Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Më thonin se diferenca është problem

E nderuar redaksi dhe ju lexes të gazetës!

E vendosa ta tregoj historinë time ditën që djali im mbushi një vjeç, sepse atë ditë e pashë “problemin” e diferencës së madhe në moshë me tim shoq, atë që shumë persona ma kanë thënë më përpara.

Kam lindur në një qytet të vogël dhe prindërit e mi vendosën të vinin të jetonin në Tiranë kur unë isha pesë vjeçe. Motra ime e vogël ishte nëntë muajshe. Unë dhe motra ime nuk kuptonim asgjë nga bisedat e prindërve tanë e sigurisht që nuk kuptuam asgjë nga sakrifica e tyre për t’u integruar në jetën e kryeqytetit. Prindërit e mi janë pa fakultete, por janë shumë punëtorë. Im atë filloi punë si shitës në një firmë për materiale ndërtimi. Puna ishte shumë larg se këto lloje firmash janë në autostradën Tiranë- Durrës dhe për mamanë time që vinte nga një qytet i vogël e që nuk e njihte mirë Tiranën, vitet e para u kthyen në një stres.

Advertisement

– Kam frikë nga çdo zhurmë që dëgjoj. Më duket sikur jam e vetme në gjithë botën! – i thoshte ajo babait kur ai kthehej nga puna.

– Po ke vajzat, mos u mërzit kaq shumë grua, vetë ishe dakord që të vinim në Tiranë. Epo, kjo është jeta në këtë zallamahinë që zgjodhëm, – dhe ndërsa hante e luante me ne, njëkohësisht fliste e sqaronte edhe mamanë.

Kështu kaluan tri vitet e para, me mamanë që i lexohej tmerri në sy kur sëmurej motra e vogël dhe duhej të dilnim të dyja bashkë e ta çonim në spital. Ndërsa vitet kalonin, ne rriteshim dhe mamaja ime filloi të mësohej me rrugët e Tiranës, filloi të dalë. Ndërkohë, me rritjen tonë, kërkesat rriteshin edhe më shumë. Më në fund, edhe pallati ku ata kishin prenotuar një hyrje mbaroi dhe u futëm në shtëpinë tonë të re. Shtëpia jonë ishte e thjeshtë, por e bukur. Mamaja është grua shumë punëtore, e pastër dhe çdo gjë shkëlqen gjithë kohën. Kur unë u bëra shtatë vjeçe, fillova shkollën, motra u rrit dhe u bë për kopësht. Atëherë mamaja paradite mbeti vetëm në shtëpi dhe vendosi të kërkonte një punë për disa orë. “Njeriun punëtor e ndjek puna gjithandej nga shkon”, thonë pleqtë andej nga anët tona e kështu mamaja gjeti punë për t’u kujdesur për një plakë gjashtë orë në ditë, gjatë gjithë javës. Ajo shkonte katër orë paradite kur unë isha në shkollë e motra në kopësht dhe mbasdite, sapo babai kthehej në shtëpi, ajo shkonte dhe kujdesej për plakën dy orë të tjera. Puna e saj ishte jo vetëm ndihmë ekonomike në shtëpi, por edhe një mënyrë për ta nxjerrë atë nga shtëpia. Edhe plaka për të cilën kujdesej ishte shumë e mirë, e zgjuar dhe shpesh i kërkonte mamasë të na merrte neve mbasdite me vete.

– Më ka marrë malli për mbeskat e mia që janë në Greqi, – i thoshte, – prandaj do puth çupat e tua.

E kështu, ndërsa ne rriteshim, babai, me punë shumë të lodhshme e përpjekje, nga shitës, arriti të hapte një dyqan të vetin që e mori me qira. Kishte fituar simpatinë e klientëve dhe ata që donin të blinin me sasi të vogla e mësuan shumë shpejt dyqanin që hapi, kështu që puna filloi t’i ecte mirë. Unë shkollën tetë-vjeçare e mbarova shkëlqyeshëm dhe shkollën e mesme e fillova te “Petro Nini”, ndërsa motra ishte në tetëvjeçare dhe unë kujdesesha që ajo të ecte mirë me mësime.

E kam dashur gjithmonë shkollën, i kam adhuruar librat dhe të gjithë librat e shkollës i lexoja nga fillimi deri në fund që muajin e parë kur fillonte shkolla. Më pas i mësoja paralelisht me shokët. Kam patur prirje për shkencat ekzakte e kështu si unë, edhe motra. Në shkollë të mesme kam patur në klasë një kushërirë të largët nga babai që ishte jo vetëm e bukur dhe nxënëse shumë e mirë, por edhe natyrë e shkathët. Ajo kishte lindur e qe rritur në Tiranë dhe njihte mirë çdo rrugë e rrugicë. Me kushërirën time M.-në jo vetëm kemi ndjekur rregullisht shkollën dhe kemi marrë rezultatet maksimale, por edhe kemi shëtitur. Prindërit e saj ishin mirë nga ana ekonomike dhe të mitë po e merrnin veten. Ajo kishte një vëlla më të madh që punonte dhe kishte makinë.

