Ishin të shumtë shqiptarët në Greqi që prisnin me kuriozitet dhe tifozllëk fundin e emisionit “Kati psinete” (“Diçka po piqet”) javën e kaluar, sepse njëra nga konkurrentet që ngjalli simpatinë e të gjithëve ishte shqiptare. Dhe në fund, ishte ajo që fitoi! Pikërisht me fituesen, Marinën nga Elbasani, ne u takuam këto ditë…
Artan Kristo: – Urime për vendin e parë, Marina. Kam ardhur të bëjmë një intervistë për gazetën “Intervista”. Nuk besoj se do të na kundërshtosh…
Marina Kurti: – Ç’është ajo fjalë?! “Intervistën” e kam ndjekur vazhdimisht, edhe kur isha në Shqipëri, edhe tani në Athinë. Nuk lë asnjë numër pa e blerë… Më pëlqen shumë, ndaj intervistën e jap me shumë kënaqësi…
– Atëherë, të hyjmë “drejt e në thela”. Na thuaj dy fjalë për emisionin, sepse lexuesit në Shqipëri nuk e njohin…
– Emisioni quhet “Kati psinete”, që në shqip do të thotë “Diçka po piqet”. Ai jepet përditë nga ora 20.00-21.00 në kanalin Alfa, një nga kanalet më të ndjekura në Greqi. Çdo javë zgjidhen pesë konkurrentë të panjohur që gatuajnë për njëri-tjetrin nga një vakt në shtëpinë e tyre. Në fund të çdo vakti secili jep notën për gatimin e tjetrit. Notat janë të fshehta deri në ditën e fundit, të premten, kur shpallet fituesi…
– Si të zgjodhën ty për këtë konkurs?
– Unë e kisha shumë qejf këtë emision. E shikoja sa herë kisha mundësi dhe thoja: “Ah, sikur të merrja pjesë!…”, por ngurroja. Një ditë nuk e mbajta veten, telefonova dhe lashë të dhënat e mia për të marrë pjesë në emision… Pas ca ditësh, një pasdreke, më telefonuan. Në atë moment unë po dremisja e m’u duk se isha në ëndërr kur më thanë se do të vinin në shtëpi për një intervistë. Të nesërmen erdhi një gazetar i Alfës dhe më intervistoi. Pas një muaji, më telefonuan prapë e më thanë se isha aprovuar…
– Pse të zgjodhën ty, si mendon?
– Mendoj se u pëlqeu shtëpia dhe panë tek unë interesimin për gatimin, si dhe faktin që unë kam qejf të njoh njerëz të rinj, të pres e përcjell njerëz në shtëpi. Se, ata i shikonin shumë edhe këto…
– Pra, nuk duhet vetëm talenti në gatim…
– Them se jo. Mendoj se ata zgjidhnin njerëz interesantë dhe të veçantë…
– Ti, u the që je shqiptare?
– Patjetër, që në fillim kur u prezantova dhe reaguan me shumë dashamirësi, madje më thanë “bravo” që nuk e fsheha këtë, siç u kishte ndodhur në disa raste të tjera…
– Po gjatë emisionit, kishe emocione?
– Shumë. Isha shumë e stresuar dhe në ankth, por pastaj më kaloi… Dhe, nuk ishte e lehtë. Ishe si në një provim, vetëm në shtëpi gjatë gjithë ditës, të gatuaje, por edhe të mirëprisje e të mbaje me muhabet mysafirët, domethënë, konkurrentët e tjerë. Aq më shumë që darka ime ishte në ditën e fundit, kur shpallej fituesi…
– Çfarë u bëre, gjellë shqiptare?
– Duhej të përgatisja tri pjata. E para, edhe pse me përbërës meksikanë, mund të quhet shqiptare sepse ishte fryt i fantazisë sime, që jam shqiptare. Mora tortija dhe i mbusha me proshuta e djathra të ndryshëm, domate, sallatë jeshile, të kuqe e majonezë. Në fund i lidha me një fije preshi dhe i servira me patate të skuqura. Pjata e dytë ishte nga ato që bëjmë në Shqipëri: rosto viçi me karota dhe erëza të ndryshme, gatuar me salcë të kuqe, që e shoqërova me pilaf. Në fund, si ëmbëlsirë, u bëra trileçe…
– Cila u pëlqeu më shumë atyre?
– Mendoj se u pëlqyen të trija pjatat e mia. Këtë e tregoi edhe votimi…
– Pse zgjodhe pikërisht këto tre gatime?
– Do të të them të drejtën? Nuk kisha shumë kohë për të vrarë mendjen e gjetur një menu interesante, sepse e lashë për në momentin e fundit e-mailin që duhej t’u dërgoja producentëve të Alfës me menunë, përbërësit dhe mënyrën e gatimit.
– Pse t’i kërkuan këto?
– Thjesht për arsye programacioni, që të kontrollonin të mos bënim gatime të njëjta, që të kishte larmi në emision…
– Ti e ke pasion gatimin?
