Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Pica me salmon
Jetën time ia dhurova vëllait të sëmurë
Titull: Si të flirtosh?

Jetën time ia dhurova vëllait të sëmurë

Unë që po ju shkruaj jam një vajzë 45-vjeçare. Nuk jam martuar asnjëherë dhe tani jam njohur me një njeri shumë të mirë. Juve dua t’ju tregoj historinë se pse nuk jam martuar deri tani.

Kur isha 5 vjeçe, isha fëmija i vetëm i familjes. Prindërit në këtë kohë bënë fëmijën e dytë. Ishin mjaft të kënaqur që ishte djalë, por gëzimi i prindërve zgjati pak sepse vëllai ishte rakitik dhe nuk mund të ecte. Ai ishte në rregull kur ishte foshnjë, por duke u rritur filluan t’i holloheshin këmbët dhe kur erdhi mosha 1 vjeç që ai duhej të ngrihej në këmbë e të ecte, ai nuk ecte dot. Këtu filloi dhe mundimi i pasosur për prindërit e mi, filluan spitalet e mjekimet pafund. Po ju do të thoni se ç’lidhje ka kjo me martesën time?

Prindërit e mi kujdeseshin për vëllain shumë e në çdo kohë, ditë e natë. Kështu, duke u rritur, edhe unë mësova të kujdesesha për të. Ishte e vështirë se duhej ta ngrije në këmbë e ta mbaje në duar e ai po fillonte e rëndohej, por unë e bëja mirë e me kënaqësi. Erdhi koha kur ai do të shkonte në kopësht. Ishte e vështirë ta pranonte ndonjë kopësht, por më në fund e rregulluam. Unë në shkollë e ai në kopësht. Unë gjithmonë isha në sytë e shokëve si motra që ka vëllain e sëmurë dhe më shikonin ndryshe të gjithë. Vetëm njëra nga shoqet më rrinte afër e më ndihmonte kur shkoja te kopshti e shikoja se mos vëllai kishte ndonjë problem. Shoqja më ndihmonte ta mbanim për duarsh e ta çonim poshtë në oborr për ajër.

Advertisement

Vëllai ishte shumë i zgjuar dhe kishte filuar të belbëzote pak, edhe pse ishte 7 vjeç. Ai ishte shumë i dashur e ashtu zvarrë iu afrohej shokëve të luante me ta. Ishte mënyra e tij për të treguar se kishte një shpirt të madh, por nuk mund ta thoshte me fjalë. Kishte edhe nxënës që e tallnin, por mua nuk më bënin përshtypje këto gjëra, doja vetëm që vëllai im të bëhej mirë. Mjekimet nuk iu ndanë asnjë çast. Ai herë-herë tregonte përmirësim e herë-herë, jo, por ne nuk ia ndanim kujdesin.

Babit i kishin sugjeruar një spital në Gjermani, të specializuar për sëmundjen e vëllait tim, kështu që prindërit vendosën të shkonin. Duhej të kishin shumë para dhe kjo ishte një sfidë tjetër për familjen tonë. Duhej të gjenim edhe mundësinë për të dalë jashtë, që në atë kohë ishte shumë e vështirë, megjithatë, Zoti na ndihmoi e dikush u bë sebep që t’i çonte atje. Babai gjeti edhe një punë tjetër dhe me shumë mundime, arriti të bënte një pjesë të parave, pjesën tjetër i mori borxh dhe kështu, u nisën në Gjermani, në spitalin më të mirë.

Mua më lanë te gjyshja. Ishte një gjë të cilën unë nuk e doja. Jo se nuk e doja gjyshen, por kisha dëshirë që të isha afër mamit në çdo moment e ta ndihmoja me vëllain. Gjatë kësaj kohe, u mëzita në një rast kur dëgjova gjyshen të fliste me një komshien e vet:

– Më mirë të mos i kishte lindur djalit tim ai fëmijë! Gruaja ia ka fajin, se para shumë kohësh në familjen e saj kishte një dajë të paralizuar.

Këto fjalë të gjyshes më duket sikur i dëgjoj edhe sot e kësaj dite. Në atë çast, për herë të parë në jetën time e urreva gjyshen e kjo urrejtje nuk m’u shua asnjë çast, deri në fund të jetës së saj. Prindërit u kthyen nga Gjermania dhe vëllai dukej se kishte përmirësim. Kishte filluar të lidhte fjalët e të krijonte fjali dhe këmbët i komandonte pak, por jo shumë. Megjithatë, kjo për ne do të thoshte se mund të kishim shpresa për më tej.

Babai vendosi të mos e çonte më në shkollë, sepse e dinte se nga kjo nuk do të nxirrte ndonjë gjë të madhe. Tri herë në javë vinte në shtëpi një mësuese që e mësonte të mbante stilolapsin në dorë në fillim, gjë që ishte mjaft e vështirë, se ai edhe duart i kishte me pak probleme, por ajo ishte një mësuese e durueshme dhe megjithëse me shumë vështirësi, arriti ta mësonte ta mbante stilolapsin në dorë. E kështu, vitet kalonin për prindërit, për vëllanë edhe për mua. Unë tani isha në klasën e tetë dhe kisha provimet e lirimit (atëherë ishte shkolla 8-vjeçare). Mësoja gjithë natën që të dilja me nota të mira që të paktën unë të mos u sillja probleme prindërve. Mjaft probleme kishin ata që të më kishin edhe mua! Ata nuk më flisnin asnjëherë për mësimet se e gjithë vëmendja ishte përqendruar te vëllai, por unë e ndjeja vetë si detyrë për ta.