– Është më mirë t’i shëtis unë, t’ua shuaj kuriozitetin për diskot e pabet unë sesa të shkojnë me njerëz që nuk i njohim, ose të takojnë dreqi e di se kë nëpër lokale, – thoshte kushëriri im, vëllai i M-së.

Kështu, adoleshenca ime kaloi më së miri; edhe shkollën, edhe argëtimin. Bashkë me shoqen time vendosëm të vazhdonim Fakultetin Ekonomik dhe që të dyja fituam. Kushëriri im na shoqëroi edhe në fakultet e ndërkohë, merrja me vete edhe motrën se ajo ishte adoleshente. Gjatë këtyre shëtitjeve, ai u dashurua me një nga shoqet e grupit tonë, një vajzë e mrekullueshme me të cilën u martua. Sot ata kanë një vajzë si drita.

Kur mbarova fakultetin, tashmë e pjekur, e bukur, e veshur më së miri dhe në kërkim të një pune, u njoha me një djalë që do të bëhej bashkëshorti im. Njohja jonë ishte krejt e rastësishme. Një shoqe më kishte thënë që në një bankë kërkonin punonjëse, si fillim, në arkë. Menjëherë, me CV-në në dorë u paraqita në zyrën e Marrëdhënieve me Publikun. Ndërsa prisja radhën për të dorëzuar dokumentet e mia, ndjeva që dikush po më shihte pa e çarë kokën se më vinte në siklet. U ktheva dhe e pashë me inat për t’i dhënë të kuptonte që nuk isha aty për të “gjuajtur”, por ngeca. Ishin dy sy të bukur që më vështronin gjithë dashuri e mrekullim. Një djalë i bukur, i gjatë, i hollë, i veshur shumë bukur. Ai përfitoi që unë u ktheva ta shikoja dhe erdhi menjëherë e m’u ul afër.

– Jam G., – më tha dhe më zgjati dorën. – Mos je gjë për të dorëzuar CV-në për këtë vendin e punës?

– Po, – i thashë dhe ai menjëherë, i palosi dokumentet që kishte në dorë dhe i futi në xhep.

– Edhe unë, – më tha, – por nuk po i dorëzoj. Uroj të të përzgjedhin ty, ama unë do të të pres këtu dhe dua të pimë kafe bashkë.

E pashë me habi për guximin, edhe pse më pëlqeu, por buzëqeshja e tij nuk më la t’i përgjigjesha. Erdhi radha ime dhe unë dorëzova dokumentet, bëra intervistën dhe dola. Sigurisht që G.-ja po më priste dhe dolëm të dy bashkë nga banka.

– Ku do që ta pimë atë kafen që më premtove? – tha dhe qeshte me të gjithë dhëmbët përjashta. Nuk kisha asnjë shans t’i thoja “jo” dhe i tregova me kokë kafen më të afërt. – Po sikur të shkojmë te tjetra ngjitur? Ka më pak zhurmë dhe unë dua të të dëgjoj zërin, – më tha dhe më kapi përdore e kaluam rrugën. Sapo u ngjitëm në trotuar, më lëshoi duke parë sikletin tim dhe deri te kafja ecëm pa folur përkrah njëri-tjetrit.

Në kafe m’u zgjidh gjuha dhe fillova të flisja me të sikur e njihja prej kohësh. Pas dy orësh që kaluan sikur të kishin qenë dy minuta, i thashë që duhej të kthehesha në shtëpi.

– Nuk po të them të të shoqëroj, por do të më japësh numrin e telefonit. Apo të kem besim e të të jap vetëm unë numrin tim që të më marrësh ti?

– Më mirë më jep ti numrin, – i thashë, ndërsa qesha me dyshimin e tij.

– Mund të të besoj vërtet se do të më marrësh? – ky ishte momenti i vetëm që e pashë serioz.

– Po, do të të marr ose që të të pyes a ke kohë për kafe, ose që nuk dal dot për kafe, – i thashë dhe i drejtova një letër e stilolapsin. Ndërsa shkroi numrin e tij të celularit, nuk shihte në letër, por më shihte mua.

– Të lutem më merr, – tha dhe ndërsa mora letrën, më kapi dorën pa më tërhequr dhe ma përkëdheli, sa u rrënqetha e tëra nga ajo prekje. U ndamë dhe rrugës për në shtëpi u ktheva dy-tri herë për të parë nëse po më ndiqte nga pas. Jo, i kishte besuar fjalët e mia.

Pas dy ditësh e mora në telefon. Ndërsa binte zilja e telefonit, u përpoqa të mblidhja veten që të mos më dridhej zëri.

– G., jam K., mirë je?

– Sigurisht që mirë jam, më ngrive gjakun. Kam dy ditë që shoh telefonin se mos po më merr.

– Ja që të mora tani. A ke kohë për kafe?

– Edhe në Hënë po të isha, do të vija, – tha dhe në zë ia ndjeva gëzimin.

