– Para katër vjetësh kam pësuar aksident dhe kam ngelur sakat në një anë të trupit. Për këtë arsye, kam rënë në depresion. Neurologu më ka shkruar të marrë ladose 2 në ditë. Kam tre vjet që e marr nga 1 kokërr, kam dy muaj që e marr 2 kokrra dhe ndjehem më mirë. Dua të më jepni një këshillë, sa kokrra të marr në ditë, 1 apo 2?
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Në letrën tuaj ju nuk na jepni të dhëna të plota për shqetësimet që keni patur, ose keni aktualisht, në mënyrë që ne të gjykojmë për mjekimin që ju do të vazhdoni në të ardhmen. Do t’ju këshilloja që të konsultoheshit me mjekët specialist që ju kanë ndjekur e vazhdojnë t’ju mjekojnë, sepse ata dinë gjendjen që keni pasur pas aksidentit dhe pasojat që keni aktualisht. Së fundi, ju uroj shërim të shpejtë!