– Përshëndetje doktor psikopediatër. Jam një nënë e re, kam djalin tim 3 vjeç dhe nuk i ka ardhur akoma goja. Thotë vetëm: “ma, ba, pashim”. Televizor shikon shumë. Luan pak me lodra dhe nuk është shumë i shoqërueshëm me fëmijët e tjerë. I kam bërë edhe ezhenë e kokës dhe i ka dalë mirë. Dua një këshillë nga ju se si të sillem me djalin.
Selami Deraj, psikopediatër: – E nderuar nënë! Një fëmijë tre vjeçar, mbështetur në një zhvillim psikomotor të mirë, duhet të dijë të flasë rrjedhshëm, të pyesë vazhdimisht e të jetë kurioz, të bashkëpunojë me familjarët e fëmijët e moshës së vet dhe të jetë i atletizuar mirë. Nisur nga kjo, le të themi që fëmija juaj është i disfunksionalizuar në një fushë të zhvillimit që është sektori i të folurit (pa e parë atë, vetëm me ç’thoni ju). Në këto mosha, për arsye të ndryshme, fëmijët që nuk kanë zhvillim psikik, inteligjent e motorik të mjaftueshëm, nuk flasin mirë. Edhe disa fëmijë të tjerë, që kanë mangësi paaftësinë për të folur mirë, që bëjnë gabime gramatikore, që janë tepër të lëvizshëm e të papërqendruar, që nuk shikojnë në sy, veçohen e mbyllen në vetvete, të quajtur fëmijë me çrregullim autik, ndeshen në këtë formë e në këtë moshë. Edhe paaftësia për t’u shoqëruar me të tjerë, sidomos me moshën e vet, për të luajtur si domosdoshmëri zhvillimi, ndeshet si në vonesat e zhvillimit inteligjent, paaftësitë e zhvillimit psikomotor, fëmijët me turbullimin autik dhe disa forma të tjera të paaftësive. Është tepër e nevojshme, madje e domosdoshme të bashkëbisedohet me ju, të bëhet vlerësimi psikiatrik fëminor, të vlerësohet zhvillimi i fëmijës në varësi të moshës, vlerësimi psikologjik e social për të vënë një diagnozë më të saktë e për të përcaktuar e programuar ndihmën që mund të jepet. Kjo ndihmë e dhënë, sa më shpejt të jepet në kohë, aq më rezultative është për fëmijën tuaj.