Historia e jetës sime është shumë e dhimbshme, por bashkë me dhimbjen mendoj se ka edhe pak turp brenda. Nëse sot dëgjon lajmet, këta të rinjtë e sotshëm që lexojnë në internet, apo ne plakat kur bëhemi bashkë të pimë kafe e tregojmë ato që dëgjuam, nuk na çuditin më çfarë dëgjojmë, por në rininë time, kjo histori bëri bujë të madhe.
Kam lindur në një qytet bregdetar, kemi qenë familje e qetë megjithëse të varfër. Babai për nga natyra pinte pak, por nuk ishte i dhunshëm as me mamanë e as me ne tre fëmijët. Problemi i tij më i madh ishte se nuk kishte qejf të punonte e rrjedhimisht, një familje ku nuk punon i zoti i shtëpisë dhe mbahet veç nga puna e gruas, dihet se ka probleme ekonomike. Mamanë time e mbaj mend gjithmonë që përveç punës në grumbullim ku punonte, mbasditeve thurte me shtiza triko për fëmijët e komshinjve apo për komshijet që nuk dinin të punonin me shtiza. Bënte edhe çentro shumë të bukura me grep. Edhe qëndiste me fije të hollë e bënte gjëra të veçanta. Ka patur jo vetëm duar të arta, por edhe fantazi të paparë për të krijuar gjithmonë modele të reja. Bënte edhe paja vajzash të reja.
Kështu na rriti ne tre fëmijët mes hallesh, por mes qetësisë në familje. Vëllai, që ishte më i madhi, filloi punë në zdrukthtari dhe mori zanat. Ai me siguri i ngjante mamasë duarartë. Unë isha fëmija i dytë dhe pas shkollës tetëvjeçare mbarova një kurs dy vjeçar dhe fillova punë si ndihmëskuzhiniere. Në kohën time ishte privilegj kursi dyvjeçar që bëra, se sot duket krejt absurde. Motra ime e vogël ishte shumë bukuroshe dhe ishte rrumbullake, fëmijë shumë i këndshëm dhe gjithë lagjja e puthnin dhe e thërrisnin kur kalonin pranë shtëpisë tonë. U rrit si fëmijë i llastuar, edhe pse nuk ishim të kamur.
Me rritjen tonë, fatmirësisht, mamasë iu liruan krahët. Babai vazhdonte avazin e tij dhe më në fund vendosi që djali tashmë njëzet e tre vjeç, duhej martuar. Pasi iu lut vëllait që të vendoste të martohej, i gjeti disa vajza që ai t’i shikonte.
– Janë familje të mira, – thoshte babai. – E bija e S. ngjan me nënën tënde kur ishte e re. Është ashtu e vockël dhe e këndshme, pastaj sikur i fluturon puna nga dora. Të duhet një grua punëtore bir; nëna jote dhe ju keni vuajtur me dembelizmin tim. Kjo vajzë më pëlqen më shumë nga gjithë të tjerat.
E kështu, me këmbënguljen e babait, vëllai pranoi të takonte një herë vajzën e S. dhe babai kishte patur të drejtë. Edhe vëllait i ngjiti menjëherë. Kur u kthye nga takimi, tha se ishte dakord që të martohej me të. (Në vitet ’60, kështu martoheshin njerëzit, me një takim, ose pa asnjë takim, veç me miratimin e prindërve). Vëllai u fejua dhe u martua pas një viti sepse krushku kishte edhe djalin e vajzën tjetër të fejuar dhe do të bënte dy dasmat e tjera atë vit. Atë vit që vëllai ishte i fejuar, unë dhe ai u përpoqëm që me rrogat tona të kursenim jo vetëm për dasmën, por edhe të blinim ndonjë gjë për shtëpinë tonë të varfër. Behari erdhi dhe ne lyem shtëpinë, blemë një bufe, mamaja e zbukuroi me çentro, vëllai si zdrukthtar bëri ca punime të veçanta dhe kur erdhi dita e dasmës, shtëpia jonë kishte ndryshuar. Nusja erdhi shumë e bukur. Na erdhi për shtat të gjithëve e jo vetëm vëllait. Ndërkohë, vitet po ecnin dhe për mua, por asnjë nuk më kishte kërkuar në shtëpi. U bëra njëzet vjeç dhe hiç.