– Më pëlqen të gatuaj dhe, me sa më thonë të tjerët, bëj gatime të mira…
– Si ke mësuar të gatuash kaq mirë?
– E kam traditë nga mamaja dhe nga mamaja e mamasë. Të dyja shquhen për gatim. Ne kemi qenë, siç i themi, derë e madhe dhe kemi pritur e përcjellë gjithmonë njerëz në shtëpi. Rrallë ndodhte që nuk kishim njeri për drekë, ose darkë… Edhe tani, këtu në Athinë, shpesh kështu ndodh…
– Cili gatim është specialiteti yt?
– Mos qesh kur ta them, të lutem! Fasulet i qaj…
– Ke ndonjë sekret që do t’ua thuash lexuesve?
– E veçanta është se u hedh edhe salcë, edhe piper të kuq. Gjithashtu, u hedh shumë qepë dhe “ndërtimin” e tyre e bëj ngadalë-ngadalë duke shtuar me radhë përbërësit. Dhe… i bëj me shumë dashuri!
– Në emision ty të thërrisnin “Manula”, domethënë, “Mamushi”…
– Ngaqë kam katër fëmijë…
– Kaq e re dhe ke katër fëmijë? Ke lindur binjakë?
– Jo, kanë lindur veç e veç. Vajza e madhe është 8 vjeçe, djali 5, vajza e tretë 3 vjeçe dhe e katërta, 10 muajshe…
– Që të katërt i keni planifikuar?
– Po, që të katërt fëmijët janë lindur me dëshirë e të planifikuar. Madje, nëse do të mundeshim, do bënim edhe një tjetër, por të gjithë kanë lindur me prerje cezariane dhe, sipas shkencës, një grua mund të lindë deri në tre fëmijë me operacion. Unë kam bërë katër…
– Kush e pati i pari këtë dëshirë për të pasur shumë fëmijë, ti apo bashkëshorti?
– Të dy kemi qëlluar kështu. Qëkur ishim të dashuruar, edhe unë, edhe im shoq Armandi, bënim plane që të kishim dy vajza dhe dy djem. Mirëpo nuk na dolën se këto janë punët e Zotit. Na dolën tre vajza dhe një djalë. Dhe me kaq e mbyllëm, edhe pse nuk e realizuam tamam planin… (Qesh)
– Pse e kishit të dy këtë dëshirë për të pasur shumë fëmijë që është e rrallë në ditët e sotme?
– Ndofta sepse të dy ishim të dëshiruar për të pasur një motër. Te familja e tim shoqi janë dy vëllezër. Edhe unë kam dy vëllezër. Edhe mua, edhe tim shoqi na ka munguar një motër, ndaj deshëm të kishim të paktën dy vajza… Por deshëm edhe dy çuna…
– Besoj se me fëmijët, ti ke vuajtur më shumë sesa Armandi, apo jo?
– Dihet se kur vjen fjala për të lindur e rritur një fëmijë, nëna mundohet më shumë. Është ajo që e mban nëntë muaj në bark, që e lind, që merret më shumë e që ka më shumë përgjegjësi për fëmijën. Është nëna që rri më shumë pa gjumë për fëmijët…
– Të ka ndodhur ndonjëherë, në momente lodhjeje apo mërzitjeje të thuash: “Obobo ç‘kam bërë!”, apo që pas fëmijës së dytë apo të tretë të kesh thënë “Stop, nuk mundem më!”?
– Të them të drejtën, kur diskutonim për të patur fëmijën e katërt, kemi bërë pak luftë, sepse nuk e doja kaq shpejt. Unë e linda atë kur isha 28 vjeçe. Mendojeni vetë, jam martuar 20 vjeçe dhe 28 vjeçe jam me katër fëmijë…
– Pra, nuk doje?
– Jo, por burri nguli shumë këmbë dhe… ja, doli. E bëmë edhe të katërtin.
– Dhe në tetë vjet martesë, ti ke kaluar tre vjet me shtatzani…
– (Qesh) Nuk e kisha bërë ndonjëherë këtë llogari, por kështu është vërtet… Mbaj mend se kur isha shtatzënë me vajzën e tretë, më mbeti mendja te ca fustane të bukura ku ishin bërë edhe ulje çmimi dhe ia thashë Armandit. “Ç’i do, më tha ai me të qeshur, ti tani je shtatzënë, edhe vitin tjetër kur vishen këto fustane, prapë shtatzënë do të jesh”… E di që nganjëherë më duket vetja sikur gjithë jetën kam qenë shtatzënë?! (Qesh)
– Sa fëmijë do të kishe bërë sikur të mos lindje me operacion?
– (Qesh) Nuk dua të mendoj këtë se kushedi sa do kishte shkuar numri… Fëmija është gëzim, është lumturi. Nuk e ke idenë sa të lumtur ndjehemi kur na vijnë rrotull në shtëpi që të katërt…
– Si ia del mbanë me katër kalamaj?