Pasi e vendosëm kur dhe ku do takoheshim, mbylla telefonin dhe nuk dija ç’të mendoja. Ai djalë më kishte hyrë në zemër qysh me shikimin e parë. Edhe ai ishte pa punë, dukej i sjellshëm, ishte me shkollë, natyre trendi, ç’të bëja? Dukej i pjekur, dukej që ishte goxha më i madh se unë, po nuk e kisha pyetur sa vjeç ishte. Edhe ankthi që do gënjeja mamanë kur të dilja në anën tjetër. Shkova në kafe në orar, por ai kishte arritur para meje. Sapo u ula, ai, që po më vështronte me imtësi, më tha:

– Çfarë të mundon? Dukesh në siklet të madh.

– E para, kam gënjyer mamanë. Nuk më ka ndaluar njeri të dal, por nuk e kam gënjyer kurrë. Dhe e dyta, njihem aq pak me ty e vij ulem në kafe…

– Po një mënyrë do ta gjejmë për t’u njohur! Pastaj, ti nëse ndihesh kaq keq, mund t’i tregosh mamasë që po takon një shok, një djalë që të pëlqen dhe mund t’i tregosh emrin e kafes.

– Ti e ke kollaj se je djalë dhe i thua mamasë që “po dal të takoj një vajzë”, po unë s’i them dot.

– Mund të flasim për gjëra të tjera atëherë që të njihemi shpejt e shpejt dhe të mos e gënjesh më? – tha dhe qeshi si gjithmonë me të gjithë dhëmbët përjashta. Nuk i rezistoja dot asaj të qeshure. E kaluam mirë jo vetëm atë ditë në kafe.

Pas dhjetë ditësh më morën në telefon nga banka dhe më thanë që e kisha fituar vendin e punës. Shumë e lumtur e mora menjëherë G.-në dhe i tregova.

– Atëherë duhet të festojmë, – më tha.

– Joooo, nuk gënjej dot që po dal të festoj me shoqe, – i thashë me një frymë.

– Epo atëherë sajo ç’të duash, por tani që je në punë, do ta gjesh kohën kur të duash dhe do pish kafe edhe me mua. Nuk pranoj të më lësh mua për punën, – dhe filloi të qeshte.

Kështu, ne takoheshim çdo ditë për një vit. Më në fund, kur G.-ja filloi punë, më erdhi në punë me një dhuratë të vockël në dorë. – Hape shpejto dhe më thuaj a të pëlqen apo jo. – tha, ndërsa më shikonte gjithë ankth. E hapa dhe në kutizën e vockël pashë një unazë të mrekullueshme.

– A pranon të martohesh me mua? – më pyeti ndërsa po qeshte jo si gjithmonë, por me ankthin e përgjigjes. Për një moment mbeta me gojën hapur, sepse nuk e prisja në këtë mënyrë propozimin e tij.

– Po ti, nuk do të më lësh asnjë moment kohë që të mendohem? – thashë dhe pashë që i ngriu fytyra. – Unë duhet të të puth nëse jam dakord, kurse ne në mes kemi gjithë këtë banak!

– Atëherë ku të të pres pas pune? – tha, ndërsa dukej që po qetësohej. – Te kafja jonë?

Unë pranova dhe ai doli. Menjëherë mora celularin dhe i çova një mesazh “Të dua jeta ime”. Desha ta qetësoja, të dilja ta përqafoja… Mezi e shtyva orarin dhe dola me vrap për te kafja jonë. Më priste në tavolinën tonë dhe ankthi akoma nuk i kishte kaluar.

– Atëherë, u mendove? – ishin fjalët e para që më tha.

– Ta thashë me mesazh direkt sapo dole nga puna ime, – i thashë.

– E kam harruar telefonin në shtëpi, o Zot po më ikte truri e s’e paskam ditur. Pa hë, ç’më ke shkruar? – tha.

Iu afrova dhe ndërkohë që iu futa në gji, e putha në qafë dhe i thashë: – Të dua jeta ime, këto ishin fjalët që të shkrova në mesazh. Po, jam dakord ta kaloj pjesën tjetër të jetës në krahët e tu.

Edhe ai më përqafoi e ashtu të përqafuar, e pimë kafen.

– Pra, je dakord të martohesh me mua, edhe pse jam goxha më i madh se ti?

– Po ç’lidhje ka? Unë të dua, – thashë dhe u mbështeta më fort pas tij. Ne u fejuam pas një muaji dhe u martuam pas dy vitesh fejesë. Kam qenë e lumtur çdo ditë me të, qysh kur e njoha, por tani që e shoh se si flet e qesh me të gjithë njerëzit tanë, e kuptoj që diferenca në moshë në çift jo domosdoshmërisht është problem.

Kështu, vajza, nëse një djalë është i pjekur nuk është problem, por nëse është i rritur dhe i papjekur, atëherë po që diferenca është problem.

 

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Çfarë procedure të ndjek për t’i marrë prindërit në Itali?

Next Post

Vajzat kerkojne djem...

Advertisement