Provimet i mora të gjitha dhjeta e kështu fillova gjimnazin. Isha nxënëse shumë e mirë deri në vit të dytë, kur mamaja ime u sëmur. Kishte gjithë jetën e saj që nuk kishte parë një ditë të mirë. Nuk kishte patur një çast qetësi, qëkur lindi vëllai. Unë po mbushja të 16 vjetët dhe vëllai 11 vjeç. Kishim vite diferencë dhe unë e mbaj mend dhe sot që ai lindi tre ditë pasi unë mbusha 5 vjeçe. Ishte dita më e bukur e jetës sime dhe për prindërit e mi, të cilët ma festuan ditëlindjen duke bërë një festë të madhe.

Pra, siç po ju thoja gjithë vuajtjet mamasë sime iu kthyen një sëmundje të tmerrshme, siç është kanceri. Tani ishin bërë dy të sëmurë në shtëpi. Mbarova dhe vitin e dytë e të tretin e lashë përgjysëm. Në atë kohë mami u rëndua shumë e duhej që t’i rrija gati. Pas kësaj, mamaja vdiq duke më lënë amanet vëllanë. Tani jeta ime do të merrte një tjetër rrugë. Dhimbja për mamanë ishte shumë e madhe jo vetëm për mua, por edhe për vëllanë. Ai ishte mësuar ta kishte gjithmonë pranë. Në fillim nuk i ndaleshin lotët e kjo ma shtonte dhimbjen, ma bënte dyfish.

Babai nga ana tjetër duhej të punonte shumë që të na mbante e të mblidhte ndonjë lek që vëllai të shkonte përsëri në Gjermani, por edhe atë e kishte dërrmuar vdekja e mamasë. Babai vendosi të shkonte jashtë Shqipërisë e të punonte që të kishte më shumë të ardhura. Unë tashmë isha e madhe dhe kisha kaluar të njëzetat. Duhej të kisha mbaruar shkollën, por qëkur vdiq mamaja, unë nuk u ktheva më në shkollë. Më propozuan të martohesha, por unë kërkova ta merrja edhe vëllanë me vete e kështu, djali nuk pranoi e më refuzoi. Pas atyre që kisha hequr, nuk më bëri shumë përshtypje.

Vitet pa babin i kaluam me pak vështirësi. Ai na dërgonte para, por vetë nuk vinte dot se nuk kishte dokumente. Këto vite kaluan duke u marrë me vëllanë dhe nuk u mora me asgjë, por gjatë gjithë kohës lexoja libra që të ruaja ato njohuri që kisha marrë dhe t’i shtoja ato. Kur erdhi babai, unë isha 35 vjeçe. Ai kishte ndryshuar shumë. Nuk ishte aspak ai burri i bukur, i ri e muskuloz. Ai ishte dobësuar dhe kishte bërë një operacion në stomak për një ulçer të vjetër. Dihej se të dy prindërit e mi do të përfundonin të sëmurë para kohe. Ata kishin kaluar një jetë të stërmundimshme dhe nuk kishte si të mos sëmureshin në moshë të re.

Ai më tha:

– Bijë ka ardhur koha të mendosh edhe për vete. Vëllai nuk do të ketë ndonjë ndryshim shumë të madh. Duhet të martohesh e të krijosh familjen tënde.

– Po vëllai, me kë do të rrijë? – e pyeta.

– Do ta mbaj unë.

– Në këtë gjendje që je ti? Unë nuk mund të gëzoj kur familja ime është në hall. Kush të dojë, le të vijë të jetojë këtu me mua, vëllain e me ty.

– Asnjë nuk e bën atë sakrificë, moj bijë, por jeta është e gjatë. Unë dhe pak e do të të lë e ti pastaj do mbetesh e vetme me vëllanë.

– Gjithçka do të shkojë mirë, baba. Unë e kam ndarë mendjen. Ia kam kushtuar jetën vëllait tim.

Dhe ashtu ndodhi. Babai vdiq e ne të dy tani mbetëm vetëm. Megjithatë, shtëpinë e kishim dhe babai na kishte lënë para. Gjithashtu, kishim edhe lekët e vëllait e të kujdestarisë, por vëllai nuk jetoi edhe për shumë vjet. Para dy vjetësh, ai ndërroi jetë. Kisha provuar vdekjen e mamasë kur isha shumë e re e kisha shumë nevojë për të. Provova vdekjen e babait që ishte njeriu më i mirë në botë, por vdekja e vëllait ishte shumë e dhimbshme. Gjithë jetën e kishim kaluar bashkë. Ai kishte një botë të pasur e ishte njeriu më i mrekullueshëm në botë. Të gjithë librat që lexoja ia tregoja atij përmbajtjen e ashtu pak siç fliste, ai jepte mendimin e tij. Nganjëherë bënim si kuiz. Unë ia thoja përmbajtjen e ai gjente titullin. Kanë qenë vite të vështira, por shumë të bukura.

Tani që ai iku, kam mbetur vetëm e nuk e di nëse do të ndihem ndonjëherë e plotësuar, edhe nëse Zoti do të më japë mundësi që, në këtë moshë, të krijoj një familje timen…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (4) View Comments (4)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Pica me salmon

Next Post

Titull: Si të flirtosh?

Advertisement