EDI RAMA
Zotin Edi Rama nuk e takuam dot këtë javë se ai është për një vizitë në SHBA në OKB dhe në “World Leadership Forum”. Sidoqoftë, mendojmë se në javët e ardhshme ai do të na japë intervistë për një çështje që është harruar dhe për të cilën ai, siç duket, nuk ka shumë qejf të flasë. Është fjala për ngjarjen e Gërdecit ku u vranë 26 të pafajshëm. Në përgjigjen dërguar Gjykatës së Strasburgut për çështjen që kanë hapur atje familjaret e viktimave, qeveria e zotit Rama ka mbajtur qëndrimin se shteti nuk ka asnjë përgjegjësi dhe se zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, përfshirë edhe ministrin e asaj kohe, pra, zotin Fatmir Mediu, kanë vepruar me përkushtim për të siguruar mbarëvajtjen e procesit. A nuk duket, zoti Rama, se ky qëndrim është diametralisht kundër qëndrimit tuaj politik se Gerdeci ishte krim shtetëror? Nuk i besoni më këtij versioni, apo keni ndryshuar qëndrimin për arsye taktike që familjaret e viktimave të mos përfitojnë asnjë dëmshpërblim? Ju vjen më shumë keq tani për lekët e shtetit, sesa për ato familje të mjera që humbën gjithçka?! Mos vallë një qëndrim të tillë do të mbani edhe për ata që u vranë në bulevard më 21 janar?!
ILIR META E SALI BERISHA
Deshëm të bënim këtë javë edhe një intervistë të përbashkët me zotin Ilir Meta dhe Sali Berisha, por nuk mundëm. Po pse, do të thoni ju, ata nuk i lidh asgjë tani, janë “armiq” me njëri-tjetrin! Jo, jo, nuk është kështu, si rrallë ndonjëherë, këtë javë, ata ranë në një mendje me njëri-tjetrin, duke deklaruar të dy, veç e veç, se, për çështjen e CEZ-it, për korrupsionin që ka ndodhur aty, duhen marrë prokurorë të huaj… Pse u duhen prokurorët e huaj zotërinjve Berisha dhe Meta? Kaq të paaftë janë prokurorët tanë, që ata nuk kanë besim te ta? Kaq keq qenka gjendja e drejtesisë sonë, saqë nuk i besojnë më tek ajo, as Sali Berisha e as Ilir Meta? Pse kanë kaq shumë besim ata te prokurorët e huaj e sidomos tek ata amerikanë? Apo do të vijë përsëri ai prokurori që erdhi për vdekjen e Trebickës?
LULZIM BASHA
Nuk takuam dot këtë javë as kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Me zotin Basha deshëm të bënim një intervistë në lidhje me protestën kundër bunkerit që po ngrihet në qendër të Tiranës. Në fillim deshëm ta pyesnim zotin Basha për shkakun e kësaj proteste, se nuk na duket shumë bindës argumenti se ai bunker duhet rrëzuar ngaqë është simbol i komunizmit. Më shumë, ai është simbol i diktaturës, që na kujton të këqiat e asaj kohe që nuk duhet të vijë më, sesa i komunizmit. Apo jo, zoti Basha? Veç kësaj, simbole të komunizmit në Tiranë ka shumë: Të tilla janë zyra e Enver Hoxhës, Piramida, ish-muzeu i tij, madje edhe zyrat e tanishme të PD-së, ish-SHQUP-i. Simbole të komunizmit janë edhe statujat e Stalinit e Leninit në oborrin e Galerisë së Arteve, 50 metra larg bunkerit për të cilin po protestohet. Madje, simbol i komunizmit (dhe diktaturës) është edhe një bunker përballë kryeministrisë për të cilin qeveria e zotit Berisha ka dhënë fonde për ta kthyer në vepër arti. Pse nuk protestohet për të gjitha këto? A nuk janë simbole të komunizmit edhe ato? Apo ato quhen objekte turistike dhe me të drejtë, duhen ruajtur? Po ky bunker i ri, nuk mund të jetë objekt turistik?! Kështu thotë logjika, apo jo?! Apo logjika nuk ka rëndësi kur protestohet kundër qeverisë, zoti Basha?
EDMOND HAXHINASTO
Me Minsitrin e Transporteve, Edmond Haxhinasto këtë javë deshëm të bënim një intervistë për Rrugën e Kombit e konkretisht, për vendimin që ka marrë qeveria për të vendosur një taksë 5 euro për të gjithë ata që kalojnë aty. Na lind shumë pyetje ky vendim i qeverisë: Pse duhet të paguajmë për një rrugë për të cilën kemi paguar një herë? Rruga e Kombit është ndërtuar me lekët e buxhetit, domethënë, me taksat tona. Pse duhet që lekët e mbledhura të cilat do të shërbejnë për mirëmbajtjen e rrugës, t’i marrë privati? Pse veç këtyre lekëve të mbledhura, shteti duhet t’i japë atij edhe një “thes” tjetër me para për çdo vit? Pse këto lekë të mos i jepen një ndërmarrjeje që mund të krijojë shteti dhe që të bëjë mirëmbajtjen e rrugës? A ka menduar Qeveria që, krahas rrugës me pagesë, të ketë edhe rrugë pa pagesë, siç ndodh në të gjitha vendet ku aplikohen pagesat për autostradë? Dhe në fund fare: Pse është caktuar ky çmim e pse pikërisht me euro, kur në Shqipëri monedha zyrtare është leku?
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)