Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– Për aq vite sa të njoh, kam parë te ti, i dashur miku im Bilbil Mema, bujari, dituri, sjellje të mirë, moral të lartë, profesionalizëm, në çdo detyrë në policinë e shtetit. Të uroj të mbetesh gjithnjë kështu miku im, sot, drejtor i Akademisë ku përgatiten kuadrot e rinj të policisë. Dhe… mos e shkëput lëvizjen andej nga Liqeni ynë i dashur i Tiranës. Të përqafoj!
– E dashur Mirela Milori! Që pa vajtur në SHBA, po edhe atje e sidomos tani që je prapë këtu, lajmet i shoh, pothuajse vetëm kur je ti në ekran. Dhe jo vetëm lajmet, po edhe ato bisedat me të ftuarit, ku ti tregon kulturën tënde. I shoh lajmet te ti sepse u rri larg shtirjeve dhe ke një ashk të pafajshëm pas syve aq njerëzorë. Të përqafoj dhe m’i bëj shumë të fala Skenderit, që e dua fort! Urime aty tek ABC-ja.
– Sa herë që takohemi, edhe pse për pak sekonda, emetojmë sinqerisht, respektin që kemi për njëri-tjetrin, i dashur koleg Pandi Laço. Po, në të vërtetë, të kam përditë me vete, tek USB-ja ku kam “Këngët e shekullit”, që ti i moderon aq natyrshëm. Je i çmuar për cilësitë e tua të mira, i dashur mik. Të uroj gjithë të mirat.
– Sa kohë ka që më mundon realizimi i një urimi për ty, Erjola Rumano. Çfarë të them, në pak fjalë, xhanëm? Pasionet e përmbajtura, një zgjuarsi tipike sarandiote, ndjenjat e pahallakatura, apo të flas për të njohurit e përbashkët? Në thelb, më pëlqen fort harmonia mes mendjes dhe zemrës. Po, edhe king je, e marrtë e mira, e martë. Të uroj gjithë të mirat moj bankiere! Urime!
– Ti papritur hyre Ana Zika, në emocionet, qoftë edhe të një dite të vetme. Unë doja të takoja mikun tim doktor. Ishte e enjte! Daten e ngatërruam të tre, te shënimi i librit që të dhurova. Po, edhe pse ndenja pak, vura re atë forcë vullkanike që të lëviz në deje. Një natyrë e fortë dhe e zjarrtë, po që di të përmbahet. Paç vetëm lumturi, ti Ana, që më dukesh më e bukur se Ana Karenina! Pse jo? Kemi edhe ne shqiptarët!
– Kam përshtypjen e dashur Elsa, vajzë e Bertit, se ti ke arritur në një moshë shumë të re, atë që është më e vështira: Të jesh vetvetja. Të shtiresh, për ty, do të thotë që nuk je më ti. Sa ta admiroj këtë gjë. Pa le sytë! Pa le ngjyra e çokollatës e kësaj vere! Ç’pasione të papërmbajtshme mund të ketë pas butësisë dhe ëmbëlsisë tënde?! Lum ai që do të ketë fatin t’i zbulojë. Unë për vete, të adresoj urimet e mia për shumë lumturi dhe t’i ngjash Lenit, gjyshes, në ca gjëra që ti i di më mirë se unë. Të përqafoj. Të fala vëllait inxhinier në Gjermani!
– Sytë edhe mund të më gabojnë, po veshët ende jo! Ishte një zë i njohur, ai që dëgjoja te emisioni i Jonida Shehut, të enjten e javës që shkoi dhe kur dëgjova që flisje për biologjinë, u binda se ishe ti miku im i shtrenjtë Nelson N. Çabej. Oh, sa net të shoqëroja, për të nxënë diçka. Pastaj, të morën amerikanët në një laborator modern. Sa vite u bënë? Mbi 25, patjetër. Tani ti vjen me një teori të kompletuar, që e hedh poshtë Darvinin. Dhe je i pranuar kudo në botë dhe po ai Nelson me atë buzëqeshje fëmije! Mezi pres të të takoj, miku im i shtrenjtë. Urime, shumë urime, ty gjirokastritin që trondite boten shkencore të biologjisë, në mes të Amerikës!
