– Përshëndetje doktor! Jam një vajzë 27 vjeçe nga Vlora. Kushëriri im i parë është vetëm 15 vjeç dhe vuan nga çrregullime psikologjike. Deri në moshën 4-5 vjeçare nuk kishte probleme, por tani nuk flet, nuk ha, tund kokën nëse i flet dhe qesh, ose qan në qoftë se e bezdis duke i folur. Prindërit e kanë mbajtur shumë të mbyllur dhe nuk e kanë lënë të argëtohej me shokët, të dilte me kushërinjtë e tij. Shkollën e ka lënë kur ishte në klasë të 6-të, me sugjerim të mjekut neurolog. Problemi është se prindërit e tij nuk e pranojnë problemin e tij si një sëmundje psikologjike. Në javët e fundit, fatkeqësisht, babai i tij ka ndërruar jetë dhe e ëma mendon po njësoj. Djali e kuptonte se çfarë kishte ndodhur, por nuk shprehej, nuk qante, nuk fliste, as hante. Disa ditë më vonë, pas vdekjes së të atit, pasi e ëma i tha hapur që i ati nuk ishte më, filloi të qante dhe donte të largohej nga shtëpia. Më pas e çuam edhe në varreza, ku filloi të qante. Domethënë, me prindërit e tij (me mamin) ai është më i hapur. Do të doja një mendim nga ana juaj: Çfarë problemi ka ai? Është një problem psikologjik apo ka probleme mendore më të mëdha? Pres përgjigjen tuaj. E lexoj shpesh faqen tuaj dhe e vlerësoj shumë. Faleminderit.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuar letërshkruese, me sa kuptoj unë, kushëriri juaj 15 vjeçar mund të mos ketë ndonjë sëmundje, por ka zhvillim të vonuar, mungesë intelekti, si dhe sindromin e “mungesës së zellit” ose të “folesë boshe”. Ju thoni se në moshën parashkollore ai ka qenë i shkathët dhe aktiv. Po ashtu në letër thoni se prindërit e kanë mbajtur të mbyllur dhe nuk e kanë lënë që të argëtohej me shokët, as edhe me kushërinjtë e tij. Këtë fazë që e keni shkruar ju, unë e përkthej: nuk e kanë lënë që të zhvillohej e të “stërvitej” që të fitonte aftësitë e tij sociale, pra, nuk e kanë lënë të marrë atë që quhet “dëftesa” e rrugës, mbasi këtu qëndron edhe problemi pasi shkaku dhe pasoja janë të lidhura së bashku. Meqenëse ai nuk u dukej prindërve si gjithë të tjerët, ata nuk e lanë që të dilte jashtë… dhe ai u rrit pa e parë dritën e diellit, ndaj nuk u bë si gjithë të tjerët e as ka për t’u bërë kurrë po të mbahet i mbyllur, i izoluar, gati si në një kafaz. Unë nuk e di se çfarë ka konstatuar mjeku neurolog tek ai, por në qoftë se ai nuk ka ndonjë epilepsi, nuk kishte pse të hiqej nga shkolla që në klasën e gjashtë, mund të bënte të paktën deri klasën e nëntë, pastaj mund të futej në ndonjë kurs për të marrë ndonjë profesion e për të bërë ndonjë punë të përshtatshme. Se ja, i vdiq babai, as nëna nuk do të jetojë sa ai, atëherë në qoftë se ai nuk është i aftë për ndonjë punë të dobishme, kush do ta mbajë atë? Sot edhe fëmijëve autikë mjekët po përpiqen t’u mësojnë disa aftësi e jo më atij që arriti deri në klasë të gjashtë.

Me të drejtë, ju mund të thoni se ai nuk është i aftë për asgjë… Më thoni, nëse unë them se atë nuk e lanë që të bëhej i aftë për asgjë, sa % kam unë të drejtë duke filluar nga zero deri te 100 %? Po të ma sillni djalin që ta shoh, besoj se do t’ju bind! Mua më kanë sjellë një djalë, për të cilin prindërit kishin menduar se ishte qullac, i sëmurë e me depresion dhe e kishin mbajtur vetëm mbyllur. Ata besonin se ai, po të ecte, do të rrëzohej… Ata u habitën se si unë e aktivizova dhe e gjallërova këtë fëmijë me anë të seancave tip “lojërash”, aq sa ia mësova edhe biçikletën tek oborri im, brenda disa orësh. Ata nuk u besonin syve kur e panë. “Çfarë i ke bërë djalit?”, më pyeti e ëma me lot në sy. “Çfarë nuk i keni bërë ju?”, iu përgjigja. Unë u thashë se kishin bërë shumë gabim që e kishin mbyllur atë në atë që quhet “zona e rehatisë së keqe”, pra, e keqpërshtatjes, ku aftësitë e tij duke mos vepruar, jo vetëm që nuk janë zhvilluar, por janë dëmtuar për shkak të asaj që quhet “atrofi”. “Atrofi” do të thotë pakësim ose mpakje për shkak të mosfunksionimit. Deri edhe klloçka i thërret zogjtë për ta copëtuar ata vetë një thërrmijë, deri edhe macja, pasi ka kapur ndonjë mi, i lë macet e vogla që të stërviten me të. Deri edhe ulkonja u jep këlyshëve që ta mbajnë një sheleg a qengj që ka rrëmbyer, apo edhe tigri e luani të vegjlit i mësojnë me gjuetinë, përndryshe kur të ndodhë “shkëputja”, domethënë, rritja, ata do të ngordhnin po të mos gjuanin. Kush i mëson këto kafshë që të veprojnë me kaq “mençuri” edhe pse pa llogjikën e njeriut dhe nga e dinë ato se dhembshuria në këto raste është një dëm e këshilltar i keq? Kjo ka ndodhur deri diku edhe me fëmijët e mi, të cilët duke qenë të kulturuar si fëmijë “profesori”, nuk duronin dot sjelljet ose fjalorin e rrugës, ndërkohë që edhe në atë kohë, sado kohë e errët që ishte, fëmijët e udhëheqësve bënin shkolla të njëjta si ne, ose vinin në aksione apo zboret ushtarake, pa asnjë favorizim. Atëherë, përdorej shprehja “kalitje përmes vështirësive” ose “edukim nëpërmjet punës”, ndërsa sot, psikologët thonë se “çdo njeri, që të arrijë jetën, duhet të kalojë përmes dhimbjes”.