– Shto edhe qenin, pesë…
– Keni edhe qen në shtëpi? Po qeni, ç’t’u desh?!
– Ah, qeni… Kishim dy fëmijë atëhere kur im shoq më hodhi larg e larg idenë që të adoptonim një qen… Në atë moment kujtova se e kishte fjalën për ndonjë qenush të vogël, që do më çlodhte edhe mua e do kënaqte edhe fëmijët dhe, pa e pyetur gjatë dhe me shumë besim i thashë “po”. Por, ç‘të shoh?! Një ditë të bukur më sjell në shtëpi një qen sa unë në këmbë… U shtanga, ngriva kur e pashë. Aty kuptova që Armandi e kishte fjalën për të adoptuar një doberman. Dhe, derisa u bëmë shoqe me qenushen, rrija mbyllur në dhomë e thërrisja nga aty: “O unë, o ajo në këtë shtëpi!”…
– Vërtet, si ua del mbanë fëmijëve e punëve të shtëpisë?
– Shto edhe punën time, se unë punoj si parukiere… Të them të drejtën, e vetme nuk e di si do t’ia dilja mbanë, pasi këta të mitë janë fëmijë shumë energjikë e në një moshë që kanë nevojë që të gjithë për përkujdesje, por falë mamasë sime që më është kushtuar 100 për qind dhe është bërë nëna e të gjithëve, ia dal mbanë që, edhe të rris fëmijët, edhe të punoj… Nuk gjej fjalë për ta falënderuar mamanë dhe nuk do të mjaftonte koha për ta bërë këtë. Pa ndihmën e saj, nuk do të mund t’i realizoja ëndrrat e mia, do të isha një shtëpiake e dëshpëruar…
– Po bashkëshorti, të ndihmon?
– Edhe pse është shumë i zënë me punë, sepse ka një biznes të vogël që e menaxhon vetë, më ndihmon sa herë që mundet…
– Katër fëmijë nuk janë një gjë e zakontë, të paktën për moshën tënde. Ç’thonë njerëzit kur ju shikojnë?
– Njerëzit në fillim nuk e besojnë që janë të gjithë të mitë. Pastaj, më përgëzojnë e më thonë “bravo për kurajon”, sepse këtu gratë lindjet i fillojnë shumë vonë, ngaqë fejohen e martohen pas moshës 30 vjeçe e nuk kanë kohë të bëjnë më shumë se një apo dy fëmijë…
– Duke u përgatitur për intervistën po shfletoja Facebookun tënd dhe vura se shkëmben me burrin mesazhe dashurie pothuajse gjithë ditën. Kaq shumë duheni?
– (Qesh) Po, duhemi shumë e ngaqë nuk shihemi gjithë ditën nuk rrimë dot pa ia shprehur dashurinë njëri-tjetrit me mesazhe…
– Edhe pas kaq vitesh martesë?
– Po, dashuria jonë vazhdon edhe pas tetë vjetësh, ashtu si ditën e parë dhe shpresoj të vazhdojë kështu…
– Nuk je dakord me atë shprehjen që “Dashura zgjat tre vjet”?
– Jo, aspak, unë besoj te dashuria e përjetshme…
– Nuk je dakord as me atë që thotë se “pasi lind fëmijë dashuria kalon te fëmijët”?
– Jo, as me këtë. Neve na është shtuar dashuria pas lindjes së çdo fëmije. Tani duhemi më shumë se atëherë kur u njohëm…
– Ishte dashuri me shikimin e parë?
– Ishte një dashuri e rrufeshme. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Unë atëherë sapo isha shpallur Miss Elbasani dhe mora pjesë edhe në Miss Albania, kur fitoi Agnesa Vuthaj. Brenda 6 muajsh, u njoha me burrin që kishte ardhur me pushime në Shqipëri, u fejova, u martova dhe erdha në Athinë…
– Tani që fitove në këtë emision, të ka shkuar ndërmend të ndërrosh zanat, të punosh kuzhiniere?
– Jo, nuk e shikoj kuzhinën si profesion, por si hobi. Më pëlqen të jem kuzhiniere e familjes. Nuk i ndërroj me asgjë gërshërët e parukieres…
– Si të ka lindur ky pasion për parukerinë?
– Ndofta sepse qëkur kam qenë e vogël kam parë gërshërë në duart e babait. Ai ka qenë një ndër rrobaqepësit më të mirë të Elbasanit dhe tani dallohet edhe këtu në Athinë si rrobaqepës. Prej tij më ka lindur pasioni për gërshërën, jo për të rregulluar veshjet, por flokët e njerëzve…
– Dhe, së fundi, do të të pyes se ç‘do të bësh me lekët që fitove nga emisioni?
– Çmimi ishte 1500 euro, por ne dolëm dy fitues me pikë të barabarta dhe çmimi do të ndahet përgjysëm. Me ato para do të shkojmë me pushime në Rodos…