– Siç të thashë, edhe kur të takova, i dashur mik, i rinisë, Reis Çiço, kur i jep ti lajmet, i dëgjoj me ëndje dhe vëmendje. Po, ndërkohë, ke mbetur alamet çuni, 60 vjeçar, pa shtirje dhe me një mirësi të pacënuar. Kështu mbeç përherë, miku im!
– Si më tha Balushka? Po rregullon shesh-pushimin dhe muret e korridorit të përbashkët. Pra, po shpenzon diçka për jetën komunitare. Kjo më kujton disi veten time… Por, më shumë më kujton se që në fillim të njohjes tonë, të kam veçuar Mirësinë si kryefjalen e personalitetit tënd shumëdimensional. Që të mos e zgjoj, po perifrazoj një varg: “Lum si ne (pra, jo “unë”) që të kemi kojshie. Të përqafoj dhe puthe fort Olsin!
– Të premten e javës që shkoi, të pashë në krah të Ilirit, kur ai po prezantonte këshilltarët e LSI-së për Tiranën. Ti e ndjen sa i thellë është edhe gëzimi im. Ajo që nuk di, është se kam vënë një bast me Pirron, (babain tënd) dhe unë rrallë humb. Të përqafoj fort Erisa Xhixho, që prej kohësh e kohësh më ke “hedhur” një sihir sa të bukur, aq edhe njerëzor! Të përqafoj fort!
– Meqë jemi në muajin e Ramazanit dhe në prag të Bajramit, po përdor disa fjalë nga Kurani, i dashur miku im Dine Fratari. Ashtu si quhet beden, pjesa më e lartë në një mur, u quajtka afërsisht edhe gjendja sipërore, shpirtërore e njeriut. Ky është një privilegj apo dhunti e jo shumë njerëzve… Vazhdimin, ti e merr me mend… Të uroj gëzuar këtë muaj dhe gjithë jetën, njeri fisnik Hajredin Fratari.
– Përveç fondeve që kërkon rimëkëmbja e Shkodrës së dashur për gjithë shqiptarët, unë do të uroja që ti të vazhdosh të depërtosh (siç ke bërë) në zemrat e të gjithë shkodraneve, duke u bërë edhe një njeri shpirtërisht i nevojshëm për ta. Se kanë nevojë për të patur pranë edhe Voltana Adenin, si njeri, përveç kryetares së Bashkisë. Një Zot e di sa fort të uroj suksese në punën tënde, aspak të lehtë, po shumë fisnike. Urime!
– E kam pritur që para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të dilje më shpesh në ekran, i dashur shoku im Artan Hoxha dhe ashtu ndodhi. Dhe dihet që ke mjaft ndjekës të fjalëve të tua të qarta, me renditje, përputhshmëri, madje edhe me mënyrë artistike shprehjeje, shpesh. Të uroj ta kesh gjithnjë “pranë” këtë mënyrë ligjërimi, i dashur Artan Hoxha, president i TBU-së dhe analist nga më të spikaturit e Shqipërisë!
– I dashur Ilir Adili! Nuk e di nëse je një praktikant aktiv i fesë dhe mban Ramazan apo feston Bajramin. Ajo që unë shoh në “fibrat” e sjelljes tënde shoqërore, ka diçka që përkon 100 % me mësimet e Kuranit, sidomos në sjelljen ndaj të tjerëve. Jam me fat që nuk jam i vetëm që e them këtë, pasi shtohet doza e vërtetësisë. Të uroj familjarisht gjithë të mirat, miku im fisnik Ilir Adili.
– E kam vënë re herët respektin absolut që ke për të madhin Zot, i dashur Petrit Shehu. Madje, edhe vëllai, edhe djali. Është rasti t’ju uroj nga zemra mbarësi në muajin e Ramazanit dhe gëzim në ditën e Bajramit. Ty dhe gjithë kolektivit e klientëve të “portave të blinduara”. Urime!