Mbaj mend në shkollën e lartë se vetë djalit të Mehmet Shehut, sot shkrimtari Bashkim Shehu, në aksion për hapjen e hekurudhës Fier-Ballsh, i ishin gjakosur duart duke punuar si gjithë të tjerët dhe hante në mensat e aksionit si të tjerët ose merrte me vete bukë e djathë dhe domate. Unë nuk e lavdëroj atë regjim dhe as nuk e di se si jetonin në Bllok ata që u dënuan si bllokmenë ose bijtë e tyre, por di të them se Blloku sot është bërë i “pistë” sepse para 23 vitesh u “çlirua” nga bllokmenët, por u pushtua nga droga, alkoolet dhe e ashtuquajtura “jeta e natës” (më mirë thuaj, jeta e errët) dhe pikërisht aty në Bllok kanë ndodhur e po ndodhin shumë ngjarje të rënda, deri edhe vrasje apo vetëvrasje. Kaloj andej se e kam afër shtëpisë dhe më zë syri rini të dhjamosur si të përgjumur që kalojnë aty me orë të tëra pa libra në duar, por nën tymra e që ndodh të ndotin edhe rrugën aty. E çfarë të ardhmeje kanë këta njerëz të rritur qullashë nën erërat e alkoolit, drogës e duhanit? Pse prindërit robëtohen për vete dhe ua mbushin çdo ditë kuletat këtyre “bythëpabukësve” pa ditur se çfarë po bëjnë e ku venë?! Ç’duhet një i ri i cili nuk ka asnjë lloj suksesi as në shkollë, as në punë e nuk e vret mendjen që të mësojë ndonjë profesion apo gjuhë të huaj? Tani kur po shkruaj, i kujtoj spartakiadat, veprimtaritë fizike të asaj kohe, deri edhe varkat te liqeni e xhirot e gjata në Bulevardin e Madh. Pse jo, dita fillonte kudo me fizkulturën e mëngjesit dhe them me vete: mjerë këta njerëz sot që po plaken vetëm se bëjnë jetë sedentare (kudo në kolltuk), por edhe ushqehen me ushqime jo bio e me bukën që s’dihet se nga ç’miell bëhet. Janë braktisur fshatrat ku janë puna dhe prodhimi i të mirave materiale dhe njerëzit po ngjeshen si sardelet në Tiranë, prandaj dhe te Blloku nuk gjen vend ku të ulesh, në vend që kjo të ndodhte në biblioteka. Në atë kohë nuk përballohej korrja e grurit nëpër fusha e sot po korret më shumë drogë. Edhe zbori apo ushtria, sikur asnjë vlerë të mos kishin, kishin një vlerë të madhe sepse ishin terapia më e mirë kundër dhjamosjes dhe inaktivitet fizik. Ajnshtajni ka thënë se “asgjë nuk e dëmton njeriun më shumë sesa inaktiviteti fizik”.

Mbaj mend në shkollën e mesme mësuesen e anglishtes Shpresa Marko, vajzën e Rita Markos që në aksione apo zbore ishte po aq e thjeshtë, vepruese dhe e palodhur si të ishte e barabartë me ne nxënësit. Ajo vinte në shkollë në këmbë ose me urban apo biçikletë, por jo me makinën e babait, siç veprojnë sot ca fëmijë politikanësh të cilët s’po lënë punë pa bërë të fshehur pas xhamave të padukshëm e targave të makinave të baballarëve të tyre.

E nderuara letërshkruese, jua shkrova të gjitha këto sepse atë djalin 15 vjeçar ju do ta nxirrni jashtë jetës në qoftë se nuk e mësoni të bëjë ndonjë punë apo të marrë profesion, pse jo edhe karrocier apo të ruajë pulat e detit, sepse duke e mbajtur të “mbyllur”, do ta bëni gjithmonë të “sëmurë” e të paaftë për të jetuar. Këto janë më shumë probleme “psikologjike” të prindërve sesa të fëmijëve sepse në Dibër thonë “fëmijës mos i lër pasuri, por jepi dituri e aftësi”. Dihet se amerikani nuk të fal një peshk, por të mëson se si ta zësh një peshk. Mjerë ata që nuk përgatiten e nuk i përgatisin për jetën. Sa më shpejt, sa nuk është tepër vonë, mos e bëni “invalid” këtë 15 vjeçar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *