– Përshëndetje! Jam një emigrant në Itali, i datëlindjes 1951. Kam punuar për një periudhë prej 14 vitesh në Itali me kontribute pranë INPS-së. Kam një mendje për t’u kthyer në Shqipëri dhe ajo çka dëshiroj prej jush është një informacion rreth kontributeve të mia të paguara në Itali. A mund t’i tërheq në Shqipëri dhe, në qoftë se po, si është rregulli, çfarë procedure duhet të ndjek? Në rast se nuk mund t’i tërheq, a kam ndonjë përfitim nga kontributet e derdhura? Në Shqipëri kam gjithsej 13 vite e 6 muaj. A përfitoj nga legjislacioni shqiptar për sigurimet shoqërore?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – I nderuar letërshkrues, para hyrjes në fuqi të Ligjit Bossi-Fini (Ligj 189/2002), punonjësit e kthyer nga vendet jo anëtare të BE-së, me riatdhesimin e tyre (nëse do të ishin me dokumentacion të rregullt) përfundimtar para datës 10 shtator 2002, pavarësisht mungesës së marrëveshjeve reciproke ndërmjet Italisë dhe vendit të tyre, kishin të drejtën për të marrë një rimbursim të kontributeve të paguara deri në atë kohë (Ligji 335/1995 neni 3, paragrafi 13).
– Në këtë mënyrë, para hyrjes në fuqi të ligjit Bossi – Fini, emigrantëve shqiptarë të riatdhesuar dhe të gjithë jashtëkomunitarëve që kishin punuar në Itali me dokumentacion të rregullt, u kthehej e gjithë shuma e kontributeve në kesh, duke shlyer në këtë mënyrë detyrimin e shtetit italian kundrejt këtyre personave. Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit Bossi-Fini, ndryshoi edhe trajtimi i emigrantëve të riatdhesuar, tani jo më me kthimin e shumës së kontributeve të paguara, por në disa favore për përfitimin e pensioneve të pleqërisë dhe familjare. Në rast riatdhesimi përfundimtar, punonjësi jashtëkomunitar me kontratë të ndryshme nga ajo sezonale, gëzon të drejtën për përfitimin nga sigurimet shoqërore të maturuar në Itali dhe përfiton të tilla të drejta, edhe kur nuk ekziston një marrëveshje reciproke me vendin e origjinës (bazuar në Ligjin Bossi–Fini, 18 paragrafi 13 i Ligjit 30 korrik 2002).
– Por për të përfituar nga legjislacioni italian si i riatdhesuar, duhet të merret statusi si i tillë, i cili jepet nga Ambasada Italiane kundrejt paraqitjes së disa dokumenteve. Dokumentacioni i kërkuar për të marrë statusin e të riatdhesuarit:
– Vërtetim nga njësia vendore e pushtetit lokal të zonës, që të përmbajë datën e saktë të hyrjes përfundimtare në atdhe si dhe adresën aktuale.
– Fotokopje të pasaportës, duke përfshirë edhe faqen ku ndodhet vula e fundit e kthimit në Shqipëri.
– Vërtetim nga organet kompetente (drejtoritë e tatimeve), në atdhe që kanë ndërprerë aktivitetin e punës.
– Dokumenti i çrregjistrimit nga komuna ku emigranti ka qenë banues në Itali. Këto dokumente duhet të përkthehen nga përkthyes të miratuar nga Ambasada Italiane në Tiranë, lista e së cilës ndodhet ne faqen vveb të ambasadës dhe duhen miratuar nga kjo ambasadë. Mbas përgatitjes së këtyre dokumenteve, personat e interesuar duhet të lënë një takim në ambasadë, për të paraqitur këto dokumente dhe për të marrë statusin e të riatdhesuarit.
– Për përfitimin e pensioneve të pleqërisë për emigrantët e riatdhesuar, duhet të dallojmë dy raste, sipas së cilave, pensioni llogaritet me sistemin kontributiv, apo me sistemin retributiv (me pagat).
1. Në rastin e parë, punonjësit jashtëkomunitarë, të punësuar mbas 1 janarit 1996, mund të përfshihen për pension pleqërie në rast riatdhesimi, të llogaritura me sistemin kontributiv, me plotësimin e 66 viteve e 3 muaj (është bërë shtesa me koeficientin e jetëgjatësisë), edhe nëse nuk kanë plotësuar kërkesat e parashikuara, pra, edhe nëse nuk kanë plotësuar 20 vite kontribute.
2. Në rastin e dytë, punonjësit jashtëkomunitarë, punësuar para periudhës 01.01.1996, mund të përfshihen, në rast riatdhesimi, në pension pleqërie, të llogaritur me sistemin retributiv, ose të përbërë, vetëm kur plotësojnë 66 vjeç e 3 muaj (është bërë shtesa me koeficientin e jetëgjatësisë) si për burrat, ashtu dhe për gratë, vetëm kur plotësojnë jo më pak se 20 vite kontribute.
– Në rast se nuk ktheheni në Shqipëri, për të përfituar pension në Itali, do t’ju duhen 20 vite kontributivë dhe në rast se keni filluar pagesat mbas datës 01.01.1996, mund të përfitoni pension edhe me 5 vite kontribute, por mbasi të plotësoni moshën 70 vjeç. Përsa i përket vjetërsisë që keni në Shqipëri, ju e plotësoni moshën për pension në vitin 2016, por krahas moshës, për t’u përfshirë në kushte pensioni, do t’ju duhet një vjetërsi pune kontributive prej jo më pak se 15 vjetësh, ndërsa për pensionin e plotë për vitin 2016 shtohen edhe 8 muaj (4 muaj për vitin 2015 dhe 4 muaj për vitin 2016) dhe kjo vjetërsi bëhet 35 vite e 8 muaj. Sidoqoftë, që t’ju lindë e drejta për pension, do t’ju duhet dhe 1 vit e 6 muaj. Për kompletimin e kësaj vjetërsie, mund të siguroheni në skemën e sigurimit vullnetar. Shuma mujore e kontributit që mund të paguani me sigurim vullnetar është 4.752 lekë, ndërsa për 1 vit e 6 muaj, shuma e pagesës është 85.536 lekë. Për të gjitha problemet që mund të keni me pensionet, si në Itali, ashtu edhe Shqipëri, mund të paraqiteni, ose të na shkruani. Adresa jonë është: Rrruga “A.Z.Çajupi” Pallati nr.7 Kati i parë. E-mail: n.balluku@inas.it albania@inas.it nballuku@yahoo.it Tel. 0355665708074. Cel. 00355665708074. Ju falënderoj për besimin.
Advertisement