– Doktor Dashamiri, kam 30 vjet që vuaj nga tiroidja. Më kanë thënë që e kam të tharë dhe nuk prodhon. Jam mjekuar rregullisht gjatë këtyre 30 viteve me një ilaç për tiroiden që e marr çdo mëngjes esëll. Para dy muajsh, duke menduar se isha mirë, e zvogëlova vetë dozën, por jam ndjerë shumë keq në ditët në vazhdim. Bëra një analizë të TSH-së dhe më doli shumë e lartë. U konsultova me mjekun e familjes, i cili më dha direkt dy kokrra çdo ditë. Pas dy muajsh mjekim me dy kokrra, analiza që ishte e lartë, më doli shumë e ulët. Më falni se u zgjata shumë, por nuk di ç’të bëj më tej. Pres ndihmën tuaj.
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – E nderuar zonjë, edhe pse mund të jeni zgjatur pak në pyetjen tuaj, unë nuk gjej vend për “kritikë”, përkundrazi, ju falënderoj për informacionin e shumtë dhe mënyrën tuaj të të shprehurit. Do të doja ta shikoja në dy aspekte përgjigjen time, ku aspekti i parë sigurisht është ai profesional. Me sa konkludoj nga të dhënat e mësipërme, ju vuani nga sëmundja e hipotireozës, e thënë ndryshe, nga pakica e jodit. Tiroidja juaj, për shkak të një sëmundjeje apo problemi të caktuar, ka shkuar drejt shkatërrimit dhe humbjes së funksionit të saj. E nxjerr këtë konkluzion nga analiza që keni shkruar, por gjithashtu, edhe nga tipi i barit që përdorni në mëngjes, që nuk është gjë tjetër ve[se hormon i gjëndrës tiroide, i prodhuar në formë medikamenti. Gjatë këtyre 30 viteve, ju referoni se e keni marrë rregullisht barin. Parë nga kjo pikëpamje, jeni për t’u vlerësuar si paciente kronike korrekte, por prej shumë vitesh do kishte qenë mirë që të mos i humbnit lidhjet me specialistin apo specialistët që mbulojnë këtë sëmundje.
– Të vuash nga një sëmundje kronike nuk nënkupton vetëm një takim me mjekun, marrjen e një bari e vetëm kaq. Ndjekja e rregullt e këtyre rasteve kërkon një vlerësim të kujdesshëm të gjendjes suaj klinike, si dhe parametrave biologjikë dhe hormonalë. Rrafshi i dytë në të cilin doja të shikoja problematikën tuaj ka të bëjë me qëndrimin jo korrekt që ju keni patur si paciente. Së pari, siç thashë edhe më lart, që nuk keni vajtur për të bërë një ndjekje korrekte dhe së dyti, nuk duhet që vetë ju të bënit ndryshime të dozave të barit. Në këtë kontekst, gjej momentin t’u bëj një apel të gjithë të sëmurëve, sidomos atyre kronikë, që të mos e marrin thjesht problemin e tyre, por të kërkojnë në çdo kohë mendimin dhe ekspertizën e specialistit. Sado informacion që të marrë pacienti, është e pamundur që ai të marrë vetë në dorë format dhe kombinimin e dozave dhe barnave të ndryshme. Lidhur me oshilacionet që ka patur analiza TSH, mendoj se problemi qëndron te keqpërdorimi i barit. Fakti që ju keni kaluar 2-3 javë mjekim me përgjysmimin e dozës dhe menjëherë është kaluar në dy kokrra në mëngjes, e ka kaluar organizmin nga një gjendje apatie, lodhjeje e dembelizmi, në një gjendje frenetike në përshpejtimin e gjithë proceseve fiziologjike. Konkluduar shkurt nga një organizëm i fjetur është konvertuar në një organizëm të “alarmuar”. Mendoj që si specialist do kishte qenë më mirë të bënit një rritje graduale të dozave të barit. Së pari, për të siguruar një normalitet fiziologjik e së dyti, për të mbrojtur zemrën nga efektet e padëshiruara të barit, së treti, për të mos patur këto kalimet e shpejta nga njëri skaj në skajin tjetër te “lavjerrësit” fiziologjik. Besoj se ju kam dhënë informacion të mjaftueshëm për të kuptuar gjithçka rreth problemit tuaj. Pres të më shkruani sërish.
Advertisement