumë mirëkuptim dhe ashtu bëmë. Kishte raste që ngelnim deri në 11 të natës duke u ushtruar! Ditën e fundit të provave i thashë vetes: “Ia arrita! Jam i kënaqur me koreografinë, me lëvizjet” dhe nuk e mendoja për asnjë moment eleminimin. Isha shumë i sigurt! Performuam… Komentet ishin shumë pozitive, totalisht të ndryshme prej komenteve që kisha marrë deri në atë ditë, por pikët jo! Mora 22 pikë, ndërkohë që deri te radha ime konkurrentët kishin marrë pothuajse pikët maksimale. Fundin, tashmë e dini…. E zgjata paksa, por e kisha të pamundur të përgjigjesha ndryshe.

– Arti, si është arti që bën ti?

– Art është gjithçka që bëhet me dëshirë, me përkushtim dhe, edhe pse deri tash të gjitha këto aktivitete që i kam pasur, i kam bërë me shumë dëshirë e përkushtim, mund t’ju them se ende nuk ka ardhur koha të flasim për artin tim. Do të vijë shumë shpejt.

– Ishim mësuar të shihnim Artin këngëtar, Artin me kufje në vesh teksa regjistron këngë dhe Artin me kitarë në dorë, ndërsa Artin kërcimtar, jo. A është kjo një nga gjërat që di ta bësh po kaq mirë?

– Po, por s’më panë Ema, Iliri dhe Fredi. Unë shumë lirshëm them se edhe kërcimin di ta bëj njëjtë, ashtu si edhe muzikën dhe këtë besoj di ta bëjë secili që ka ndjenja për muzikën.

Për ty thuhet se je ndër të paktët artistë që bën një jetë jo prej artisti. Nuk kemi dëgjuar ende të flitet që Arti u lidh, u nda apo u kap mat me x vajzë, apo të jesh frekuentues i rregullt i jetës së natës, i alkolit…

– Ju falënderoj për fjalët. Nuk e di nëse mund t’i besoj apo jo sepse edhe në DVVTS dëgjoja fjalë shumë të mira, i pranoja si të sinqerta, por në fund më dilnin që më ishin thënë njësoj si të gjithë të tjerëve. Gjithsesi, ju falënderoj. Unë kam vendosur të prezantohem në publik duke dhuruar këngë, aq sa kam mundësi ta neutralizoj pak kaosin që e ka kapluar artin te ne. Gjërat e tjera janë totalisht të parëndësishme për publikun. Unë kam llogari në rrjetet aktuale sociale dhe mendoj se aty ka gjëra të mjaftueshme për të kuptuar se si jam unë. Kur të martohem, pa dyshim që do të publikoj foto nga dasma, e sa për gjërat e tjera… nuk funksionoj ashtu. Ajo është gjëja më e lehtë që mund ta bëjë një njeri, të jetë në qendër të vëmendjes me diçka komplet të pavlerë. Unë preferoj të më dëgjojnë dhe të më lexojnë kur kam çfarë të them.

– Çfarë ta sjell harmoninë e brendshme?

– Shëndeti dhe lumturia e familjes.

– Je përzgjedhës për personat që të qëndrojnë pranë apo përshtatesh me të gjithë?

– Jo! Do të gënjeja po të thoja që u përshtatem të gjithëve. Nuk është ashtu. Po të kisha qenë i tillë, ju siguroj që do ta fitoja edhe DVVTS me lehtësinë më të madhe. Nëse mundohesh të jesh i drejtë, nuk do të kesh gjasa për t’u shpëtuar konflikteve, por edhe për këtë jam më shumë se i lumtur. Më mirë të mos jem i përshtatshëm për dikë e të njihem si i drejtë (pavarësisht nëse deklarohen ose jo) sesa të bëj lajka, të aktroj, vetëm e vetëm që të përfitoj unë.

– Si është të jetosh me Artin?

– Janë me fat familja që më kanë dhe do jetë me shumë fat ai njeri që do jetojë me mua, por për këtë nuk i kam meritat unë, i ka dikush tjetër.

– Bën një jetë mes rregullash apo çdo rregull ka përjashtimin e tij?

– Edhe… edhe…

– Gërhet në gjumë?

– (Qesh) Çfarë pyetjeje! Më përpara pak po, por që kur e kam rregulluar një devijim të brendshëm në hundë, fle për merak. (Buzëqesh)

– Një ndryshim për të cilin ke nevojë tani…

– Të mësohem me faktin që jo gjithmonë njerëzit të komplimentojnë sinqerisht. Këtë më duhet ta instaloj patjetër në “programin” tim.

– Gjëja që nuk do ta bëje kurrë tatuazh?

– Emrin e ndonjë vajze…

– Nëse do kishe tatuazh në trup, emrin e një ish-të dashure…

– (Qesh) Mendoj se duhet të jesh shumë naiv për ta bërë një gjest të tillë.

– Një rrëfim?

– I rrefeva 5 javët e mia në Dancing… Nuk po ju lodh më shumë. (Buzëqesh)

– Idea jote e takimit perfekt me një femër?

– Pse më pyesni për diçka që nuk ka shumë rëndësi? Jam i sigurtë që femra që do ta doja unë, nuk do ta lexojë këtë intervistë sepse nuk do të jetë në Tiranë ditën e shtunë. (Qesh)

– Diçka që është në mënyrë të vazhdueshme në mendjen tënde…

– Suksesi… shëndeti… suksesi.

– Një gjë për të cilën ke gënjyer?

– Sa herë kam folur me ty Mia, jam treguar më shumë se i sinqertë. Nuk gënjej as kur e kam të nevojshme të dal nga situata. Po të isha i tillë, s’do ta kisha problem të gënjeja edhe tani.

– Dikush që të mungon?

– Gjyshi.

– Çfarë e bën një shpirt të bukur?

– Mendimet pozitive dhe asgjë tjetër. Mendimet shndërrohen në fjalë, fjalët në vepra…

– Çfarë të ka rritur si person?

– Dëshira për t’i parë njerëzit të buzëqeshur, pa vuajtje…

– Karriera e një këngëtari matet nga sa hite ka?

– Nuk mund të përgjigjem tani për punën e hiteve, sidomos në Shqipëri, por mund t’ju garantoj se hit te ne është një këngë me 100 klikime e jo ato me 10 milion. Për këtë, do vijë koha që do të bindeni.

– Si do të kishte qenë jeta e Artit pa artin?

– Nuk e kam provuar dhe s’dua as ta paramendoj vetëm sa për t’u përgjigjur.

 

 

Çfarë thua nëse të them…

– …kërcim tvverk?

– Diçka që s’më bën përshtypje.

– …“50 hijet e Greit”?

– Kam dëgjuar që s’është ndonjë gjë dhe s’e kam shiku hiç.

– …ISIS?

– Rezultati i shkatërrimit të botës.

– …Kim Kardashian?

– Personazh që si vlerë të vetme ka bukurinë, për ata që u duket e bukur.

– …tango?

– Më asociuat te Mitro Çela. U eliminua nga Dancing edhe pse performoi një tango shumë të bukur.

– E ardhme?

– Do flasim për këtë… (Buzëqesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *