E ka nisur rrugën e jetës së saj duke u mbështetur fort te muzika dhe me besimin se kjo do të ishte e ardhmja e saj, por jeta ka të papriturat e veta, të cilat e bënë mexosopranon ta linte pas pasionin… Sot, në Zvicër, pavarësisht ndërprerjes dhe kohës që ka kaluar, ajo beson fort se ëndrra e saj mund të vazhdojë dhe po përgatitet të konkurrojë për të qenë pjesë e teatrit të operas së një kantoni. Forca që ajo tregon, pavarësisht vështirësive, na shtyu të bëjmë këtë intervistë, si pasqyrë të një njeriu që beson se nuk ka pengesë që nuk kapërcehet nëse ke pasion, talent dhe forcë për të ecur përpara…
– Maria, ti jeton në Zvicër, por vajtja atje, të shkëputi nga Akademia e Arteve, të cilën e ndërpreve në mes, bashkë me ëndrrën për t’ia kushtuar jetën muzikës…
– Unë ndërpreva vetëm rrugën, por jo ëndrrën. Atë e kam ende dhe besoj fort se sot, mund t’ia dal ta vazhdoj profesionin tim aty ku e kam lënë, pavarësisht viteve që kanë kaluar.
– A ia vlejti të lije përgjysëm formimin profesional, për emigracionin?
– Jeta të përball me zgjedhje të vështira… Unë kisha mbaruar vitin e parë të Akademisë së Arteve, kur e ndërpreva shkollën për të shkuar jashtë, pa e menduar se ndoshta kur të kthehesha do të ishte shumë vonë për ta bërë. E tillë ishte situata atëherë… Të gjithë po iknin, shokët, mësueset e mia. Kështu, mendova të ikja edhe unë, duke menduar si ne shqiptarërt, që të krijoja një buxhet, të blija një shtëpi a të hapja ndonjë biznes. Thjesht, ana materiale më ka shtyrë… Shkolla m’u duk më e parëndësishme në atë moment.
– Cilët ishin hapat që kishe hedhur në muzikë deri atëherë?
– Kur isha në vit të parë në Akademinë e Arteve, unë bëra një album me muzikë popullore të trevave të jugut, sepse unë vetë jam nga Korça. Tekstet e këngëve i shkrova vetë… Albumi, në atë kohë në formë kasete, u shit shumë. Pasi u afirmova si këngëtare, bashkë me disa kolegë, ne formuam grupin artistik “Tirana” dhe hodhëm hapat e parë si profesionistë të muzikës, në Shqipëri. Megjithëse formimin po e merrja si këngëtare lirike, me grupin artistik shkuam kudo ku kërkohej muzika, nëpër dasma e festa. Pastaj u hapën rrugët dhe Zvicra e Gjermania ishin vendet më të mira për perspektivën e grupit dhe për ne të gjithë. Kemi kënduar e kemi lënë nam andej… na kanë pritur shumë mirë, shqiptarët ishin shumë të etur për të dëgjuar shqip. Deri në fund të vitit 2006 unë kam kënduar. Pastaj e ndërpreva.
– Pse?
– (Buzëqesh) Sepse rashë në dashuri me bashkëshortin tim. Nëse do të vazhdoja të këndoja, punën mund ta kisha shumë larg bashkëshortit dhe unë nuk doja të ndahesha në asnjë moment prej tij… Praktikisht, qe e pamundur ta vazhdoja atë jetë; duhet të zgjidhja mes jetës familjare dhe angazhimit në muzikë.
– Mos ndoshta edhe bashkëshorti të pengoi?
– Jo, përkundrazi. Ai madje thotë: “Unë jam sponsori yt, vetëm të kesh vullnetin e dëshirën për të bërë diçka në pasionin tënd”. Veç ti, ka pasur shumë persona që dua t’i përmend dhe t’i falënderoj me gjithë zemër për mbështetjen e tyre në rrugën e bukur e të vështirë të artit. I jam mirënjohëse zyshë Liza Tares, zyshë Irisha Gaqit, piktorit të madh Raqi Xeges dhe në veçanti, zyshës së Kantos, për të cilën kam një admirim e respekt të veçantë, Aferdita Zonjës. Të mos harroj familjen time që më ka mbështetur pa kushte, kudo e kurdo. Halla ime, Lumturia dhe burri i saj, klarinetisti i njohur i trevave të Devollit Gani Mullamake më kanë dhënë vesh e shpirt, nga shpirti i tyre artistik.
