Përbërësit për 4 vetë:
4 kunguj të mëdhenj
2 domate të pjekura, të ndara në kube të vogla, bashkë me lëngun
200 gramë sallam i grirë në kube
100 gr djathë i bardhë
2 vezë
50 ml qumësht
3 feta buke, pa kore, mundësisht bajate, të copëtuar
1 lugë nenexhik i thatë apo i njomë
80 ml vaj
Kripë, piper
Përgatitja
Ngrohim furrën në 180 gradë celsius. Presim kungujt në mes, sipas gjatësisë dhe me një lugë të vogël u heqim tulin, duke lënë vetëm një cm trashësi. Nëse tuli nuk ka shumë fara, e mbajmë dhe e përdorim. I vëmë kungujt në një tepsi, mundësisht sa madhësia e tyre, u hedhim kripë dhe piper, 50 ml vaj dhe i pjekim afro 20 minuta, derisa të zbuten lehtë. Njëkohësisht, në një tigan nxehim vajin e mbetur në zjarr të fortë dhe kavërdisim sallamin e grirë, bashkë me gjysmën e sasisë së tulit të kungujve për 4-5 minuta. Gjysmën tjetër të tulit e ruajmë për ndonjëherë tjetër. Hedhim domatet, kripë e piper dhe e lëmë 4-5 minuta sa të lidhet salca. E heqim nga zjarri dhe e lëmë mënjanë të ftohet pak. Në një tas hedhim vezët, qumështin, gjysmën e bukës, djathin, nenexhikun, përzierjen e tiganit dhe i përziejmë. Nxjerrim nga furra kungujt, i mbushim me mbushjen e përgatitur, sipër u hedhim thërrimet e mbetura të bukës dhe i pjekim 10-12 minuta derisa mbushja të mpikset dhe të marrë një ngjyrë të kuqërreme në sipërfaqe. E shoqërojmë me sallatë.