13Mbase ju njihni ndonjë nga këta burra, ose jeni edhe vetë njëri prej atyre që u thotë të gjithëve se gruaja e tyre është e paarsyeshme dhe autoritare. Ata vijnë në zyrë të hënën në mëngjes dhe, duke iu hapur goja, tregojnë se si “u janë futur telasheve me gruan” gjatë fundjavës. Ata tregojnë se gruaja e tyre u kontrollon çdo lëvizje që bëjnë, aq sa, edhe kur shokët i ftojnë për një kafe, ata psherëtijnë dhe thonë me zë të shuar: “Prit të shoh çfarë planesh kemi”. Sistematikisht, ata krijojnë imazhin e një burri të dërrmuar nën autoritetin e gruas. Sa ndryshe ishte dikur! Një brez më parë, gjëja më e keqe që mund të thuaje për një burrë ishte që e urdhëronte gruaja! Cilado të ishte e vërteta që mbretëronte brenda katër mureve të shtëpisë, asnjë burrë nuk guxonte t’u thoshte shokëve dhe kolegëve se pantallonat në shtëpi i mbante gruaja. Sigurisht, mund të kishte ndonjë fjalë aty-këtu, por ishin të rrallë burrat që donin të krijonin imazhin e shërbëtorit në shtëpi.
Ndërsa në ditët tona, ka burra që u ankohen të gjithëve se sa keq trajtohen në shtëpi. Zakonisht, janë burra të klasës së mesme që kanë arritur atë momentin simbolik në jetë kur, gjithë keqardhje, kanë lënë në depo kitarën e tyre akustike dhe, në shoqëri me shokët, denoncojnë partneren e tyre për tirani. Këta burra kërkojnë medoemos të krijojnë imazhin e një pasuesi të bindur. Kam parë disa skenare shoqërore ku është zhvilluar një lloj gare: Të gjithë me radhë ankoheshin kush e kush më parë se gruaja e tyre sillej si një lloj shefeje, posesive dhe gërnjare.
Sigurisht që gratë nuk marrin pjesë në këto lloj bisedash, por pasi i takon, nuk të duken shumë si ata despotët e tmerrshëm që kanë përshkruar burrat e tyre! Si qëndron puna? Nëse do të përgjigjeshim aty për aty do të thoshim se është një pakënaqësi e grumbulluar nga burrat. Në kohërat e sotme pritet që ata të jenë më të përfshirë në punët e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve, sesa para 20 vjetëve. Familja tani është më pak patriarkale dhe më e pavarur. Meqë shumë burrave kjo gjë nuk u pëlqen, e teprojnë dhe ankohen orë e pa orë. Vini re edhe gjuhën që përdorin; gruaja përshkruhet me fjalët “shefe”, apo “padrone”. Ndërkohë që burrat lavdërohen kur kanë personalitet të fortë, nuk është e njëjta gjë për gruan, e cila në këtë rast quhet me fjalët “bose” dhe “autoritare”.
Mbase gratë duhet të tregohen pak më të buta me burrat e sotëm. Me ritmin që po ndryshojnë gjërat në ditët tona, burrat e moshës së mesme janë një brez-urë lidhëse mes dy epokave: Asaj patriarkale të baballarëve të tyre dhe asaj më liberale të fëmijëve të tyre. Ata që thonë se i kanë gratë tirane (pa pasur të drejtë), mbase po kërkojnë një mënyrë për të shprehur ndjeshmërinë dhe modernizimin e tyre, duke e thënë me zë të lartë se si ndjehen për rolin e tyre në këtë botë të re. Dhe, ata që luajnë rolin e viktimës, thjesht kërkojnë nga tjetri më shumë dashuri. Është ekuivalenti mashkull i femrës tipike që lavdërohet për burrin e saj posesiv: “Oh, burri im pa gjithë zemërim njërin që m’i kishte ngulur sytë dhe tani ai ka për ta paguar!”.
Por këto psherëtima grash për burrat e tyre posesivë janë më bindëse. Në fund të fundit, një ego e brishtë burri, e kombinuar me një sasi të tepruar testosteroni, mund ta kthejë atë në një qenie paranojake dhe agresive. Megjithatë, nuk rrimë dot pa menduar se, ata burra që ankohen për gratë e tyre posesive, mbase dëshirojnë që ajo të jetë vërtet e tillë. “Nuk m’i heq sytë”, thotë një burrë për gruan e tij. Unë e kam takuar gruan e tij, ajo mezi pret të rrijë një natë vetëm! Në raste të tjera ndodh e kundërta. Një burrë që ankohet se gruaja e tij sillet si dikatore brenda shtëpisë, mund të shpresojë që ajo të bëhet më liberale dhe ta lërë të lirë (gjë që ka pak gjasa të ndodhë). Kështu, pra, nëse edhe ju njihni ndonjë nga këta burra-shpifës, kini parasysh se është diçka e mirë fakti që ata marrin në konsideratë ndjenjat e grave të tyre dhe përgjegjësitë prindërore që kanë. Do të donim vetëm që ata t’i shprehnin ndjenjat e tyre jo duke sharë gratë, të cilat, nga ana e tyre, rrallë janë ato tiranet dhe diktatoret që përshkruhen nga burrat e tyre.