– Mirë Maria, në rastin tënd, nuk do të të pyes sa kohë ke që këndon, por sa kohë u bënë që nuk këndon?
– Po unë këndoj kështu për qejfin tim, si jo?! (Qesh) Këndoj nëpër dasma shqiptarësh, kur më thërrasin, por jo më nëpër lokale nate. Tani, në diasporë po vijnë ata që s’dinë të këndojnë dhe unë, më mirë bëj atë që më bën të ndihem mirë shpirtërisht, aty ku më fle zemra, sesa të barazohem me një këngëtare që nuk di të këndojë, as ka vesh për muzikë, as ka shkollë. Tani, muzika është bërë tregti, nuk është më si më parë.
– Me pak fjalë, ti nuk je shkëputur plotësisht nga muzika…
– Jo, nuk e bëj dot. (Buzëqesh) Aktualisht, këndoj edhe në kishë një herë në javë. Jam e vetmja shqiptare në qytetin ku jetoj në Zvicër. Për herë të parë, kam shkuar në vitin 2002 dhe për ca vjet kam jetuar sa në Shqipëri, sa në Zvicër, derisa më më lindi djali. Nuk kam tentuar asnjëherë ta vazhdoj karrierën në Shqipëri…
– Po në Zvicër, pse po tenton pikërisht tani?
– Familja më ka marrë shumë kohë, sepse gjithmonë kam patur dëshirën ta rris vetë djalin, kam qenë shumë e lidhur me të. Tani që ai është në klasë të parë, edhe unë mund të nis “klasën time të parë”, sërish (buzëqesh), ta rinis shkollën aty ku e kam lënë. Ndonëse kushton shumë, nuk është problem, do të jap edhe një herë provimet në atë pikë ku i kam lënë. Kam njohur një zonjë, e cila është e vetmja shqiptare që ka arritur të punësohet në Teatrin e Operas në St.Gallen, Fiqirete Haziraj. Ajo është këngëtare lirike si unë dhe më ka treguar se sa shumë ka vuajtur derisa ka mbërritur këtu ku është. Ajo më ka dhënë shpresa se do të më ndihmojë ta rinis nga e para. Veç shkollës, shumë shpejt do të jap një provim për t’u punësuar në këtë teatër dhe, nëse më pëlqejnë, do të nis punë si soliste. Kam shumë shpresa…
– Pas kaq vitesh ndërprerjeje, i trembesh faktit që ndoshta nuk do të jesh në lartësinë e duhur?
– I trembem, por duke qenë shumë këmbëngulëse, me besim, vullnet e punë e ndiej se do të arrij atje ku dua, sepse unë kam forcë brenda vetes, nuk më kanë shteruar fuqitë. E dua shumë artin, jam e apasionuar dhe mendoj se kur e do diçka me gjithë shpirt e arrin. Ata që më njohin në Zvicër, më quajnë një “talent i çuar dëm”, sepse veç muzikës, pikturoj dhe shkruaj, por jam shumë vonë në të gjitha gjërat. Shpesh i them vetes: “Gjithmonë je vonë në stacion, prapë e ke humbur trenin”. Këtë herë, po i nxitoj hapat që ta arrij stacionin se s’bën! (Qesh)
– Deri te cili stacion e përfytyron veten sot?
– Ëndrrat dhe dëshirat e mia janë të lidhura pazgjidhshmërisht me artin. Muzika, piktura e poezia janë pistat që ëndërroj në çdo çast. Nuk është vonë, mund ta nis edhe tani, ndoshta më fort se atëhere sepse tani kam edhe më shumë energji, kam djalin që e nis nga e para dhe ai më jep energji pozitive… Nuk kam një model që dua të bëhem si kjo apo si ajo, thjesht dua të jem vetvetja dhe të mbërrij në stacionin e ëndrrave të mia, t’i realizoj ato në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam e vonuar, por me valixhet e finishit pres të ulem në aerodromin ku fle i zgjuar shpirti im. Arti, thjesht, është frymëmarrja ime!