– Dua të di se cilat janë shenjat e vërteta të akneve. Ndonjëherë nuk i dalloj këto puçrrat e kuqe nga aknet, apo janë e njëjta gjë të dyja? Si trajtohen aknet? Faleminderit.
Dr. Albana Lufi, Ph.D in Dermatology: – Shenjat klinike të akneve janë të lidhura me gradat e tyre. Në varësi të elementeve klinike dallojmë tre forma klinike të aknes. Aknet e gradës së parë, ose akne me komedone (me pika të zeza dhe të bardha). Në këtë gradë janë të pranishme komedonet (pikat e zeza dhe të bardha) dhe rrallë shfaqen puçrrat e kuqe me ose pa qelb (papula dhe pustula). Aknet e gradës së parë fillojnë në pubertet me lezione në fillim në hundë e më pas në ballë dhe faqe. Tek aknet e gradës së dytë ose aknet papulopustuloza, krahas komedoneve ose pikave të zeza janë të pranishme dhe puçrra të kuqe me ose pa qelb (papula dhe pustula). Komedonet e inflamuara kthehen në papula dhe pustula. Nëse inflamacioni avancon shumë, nga komedonet zhvillohen dhe noduse të dhimbshme. Ecuria në këtë gradë të aknes mund të jetë e lehtë, vetëm me disa papula, pustula ose më e shprehura me papula, pustula, noduse të shumta në faqe, qafë, gjoks, shpinë dhe në pjesën e sipërme të krahëve. Përsa u përket akneve të gradës së tretë ose siç njihen ndryshe konglobata, mund të themi se kjo është forma më e rëndë e aknes dhe prek më shumë meshkujt sesa femrat. Ajo paraqitet me komedone, papula, pustula me kruste hemorragjike, noduse të dhimbshme që bashkohen dhe nxjerrin gjak. Në këtë fazë të aknes shfaqen dhe shenja. Lëkura e yndyrshme është e pranishme në të gjitha gradët e aknes.
– Dhe lind pyetja se si trajtohen aknet, çfarë duhet të ketë parasysh një person i cili i has ato fillimisht në lëkurë? Shpeshherë, në praktikën e përditshme, ndeshemi me shprehjen se aknet janë puçrrat e moshës dhe nuk kanë nevojë për trajtim. Akneja shpeshherë shkakton një stres të konsiderueshëm te personat e prekur dhe kryesisht, tek adoleshentet. Trajtimi i aknes vulgaris shkurton kohën e zgjatjes së sëmundjes, zvogëlon ashpërsinë e saj, eviton mbetjen e shenjave. Gjithashtu, përmirësimi i aknes redukton stresin që ajo shkakton. Trajtimi i aknes bëhet në varësi të gradëve ose formave të saj. Për trajtimin e aknes së gradës së parë përdorim retinoidet lokale (Tretinoine në formë kremi, xheli, solucioni) ose Benzoyl Peroxyde. Trajtimi i aknes së gradës së dytë mund të bëhet duke përdorur retinoidet lokale ose Benzoyl peroxyde të shoqëruar me përdorimin e antibiotikëve lokalë. Në antibiotikët lokalë përdorim Clindamycinen, Erythromycinen. I këshillueshëm është edhe përdorimi i acidit azelaik. Në aknen e gradës së tretë, medikamente të linjës së parë janë: retionidet lokale dhe antibiotikët oralë. Antibiotikët që jepen nga goja mund të jenë: tetraciklina, doxaciklina, minociklina, erythromicina. Antibiotiket përdoren gjithmonë të kombinuar me retinoidet lokale. Gjithashtu, në këtë gradë të ankes në format e acaruara dhe në rastet kur mjekimet e dhëna nuk kanë dhënë përmirësimin e pritur mund të përdorim kontraceptivët oralë te femrat ose izotretinoinen orale, si te femrat, ashtu edhe te meshkujt.
– Në raste të tilla dhe në rastin tuaj ju këshilloj të drejtoheni te mjeku dermatolog dhe jo në farmaci ose tek estetistet, pasi është ai që do të vendosë për skemën e trajtimit të aknes. Mjeku dermatolog do të vendosë për zgjedhjen e kremit ose xhelit për lyerje, të vetme apo të shoqëruara me medikamente të tjera sistematike në varësi të gradës së aknes dhe ndjeshmërisë së lëkurës. Gjithashtu, mjeku dermatolog do të japë të gjitha këshillat e nevojshme se si duhet të kujdeseni për lëkuren me akne. Është e rëndësishme që ato të shikohen nga afër për t’u vendosur mjekimi i saktë.
Advertisement