Ish-i dashuri i vdekur
– Kam parë në ëndërr ish-të dashurin sikur kishte vdekur. Bashkë me një shok, ai kaloi nga lagjja ime dhe më tha: “Do iki të pi një kafe dhe do të kthehem përsëri. Ti dil në ballkon dhe do të të përshëndes me dorë”. Pastaj pashë sikur isha me mamin dhe po shikonim për një apartament në pallat të ri. I thashë mamit që ta blinim.
– Ish-të dashurin ju e mendoni gjatë ditës, ndaj është e pashmangshme të mos e shikoni. Gjithsesi, ëndrra tregon një lloj rigjallërimi, jo të marrëdhënies suaj, por të gjendjes suaj shpirtërore. Do të ndiheni më e çliruar nga e kaluara, shumë më e gjallë dhe gati për të patur një njohje të re, duke hedhur pas të kaluarën. Propozimi për apartament të ri tregon planet tuaja dhe rimëkëmbjen shpirtërore.
Gjyshi i inatosur
– Kam parë në ëndërr gjyshin sikur e inatosa. Unë vrapoja dhe ai po më ndiqte nga mbrapa. Kur doli, më goditi me pistoletë, por pistoleta nuk më preku. Pres një shpjegim.
– Një ëndërr e tillë tregon që duhet të bëni kujdes në ambientin shoqëror sepse dikush mund të përpiqet t’ju bëjë keq (jo t’ju vrasë, mos kini frikë) me ndonjë muhabet, ndonjë projekt, etj. Gjyshi që ju është shfaqur në ëndërr është një lloj paralajmërimi që të keni kujdes. Gjyshërit dhe prindërit në ëndërr shfaqen vetëm për këshilla, mall dhe që t’ju paralajmërojnë për ndonjë gjë jo të mirë, kur janë të shqetësuar për ne.