– Përshëndetje doktor Agroni. Kam një vit që vuaj me ankth, kam rrahje të shpeshta zemre, ndihem e lodhur dhe ka raste që më ngrihet tensioni. Kohët e fundit kam dhimbje gjoksi, sikur më godet njeri me thikë, më duket sikur më dhemb zemra. Ka raste që, kur bëj punë shtëpie, lodhem shpejt, më rreh zemra shpejt dhe ndjej lodhje në gjoks. Kur ulem, qetësohem, por kur ngrihem, më ndodh përsëri e njëjta gjë. Kam shumë frikë, nuk di çfarë të mendoj, s’e di, a janë simptoma ankthi këto? Trurin e kam shumë të ngarkuar dhe, çfarë s’më thotë mendja? Kam bërë shumë vizita dhe çdo gjë më ka dalë në rregull, por përsëri kam frikë se përse më ndodhin këto gjëra, sikur kam ndonjë sëmundje zemre. Ju, çfarë mendoni?
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Sipas të dhënave tuaja, unë mendoj se ju vuani nga një shqetësim nervor që ne mjekët e quajmë “Ostheni neurocirculatore”, që shfaqet me dukuritë që përshkruani ju. Ky shqetësim lind në subjekte me sistem nervor të ndjeshëm (SNQ), si pasojë e ndonjë stresi, apo kalimit të një situate të vështirë, që lidhet me veprimtarinë e përditshme në aspektin familjar, shoqëror, apo pas kalimit të ndonjë sëmundjeje, ose pas përdorimit të duhanit e alkoolit etj. Në këto raste, në sistemin nervor qendror prishet raporti nxitje/frenim, pra, mbizotëron nxitja e tij.
– Në këto raste, ashtu siç ndodh edhe te ju, do të keni një varg shqetësimesh, siç janë dhimbjet e kokës të karakterit rëndues, mospërqendrimi, çrregullimet e gjumit, të oreksit, ankthi etj. Në këto raste, çlirohet me shumicë adrenalinë, e cila jep edhe rrahje të shpejta të zemrës, luhatje të tensionit arterial (TA), vështirësi në frymëmarrje, ose në tretje etj. Në këto raste, të gjitha analizat do të dalin në shifra normale, ose me ndryshime kalimtare (të përkohshme), që shpejt do të kthehen në normë. Në këto raste, këshillohet konsultim me ne mjekët specialistë (neuropsikiatër), të cilët do t’ju japin edhe këshillat e duhura, që kanë të bëjnë jo vetëm me mjekimin, por zbulimin e shkaqeve dhe parandalimin e tyre, si për shembull marrja me sport, siç është gjimnastika (në varësi nga mosha e gjendja shëndetësore), shëtitjet në ajër të pastër, shmangia e pijeve nxitëse të SNQ, siç janë duhani, alkooli, kafeja, çaji i malit, red-bulli etj. Po ashtu, ngrënia lehtë në darkë, ose shmangia e abuzimit me qëndrimet e zgjatura pranë kompjuterit, ose përdorimi i tepruar i celularit etj. Po ashtu, kombinimi i mirë i veprimtarisë së përditshme (pushim e punë) etj. Përsa i përket mjekimit, ky duhet bërë në konsultim me ne mjekët specialistë si për shembull, përdorimi i kësaj skeme mjekimi:
- Stugeron 25 mgr. 3 x 1 kokërr.
- Zolafti 50 mgr. 2 x ½ kokërr.
- Titus 1 mgr. 1 kokërr në darkë.
- SolTonotil 10 ml. 1 flakon çdo dy ditë, pihet nga goja, në mëngjes.
- Sol Energum 10 ml. 1 flakon pihet çdo 2 ditë nga goja, çdo mëngjes. Mendoj se kështu, shumë shpejt, ju do të ktheheni në normalitet.