– S’kam çupë të keqe, – thosh babai sapo kthente ndonjë gotë, – po nuk ka ardhur fati i saj.
Nusja e vëllait m’u bë si shoqe sepse ishim moshatare. Ajo dhe motra e vogël filluan punë të dyja bashkë. Shkonin e vinin bashkë, por sërish muhabeti, nuses më shumë i hahej me mua. Pas shtatë muajsh jetese në shtëpinë tonë, një ditë ajo më tha:
– Sikur të të prezantoj një kushëririn tim?! Është djalë shumë i mirë. Ai punon e jeton në një qytet tjetër, sepse ushtrinë e ka mbaruar në një repart ushtarak në Tiranë ku ushtarët specializohen për kapterë apo si teknikë për radiomarrëse e dhënëse, nuk e kuptoj mirë këtë, por ta dish që është djalë shumë i mirë. Është pak më i madh se ti po nuk keni ndonjë diferencë të madhe. Pastaj, këta kapterët kudo ku i transferojnë, i rregullojnë me punë jo vetëm ata, por edhe gratë. Ai është njëzet e tetë vjeç… E di që ti je njëzet sa unë, por besomë, është i pashëm dhe burrë për shtëpi.
Meqenëse kisha dëgjuar gjithë kushërinjtë e mi të qaheshin se s’po më dilte fati, pranova menjëherë ta takoja. Nusja jonë kishte të drejtë. Kushëriri i saj ishte djalë dy metra, i bukur, i qetë, dukej pak i ftohtë, por mendova se e kishte nga uniforma e ushtarakut. Pas dy ditësh edhe kushëriri i nuses tha se i kisha pëlqyer dhe erdhën prindërit e tij e më kërkuan në shtëpi. Ne u fejuam shumë shpejt dhe u martuam edhe në gjendje civile, por dasmën nuk e bëmë sepse prisnim që i fejuari im të merrte shtëpi. Atë e rregulluan pas një viti dhe ne bëmë dasëm. U martova kur isha njëzet e dy vjeçe. Isha jo vetëm e ndrojtur, por edhe e paditur në shumë gjëra, por fillimi i martesës sime ishte si ëndërr. Qyteti ku jetonte burri im ishte qytet malor, por i bukur. Isha pak larg nga prindërit dhe lëvizja nga njëri qytet në tjetrin atëherë ka qenë me të vërtetë e lodhshme. Kështu u lidha më shumë me burrin, sepse ishte i vetmi njeri që kisha. Pas tetë muajsh fillova punë në restorantin e vetëm që kishte qyteti. Punova rreth gjashtë muaj dhe isha e kënaqur me punën dhe me kolektivin. Kishim një kuzhinier burrë që ishte natyrë babaxhane, burrë fjalëpak dhe i mençur. Edhe gratë të gjitha ishin të mira. Më mësuan jo vetëm për punën, por edhe për qytetin, njerëzit, jetesën në çift, megjithëse me burrin tim ishte komode të jetoje.
Pas një viti martesë mbeta shtatzënë dhe punova vetëm një muaj sepse shtatzania më zuri më të vjella. Në atë kohë i thoshin “shtatzani toksike”, nuk e di nëse ka ndryshuar emërtimi në ditët e sotshme. Unë u bëra shumë keq. Nuk ngrija kokën nga krevati, mezi haja dy kafshata dhe ato, sapo i haja, i nxirrja. Mjekët më thanë se zakonisht kjo periudhë zgjaste katër-pesë muaj. Duke parë situatën, burri im, nëpërmjet një miku, i kërkoi ndërmarrjes ku punonte motra ime që t’i jepnin katër ose pesë muaj leje dhe sa të kaloja këtë periudhë, të vinte të më shërbente mua. Sigurisht që babai më vëllanë tim nuk ishin kundra dhe motra ime erdhi brenda javës në shtëpinë time. Ajo bënte gjithë punët e shtëpisë dhe rrinte gjithë ditën brenda me mua. Për mua, aq sa shihja shtrirë nga krevati, gjërat ishin në rregull e nuk dyshoja për asgjë, por ja që para se motra ime të ikte, kishte ndodhur proçka. Gjatë periudhës që ajo më kishte shërbyer mua, im shoq kishte hedhur sytë edhe mbi të. Ju thashë në fillim që ime motër ka qenë fëmijë shumë i bukur dhe ashtu kishte mbetur, vajzë shumë e bukur. Ajo ishte e rritur, njëzet vjeçe dhe gjithë nur. Edhe im shoq ishte i bukur dhe ata ishin dashuruar. Kur gjendja ime u përmirësua dhe motra duhej të kthehej në shtëpi, e pashë që po bëhej nervoze, por mendova se e kishte sepse ishte mësuar me mua. Të shtunën që im shoq e pati pushim, u nisën që të dy herët në mëngjes pasi burri duhej të kthehej sërish atë ditë. E përqafova fort kur iku dhe nuk ma mori mendja se ky do të ishte përqafimi ynë i fundit si motra. Ajo iku e im shoq u kthye në darkë në shtëpi. Ishte gjithë hundë e buzë, po mendova se e kishte nga rruga dhe e lashë të qetë të pushonte. Të nesërmen dolëm bashkë për një xhiro të shkurtër në bulevardin e qytetit dhe u kthyem në shtëpi. Heshtja e tij më vrau pak, por do të më vrisnin më shumë sherret e tij. Filloi të grindej me mua për gjëra të kota, “pse s’ke larë këmishën, pse s’ke arrnuar çorapet, pse s’ke fshirë shkallën” e s’di ç’të them për ç’budallallëqe më bërtiste. E pashë që kishte diçka, por mendoja gjithmonë se e kishte nga puna. Puna në repart ishte jo vetëm e mirëpaguar, por kishte dhe ajo zararet e veta.
Erdhi koha të lindja fëmijën dhe ishte muaji prill kur unë linda vajzën time. Ishte bebja më e bukur e maternitetit.
– I ka ngjarë motrës sime, – u thosha infermiereve ndërsa të gjitha vinin e shikonin dhe më thoshin “sa e bukur”.
Edhe im shoq e pranoi me kënaqësi që vajza i kishte ngjarë tezes bukuroshe. Kur prindërit e mi e morën vesh që kisha lindur, erdhi vëllai me mamanë, nusen dhe motrën të më shihnin. U lumturova që i pashë të gjithë në shtëpi dhe motra ime, meqenëse i dinte gjithë cepat e shtëpisë, na shtroi drekën sapo erdhën dhe na bëri edhe një darkë të mrekullueshme. U kënaqëm gjithë darkën dhe më bëhej zemra mal ndërsa shihja tim shoq që ishte i qetë. “Epo mbaroi, mendoja, do ta ketë patur nga ankthi se si do të shkonte lindja”.
Të nesërmen, familjarët e mi ikën dhe në shtëpinë time ra zia. M’u duk sikur e kisha vetëm unë mërzinë për ikjen e tyre, por e pashë që më shumë ishte mërzitur im shoq. Atëherë në të qindat e sekondës më shkoi në mendje se ç’mund të kishte ndodhur në periudhën kur ime motër ishte në shtëpi, por e largova nga mendja. Shava veten për atë ç’kisha menduar dhe vendosa të flisja me tim shoq. Jo për këtë, por ta pyesja se ç’halle kishte, a mund ta ndihmoja që mos ziheshim gjithë kohën.
– Të lutem burrë, do më thuash ç’të mundon? Unë nuk mendoj se po bëj ndonjë gjë që s’të pëlqen, më thuaj ku po gaboj që mos të zihemi më.
