– Përshëndetje! Unë jam Silvana dhe jam në proces divorci. Çështja është në Apel. Ish-burri, pasuritë e tij, shtëpinë, biznesin, makinën etj. i ka vënë në emër të dikujt tjetër dhe ka deklaruar një rrogë 22000 lek të reja, që nuk është e vërtetë. Doja të dija, ç’mund të bëj që të vërtetoj se janë të gjitha të atij sepse për fëmijën tonë nuk paguan asgjë? A përfitoj unë nëse vërtetoj që këto prona janë të ish-bashkëshortit dhe jo të personave në emrat e të cilëve ai i ka hedhur? Faleminderit!
Av. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlavv.com, Tel. ++35544532512: Përshëndetje zonja Silvana. Ju falënderoj shumë që keni kontaktuar me rubrikën “Ju pyesni, avokati përgjigjet”!
– Përsa i përket shqetësimit që ju keni lidhur me detyrimin ushqimor për fëmijën tuaj, akoma nuk ka përfunduar zgjidhja e martesës, pasi vendimi nuk ka marrë formën e prerë. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë bëhet i ekzekutueshëm në rast se ai nuk ankimohet brenda 15 ditëve dhe nëse ankimohet, pasi përfundon në Apel, ku në Gjykatën e Apelit duhet lënë në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë.
– Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, patjetër që duhet të jetë caktuar edhe detyrimi ushqimor për fëmijën. Ky vendim caktohet mbi të ardhurat e bashkëshortit në rastin tuaj konkret, nëse ju keni kërkuar që fëmija t’ju lihet juve për rritje dhe edukim. Nga praktika, për pagën 22 000 mijë lekë të reja, gjykata jep 7 000 lekë të reja, pra, në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, do të jetë përcaktuar vlera për detyrimin ushqimor në favor të fëmijës.
– Përsa i përket pyetjes lidhur me pjesëtimin e pasurisë, kjo fazë realizohet pasi vendimi i zgjidhjes së martesës të ketë marrë formë të prerë. Në rast se ju në objektin e kërkesë-padisë do të fusnit edhe pjesëtimin e pasurisë, atëherë gjykata do të ecte paralelisht me zgjidhjen e martesës dhe me pjesëtimin e pronës. Me rrethanat e faktit që ju na paraqisni, tregohet se ish-bashkëshorti juaj nuk ka asnjë pronë në emrin e tij dhe kjo tregon se pronat të cilat ai ka patur i ka krijuar përpara martesës sepse nëse do t’i kishte krijuar pas martesës, do t’i duhej edhe miratimi juaj nëse do t’i kalonte në emër tjetër. Pra, ju nuk përfitoni nga pjesëtimi i pronave edhe nëse ai aktualisht mund t’i kishte në emrin e tij, pasi i ka fituar përpara martesës. Nëse pas martesës ligjore të lidhur me ju, do të ketë krijuar pasuri, atëherë edhe ju përfitoni nga këto prona dhe ju lind e drejta për të kërkuar pjesëtimin e tyre. Për më shumë informacion, mund të më shkruani në adresën info@durajlavv.com. Ju faleminderit!