Nuk ishte e papritur fitorja e Edeas në X Factor Albania 4. Zëri i saj i veçantë, emocioni që përcillte në skenë dhe muzika që i vlon në gjak, e ka bërë atë të triumfojë në skenën e talenteve të reja, që këtë vit ishin jo vetëm të shumtë, por edhe të veçantë.
Nuk është e çuditshme forca e zërit të saj, kur mendon se është e bija e Gentit, këngëtarit që la gjurmët e tij në muzikën shqiptare me grupin “Djemtë e Detit”. Vetë Edea thotë se me kalimin kohës, e di që do t’ia arrijë të mos personifikohet si “Edea e Gentit”, por thjesht si Edea. Për të folur për suksesin dhe individualitetin e saj, kemi preferuar që në këtë intervistë të mos flasim me “Edean e Gentit”, por me Edean që na zgjoi aq shumë emocione me zërin e saj brilant, në skenën e X Factor…
Blerina Çizmja: – Edea, çfarë vlere ka për ty trofeu i X Factor?
Edea Demaliaj: – Trofeu besoj se është një vlerësim për punën e palodhur të një stafi të tërë me profesionistë dhe gjithashtu, realizimi i një ëndrre.
– Shumë është përfolur fakti që këtë vit, çmimi i parë të takonte ty jo vetëm për aftësitë në të kënduar, por edhe për fatkeqësinë e humbjes së babait tënd… Si do t’u përgjigjeshe këtyre zërave?
– Për çdo fitues, ka patur gjithmonë persona të cilët kanë folur, por e vetmja gjë që më ka bërë të ndihem keq ka qenë fakti që të gjithë komentuesit kurrë nuk ofendonin për shembull vokalin tim, por kapeshin thjesht me bekgraundin tim familjar, pa marrë parasysh sa e pavërtetë dhe njëkohësisht, sa lënduese ishte kjo gjë për mua.
– Cili ishte personi që u gëzua më shumë me fitoren tënde?
– Nuk mund ta veçoj sepse për të gjithë njerëzit që njoh dhe që më kanë mbështetur ka qenë një gëzim i veçantë.
– Tani që emri yt është shkruar në krye të klasifikimit të njërit prej edicioneve të X Factor Albania, ku ëndërron ta shkruash sërish atë?
– Edhe pse tani është një ëndërr, do të doja të përfaqësoja Shqipërinë në Eurovizion.
– Cili ka qenë konkurrenti yt më i fortë në X Factor?
– Mendoj se Genti, për shkak të vokalit të tij plot emocion. Ai ka qenë vërtet konkurrenti më i denjë për finale.
– Cili është personi që të qëndron më afër në jetë dhe të cilit i beson plotësisht?
– Mami është personi të cilit i besoj plotësisht gjithçka.
– Po ai të cilit do t’ia tregoje një sekret, pa frikën se të nesërmen do të zbulohej?
– Kjo besoj se do të ishte shoqja ime e ngushtë, Megi, e cila ka qenë shoqja ime prej 7 vitesh. Asaj i besoj gjithçka.
– Edea, cili është pengu më i madh që ke?
– Nuk besoj se kam ndonjë peng në jetë. Jam munduar shumë të bëj gjithçka sepse e urrej ndjenjën e pendimit kur nuk ke bërë atë që ke dashur.
– Ti ke zgjedhur për jetën, profesionin e babait tënd… Mendon se emri i tij do të të ndjekë gjithmonë; se do të quhesh gjithmonë “Edea e Gentit” dhe jo thjesht, Edea?
– Të them të drejtën, është diçka për të cilën jam munduar gjithmonë sepse kurrë nuk kam dashur që njerëzit të më karakterizojnë si “Edea e Gentit”, por kjo vjen me kalimin e kohës…
– Cili ka qenë momenti më i vështirë për ty gjatë konkurrimit?
– Momenti më i vështirë ka qenë momenti kur dola për herë të parë në shoudaun me Manuelin, sepse ishte një konkurrent shumë i fortë.
– Si e gjeti Edean e nesërmja e fitores, siç ishte më parë apo të ndryshuar?
– Tërësisht siç ishte më parë, por thjesht pak më të njohur te publiku.
– Çfarë ndryshoi te ti kjo fitore?
– Kjo fitore më dha një shtysë të madhe, por vetë eksperienca ndryshoi tek unë gjithë perceptimin ndaj asaj që duhet të bëj me muzikën time.
– Po suksesi i nesërm, çfarë mund të ndryshojë te ti?
– Asgjë përveç asaj ndjesisë së mirë që ke pasi bën një këngë të bukur dhe publiku ka një reagim pozitiv.
Më jep mendimin tënd për secilin nga mentorët
Albani
– I sinqertë dhe shumë gazmor.
Pandi
– Plot eksperiencë dhe shumë i drejtpërdrejtë.
Miriami
– E dashur dhe e ëmbël.
Bleona
– Shumë tip dhe me karakter shumë të fortë.
Ëndrrat e Edeas
– Cila është ëndrra më e parealizueshme që ke?
– Nuk kam ndonjë ëndërr të parealizueshme sepse të gjitha ëndrrat që kam, besoj se me pakëz punë, mund të realizohen.
– Po më e çmendura?
– Të hidhem nga një lartësi e madhe ose të qëndroj pezull në ajër. (Buzëqesh)
– Cila është ëndrra që e ke patur që në fëmijëri dhe që vazhdon ta kesh?
– Të bëj një këngë së cilës t’i adhuroj çdo strofë dhe çdo pjesë.
– Çfarë duhet të arrish që të thuash me plot gojën se “tashmë, ëndrrat e mia u përmbushën”?
– Mendoj se njeriu kurrë nuk thotë se ëndrrat u përmbushën.
– Mendon se të ëndërrosh është një shtysë apo një pengesë në synimet që njeriu i vë vetes?
– Të ëndërrosh është totalisht një shtysë, por duhet të dish të jesh edhe me këmbë në tokë sepse nuk mund të ëndërrosh gjëra të pamundura e më pas të mërzitesh se pse nuk i realizove.
– Cila është ëndrra që pe mbrëmë?
– Nuk kam parë ndonjë ëndërr mbrëmë, më saktë, nuk mbaj mend gjë…
– Po ajo që pe një natë para finales?
– Natën para finales kam bërë një gjumë të thellë sepse doja të isha mirë vokalisht për të nesërmen.
– U beson parashikimit të ëndrrave dhe a e ke kërkuar ndonjëherë atë?
– E kam kërkuar shumë sepse kam parë edhe ëndrra të cilat më pas më kanë dalë në jetën e vërtetë. Mendoj se kur ke lidhje të fortë me diçka ose dikë, fati paraprin diçka që do të ndodhë.