– Asgjë, thjesht jam i mërzitur, – më tha e uli sytë.
– Pse s’më sheh në sy kur flet me mua? – i thashë – Diçka duhet të kesh!
– Asgjë të thashë, nuk merr vesh ti, apo duhet të ta them me dru? Edhe më lër rehat tani. – Dhe iku e fut në krevat.
Mendimi që e kisha larguar shpejt nga truri dy ditë përpara, m’u kthye si rrufe. I shkova në dhomë dhe u ula në cep të krevatit.
– Tani më thuaj… mos është për shkak të motrës sime?
Ai shqeu sytë dhe u skuq në moment. Nga tronditja që pashë në sytë e tij, e kuptova që ishte e vërtetë.
– Të thashë të më lësh rehat dhe ik fli në kuzhinë me çupën se nesër do iki në punë. Apo të fle unë në kuzhinë? – më tha.
– Jo, dua të më thuash të vërtetën, – thashë dhe u ktheva këmbëkryq në krevat. Më dukej sikur po mbytesha dhe e ndjeja që fytyra po më ndizej flakë.
– Po, – më tha, – jam dashuruar me motrën tënde. Dhe ta dish se ajo është shumë herë më e mirë se ti, jo vetëm nga pamja, por edhe si grua, – dhe më shihte me një fytyrë të egërsuar. M’u duk sikur deshi të çohej e të më fuste duart në fyt, ndërkohë që gjithë biseda ishte bërë shumë qetësisht. Zbrita nga krevati dhe desha të dilja në kuzhinë te çupa, por ndjeva një dhimbje në shpatull. Ai më qëlloi me sa i hëngri krahu.
– Ç’të kam bërë? – iu ktheva, ndërsa u përpoqa të mbaja veten. – Ç’i kam bërë motrës sime që të vijë e të më shkatërrojë shtëpinë?
Sapo ia përmenda motrën, më vërshuan disa shpulla si breshëri.
– Nuk je grua, je si burrë, – më tha ndërsa më godiste.
Nuk nxora zë që mos të më dëgjonin komshinjtë, por menjëherë shkova dhe mora çupën në krahë që ai të largohej. Dhe kështu ndodhi; i la shpullat dhe u kthye në krevat. Të nesërmen që pa gdhirë iku në punë dhe unë bëra gati plaçkat e mia e të çupës dhe shkova në shtëpinë e prindërve. U tregova për ç’kishte bërë ime motër dhe mbaj mend që edhe ajo u rrah paq nga vëllai im, ndërkohë që në darkë, im shoq, me paturpësinë më të madhe, erdhi dhe kërkoi të merrte atë në shtëpi. Ne bëmë gjithë procedurta e divorcit, kurse ime motër u martua me burrin tim. Unë nuk u martova më. Këshilli i lagjes në qytetin tim të lindjes më dha një shtëpi afër prindërve dhe unë jetova me çupën. Zoti ma shpërbleu mundin me vajzën. Ajo u bë vajzë shembullore dhe mbaroi edhe universitetin, ndërsa ime motër lindi shtatë djem me burrin e saj dhe të gjithë iu bënë halabakë rrugësh. Ish-burri im filloi të pinte dy vite pas martesës me time motër dhe i shkatërroi motrën e fëmijët e tyre. Them se Zoti i shpërbleu që të dy. Unë dhe ime motër nuk jemi takuar më qysh prej pesëdhjetë e dy vjetësh dhe mendoj se nuk do ta takoj sa të jem gjallë. Vajza ime një herë është takuar me gjysmëvëllezërit-kushërinjtë e saj, por vetëm kaq. Unë pleqërova me dhëndrrin që fatmirësisht më takoi i mirë dhe me nipin e tri mbesat e mia. Jam bërë edhe stërgjyshe dhe pavarësisht ç’më ndodhi në rini, tani jam plakë e lumtur.
Advertisement