(vijon nga numri i kaluar)
Atë pasdite dola me të dashurin tim, R-në. Kur kërkoi të më përcillte s`pranova sepse nuk doja ta shihte atë që ndodhte brenda në shtëpi. Kur ai u largua pak, u nisa për në diskon ku shkonim zakonisht me shoqet e dhomës. Hyra në klub, u ula dhe porosita diçka për të pirë kur… ç`të shihja… Dy shoqet e tjera të dhomës po putheshin njëkohësisht me djalin që më bëri fotografitë. Nuk po u besoja syve. I pashë edhe një herë akoma më dyshuese, por nuk kishte dyshime. Ishin vërtet ato, duke u zhgërryer në llumin e asaj diskoteke dhe duke u puthur si prostituta. Bëra sikur s`i kisha parë dhe lëviza në një tjetër tavolinë. Fillova të pi pa hesap dhe u deha aq shumë sa e vetmja gjë që mbaj mend është se një djalë më bëri shoqëri derisa nga ora 530 dola nga diskoja dhe u ktheva në dhomë. Trokita para se të hyja, pasi e mbaja mend shumë mirë se si e kisha lënë L-në para se të dilja me të dashurin. Duket se kësaj here shoqja e dhomës ishte vetëm, sepse as dy “qeraxheshat” e tjera nuk ishin kthyer. Bëra një dush, shkova në shkollë dhe pasi u ktheva, ashtu e lodhur siç isha, u shtriva të merrja një sy gjumë. Kur isha në kulmin e dremitjes, më zgjoi zilja e celularit. Mendja fillimisht më shkoi te prindërit e mi, pasi kishim kohë pa folur. Mendova se mund të ishte edhe i dashuri im, por jo… E kuptova se isha gabuar kur pashë në ekranin e celularit emrin e “fotografit”. U mendova për pak çaste, pastaj vendosa t`i flisja. Më tha se duhet të shkoja në studion e tij në orën 2030 që të bëja fotot për të cilat kishim rënë dakord një javë më parë. Kur e pyeta se përse duhej të takoheshim në një orë kaq të vonë, ai tha se atëherë ishte i lirë. Kur isha në studion e tij për të realizuar fotografitë, më dha të vishja bikini. Kishte diçka që nuk shkonte… Teksa më bënte fotot, u afrua dhe u përpoq të më puthte. Unë e largoja me forcë, por ai vazhdonte të më puthte me zor. Fillova të bërtisja e tmerruar siç isha dhe ai filloi të më qëllonte. I poshtri! Përfitoi nga unë! Kur dola nga ai vend, vendosa të mos shkoja më atje. U tregova edhe vajzave gjithçka që më kishte ndodhur, por ato, në vend që të më dilnin krah mua, filluan ta justifikonin mikun e tyre duke thënë se ndoshta po kalonte ndonjë moment dobësie. M`u lutën të qetësohesha, të pija një cigare e cila m`u duk se ishte ndryshe nga ato të zakonshmet, me të cilat isha mësuar. Më pas më kërkuan të thithja pak pluhur, pasi ai do të më qetësonte. Ndonëse herën e parë refuzova, më pas fillova të thithja kokainë. M`u duk sikur s`ndjeja asgjë, sikur nuk mendoja dot dhe logjika më ishte paralizuar. Kështu, kur ato më sugjeruan ta takoja përsëri fotografin dhe të mos e lija ëndrrën përgjysëm, pranova.
Erdhi edhe dita kur E. kishte ditëlindjen… Shoqet e dhomës morën me vete edhe dashnorët. Së bashku me ta, filluan të pinin, të deheshin e të drogoheshin. Ndjeva se duhet të largohesha që aty, por goca e sebepit, E-ja, nuk më la. Vendosa të qëndroja megjithëse s`ndihesha aspak mirë, pasi në ditëlindjen e saj kishte ftuar edhe “fotografin” që mundohej të më afrohej. Pas rreth gjysëm ore u largova pa lajmëruar me idenë se asnjëra prej tyre nuk kuptonte më asgjë, duke qenë se ishin bërë tapë. Kur u ktheva në dhomë, pashë se më kishin ardhur disa thirrje të humbura në celular dhe një sms, ku shkruhej: “S`të paskam njohur, ti qenke një femër e ulët që merresh me pornografi”. Ishte i dashuri im, R-ja. E mora në telefon për t`u sqaruar sepse nuk po kuptoja asgjë, por ai s`më linte të flisja. Më mbyllte telefonin. As kur i dërgova sms-në ku i kërkoja ta takoja, nuk reagonte. Kur u tregova vajzave se çfarë më kishte ndodhur ato më thanë të mos shqetësohesha. Sipas tyre, ishte thjesht një grindje e zakonshme në çift. Ishte gjithçka kalimtare, do të kalonte. Por unë nuk mund të hiqja dorë kaq kollaj. Shkova në konvikt dhe atje e gjeta me shokët. U kërkova të na linin vetëm dhe ata ashtu bënë, sepse zakonisht, ishin shumë të respektueshëm. R-ja më shihte gjithë përbuzje. E pyeta se çfarë kisha bërë dhe ai më tregoi se kur kishte shkuar me shokët në internet, kishin gjetur foto të miat gjysëm nudo, në një sajt. S`po u besoja veshëve dhe i thashë se kjo s`mund të ishte e vërtetë dhe se me siguri do të më kishin ngatërruar me ndonjë tjetër, por R-ja vazhdoi: “Të thashë që s`më pëlqente t`i bëje ato foto, por nuk më dëgjove. Ja ku arrite tani, në një faqe pornografike. Prindërit e tu duhet ta dinë këtë”.
Mua m`u mbushën sytë me lot dhe ashtu, duke qarë, dola nga dhoma e instiktivisht shkova në një qendër interneti. Aty i pashë me sytë e mi fotografitë. Ishte e vërtetë… isha bërë pjesë e një faqeje pornografike. M`u duke sikur bota m’u shemb nën këmbë. Shkova në studion e M-së, por kur trokita në derë, nuk m`u përgjigj askush. Teksa prisja te shkallët, kaloi një grua dhe më tha se ajo dhomë ishte momentalisht bosh, nuk jetonte më askush aty. Atëhere provova t`i telefonoja M-së, por edhe telefonin e kishte të mbyllur. Shkova në dhomë dhe pyeta vajzat se ku mund ta gjeja fotografin, por ato bënin sikur s`dinin asgjë. U tregova për atë që më kishte ndodhur dhe kur ato s`reaguan fare e kuptova se kishin qenë ato që më ngritën kurth, duke e ditur pikën time të dobët: Ëndrrën për t’u bërë modele. I akuzova se më kishin futur në grackë, por ato u mbrojtën duke më thënë se kisha pranuar të pozoja me dëshirën time. Më vonë, mësova se më kishin hedhur drogë në ushqim që në fillim të njohjes sonë. U gjenda papritur e vetmuar dhe e trishtuar. M`u duk se kishte ardhur fundi. Iu hapa një shoqes sime të klasës, e vetmja që arrinte të më kuptobte si duhej, por me të cilën ishim ftohur për ca kohë, për shkak të budallallëqeve të mia. Ajo më ndihmoi të akuzoja M-në dhe të mbyllja adresën ku gjendeshin fotot. Më mori në dhomën e saj dhe që atëherë jeta ime ndryshoi. E falenderoj çdo ditë N-në. Tani, falë saj, kam nisur një jetë të re. Edhe me mësimet shkoj më mirë. Kur kujtoj ato kohë ndihem keq, por tani që po i rrëfej këto histori për gazetën tuaj, gjej rastin t`u them të gjithë bashkëmoshatarëve të mi të mos i zënë shumë besë shoqërisë. Vetëm familja të do! Tani jetoj me prindërit dhe vëllain në Tiranë dhe herë pas here takohem me mikeshën time të vetme, N-në.