Është bërë nënë prej pak kohësh dhe ndihet si në qiellin e shtatë nga dhurata që i ka dhënë Zoti. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Atila, i kanë vënë vajzës së sapolindur një emër sa të veçantë, aq edhe kuptimplotë, Ynwa (You never walk alone-ti nuk do të ecësh kurrë vetëm), duke treguar me të se do të jenë gjithmonë pranë vajzës së tyre. Në këtë intervistë, Drenusha tregon edhe si është njohur me Atilën dhe për jetën që po bën pranë tij…
Fabjola Kuburi: – Drenushë, çfarë ka ndryshuar në jetën tënde tani që je bërë nënë?
Drenusha Latifi: – Është ndjenja më e bukur dhe e papërshkrueshme në të njëjtën kohë. Jeta ka marrë komplet kuptim tjetër.
– Për vajzën kujdesesh ti apo Atila?
– Të dy, por normalisht, unë kam më shumë përgjegjësi si nënë.
– Si jeni njohur ju të dy? Njohja me Atilën, mund të përshkruhet si një rastësi?
– Po, ka qenë një rastësi… Në fakt, ai më njihte mua si figurë dhe më ftoi në takim. Kështu ka ndodhur fillimisht e lidhja jonë vazhdoi e po vazhdon edhe sot.
– Çfarë ju tërhoqi fillimisht te njëri-tjetri?
– Ishte shumë i drejtpërdrejtë me mua, kishte një jetë goxha interesante, çdo ditë kishim për çfarë të bisedonim, bënim muhabet gjatë, na pëlqente të rrinim me njëri-tjetrin dhe këto janë gjëra që e bëjnë një lidhje të bukur.
– Sa kohë pasi u takuat, e dhatë puthjen e parë?
– Ndoshta pas takimit të dytë ose të tretë. (Buzëqesh)
– Po familjeve, kur u treguat?
– Kanë qenë të informuara që në fillim, kështu që nuk janë habitur se nuk kishin pse të habiteshin, përveç faktit se duhet të gëzoheshin.
– Si reaguan miqtë e Atilës kur mësuan që ai ka të dashur Drenusha Latifin?
– U treguan shumë të mirë, madje kishte nga ata që edhe e pëlqenin tej mase lidhjen tonë.
– Cili është kujtimi më i bukur në këto kohë lidhje?
– Kemi shumë kujtime të bukura… Kemi udhëtuar shumë së bashku, kemi përjetuar shumë gjëra, si të këqija, ashtu edhe tepër të bukura, por lindja e Ynwes është kujtimi më i bukur për momentin.
– Po dhurata më e bukur që i keni bërë njëri-tjetrit?
– Ai më ka bërë dy piktura shumë të bukura, njërën ku jemi ne të dy bashkë dhe një, ku është vizatuar Ynwe në javën e nëntë të shtatzanisë, kurse unë i kam bërë njëherë një dhuratë që i pëlqeu për ditën e të dashuruarve në 14 shkurt: një palë mansheta shumë të bukura për këmishë.
– Kur je e dashuruar me një biznesmen si Atila, është mirë apo shumë mirë?
– Është tip familjar, social, prandaj u dashurova, nuk ka lidhje me faktin që ai është biznesmen.
– Ziheni shpesh gjatë ditës?
– Jo, shumë rrallë dhe jo gjatë ditës, por me muaj të tërë mund të rrimë pa u grindur.
– A të është dashur të “sqarohesh” me ndonjë femër për Atilën?
– Jo, ka pas nga ato që kanë qenë kureshtare pse ky më do mua, por nuk ka qenë e nevojshme të sqarohem.
– A do ta falje tradhtinë?
– Nuk e di, akoma s’më ka ndodh.
– Ku qëndron ndryshimi mes teje dhe Atilës?
– Jemi tipa shumë të ndryshëm. Unë, kur e kam gabim, e them, kurse ai asnjëherë s’e pranon kur gabon, por ndërron temën.
– Për çfarë është i mrekullueshëm Atilla?
– Është i mrekullueshëm për mua, nuk mjafton?! (Buzëqesh)
– Sa për qind të ditës ia kushton atij?
– Më shumë ai më kushton mua. Tani është edhe vajza dhe ai po merret me ne të dyja. Ne kemi qenë 24 orë bashkë dhe vazhdojmë të jemi po kështu.
– Çfarë do të ndryshoje te vetja për të?
– Asgjë.
– Lexon ndonjëherë gazeta? Të intereson ndopak politika?
– Shumë rrallë lexoj. Jo politika s’më intereson aspak.
– A e kanë shpërdoruar mediat sinqeritetin tënd?
– Po, ndonjëherë.
– Si e kalon ditën Atila? A ju pengojnë angazhimet e tij në lidhjen tuaj?
– Ai është i përkushtuar për familjen, por nuk më pengojnë aspak angazhimet e tij sepse di t’i menaxhoj punët.
– Të gjithë kemi nga një këngë që na personifikon lidhjen… E juaja, cila është?
– Ka qenë Tuna & Cozman me këngën “Fenix”. Kur u njohëm, kjo këngë sa ishte publikuar.
– Çfarë ndodh kur nxehet Drenusha?
– Përpara, se tani nuk nxehem më, por ai gjithmonë mundohet të më qetësojë.
– Cili është problemi më i mprehtë që vë në rrezik lidhjet, sipas teje?
– Që në momentin që e kam zgjedhur, domethënë se nuk ka pikë që të na e rrezikojë lidhjen.
– Për çfarë mund të derdhë lot Drenusha?
– Për familjen time, për mamin kur më merr malli për ta takuar, sepse tani unë jetoj në Suedi.
– Ka shumë sekrete të fshehura në shpirtin tënd?
– Jo, nuk jam tip që mbaj sekrete, jam shumë e hapur, madje të gjithë më thonë që nuk duhet të jem kaq, por kështu jam unë…
– Pika jote e dobët…
– Manovrimet prapa shpinës sime i kam pikë të dobët. Kur i nuhas, dua t’i nxjerr sheshit.
– Pse mendon se i dukesh tërheqëse Atilës?
– Se jam vetvetja e nuk kam komplekse, pavarësisht si dukem vetë. Ma ka thënë me mijëra herë.
– Ti vetë, sa e vlerëson bukurinë dhe zgjuarsinë e një femre?
– Shumë dhe kam dëshirë që çdo femër ta kuptojë që paraqitja e jashtme ka rëndësi, por po ashtu edhe zgjuarsia, që është më shumë dhuratë e Zotit…
– Çfarë të karakterizon për momentin në shpirt ty dhe çfarë Atilën?
– Nëse e ke fjalën për emocione, jam shumë e qetë dhe e lumtur, i kam të gjitha të mirat prej Zotit. Atila gjithashtu është shumë i lumtur sepse është tip i hareshëm.
– A ka një recetë që një mashkull të bëjë për vete një femër?
– Kjo është pyetje për Atilën, jo për mua.
– A e ke numëruar sa herë në ditë e puth ti atë?
– Vazhdojmë lidhjen si në ditët e para, po tani kemi kujt t’i dhurojmë puthje… Ynwa e ka përqendrimin dhe dashurinë maksimale; ajo merr puthje tani.
– Ku i blen veshjet zakonisht?
– Gjithkund në Kosovë e jashtë shtetit. Mbase jashtë shtetit më shumë se kudo.
– Sa “full” është dita jote në këtë periudhë?
– Gjithçka i dedikohet Ynwes, ajo është vetë dita ime.