Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju…
– Sigurisht që libri “Misioni Hollandez”, i autorit Fluturak Gërmenji, meriton një recensë të plotë, por sot do të kufizohemi me një urim vëllazëror, thjesht për botimin, duke patur edhe krenarinë e vërtetë, se në rremba ke gjak skënderbegasi, si edhe unë. Urime nga zemra, Laku!
– Pashë intervisten që kish realizuar me ty kolegia dhe shoqja ime Alma Çupi. Vërtet u kënaqa, e nderuara znj. Albana Vrapi. Thjeshtë kuptova se autobusët “Iveco”, brenda “Alb-Transit”, janë një krenari për transportin tonë, në të gjitha dimensionet e tij. Por, këmbëngul tek ana jote njerëzore, aty pranë një sobe që përcjell ngrohtësi. Unë i kam dërguar edhe disa libra Fatosit dhe një kërkesë për një takim miqsh. Populli thotë, “kismet”!
– Shoh gati përditë andej nga liqeni një nga ish-mundësit më me zë të Shqipërisë, mikun tim Ndriçim Spahiun. Tani Çimi është në organet drejtuese të federatës, me sa di, por mua më intereson fakti që edhe pse duhet t’i ketë kaluar të 50-tat, nuk i ndahet sportit. Sinqerisht, them: Bravo Çim! Zoti dhe sporti, të dhëntë jetë të gjatë. Urime!
– Ah, moj Bona aty te Posta! Të shoh vetëm një herë në javë, kur në zarfa dërgoj nëpër Shqipëri urimet që bëj tek “Intervista”. Po, je zbukuruar moj Bona! Je marrë me qerpiket, sidomos, por mua më pëlqeje më shumë ashtu “bio”. Gjithsesi, femrat edhe kur janë shumë të ndieshme, edhe kur janë shumë të bukura, kanë brenda vetes ca mistere, që s’ka psikolog t’i shpjegojë. Nejse! Mua më intereson buzëqeshja jote që është ende e pavrarë dhe “gurgullon” si lumi i Valbonës! Të përqafoj fort dhe të fala Helgës!
– Në Planet-Tv më shumë, po edhe në stacione të tjera, edhe në gojën e kolegëve, je gjithnjë “pranë” meje, miku im i vjetër Agim Karaj. Kur del e flet për shërimin e tumoreve të ndryshëm në klinikën “Amavita”, më tërheq sidomos e folura e shtruar, me aksentin tirons. Arrin aq bukur të përcjellësh edhe te njerëzit e thjeshtë, përcaktime shumë fine të kësaj disipline delikate mjekësore. Të përqafoj fort, i dashur Gim! Përqafoje fort, shoqen time të shkollës “11 Janari”, Amën, bashkëshorten tënde. Urime dhe gjithnjë suksese!
– Për atë Zot, e dashur Ilda, për ty nuk duhet sebep për të shkruar, por këtë radhë ngacmimi më erdhi nga Beti (zv/guvernatorja) dhe çuditërisht, edhe nga një laborante në QSUT, që kish lexuar librat e mi dhe të njihte ty, pra! Pastaj bëra një lidhje me ju: Në krye Ilda, pastaj Brikena Çabej, pastaj Erisa Xhixho, dhe pse jo, ekonomiksja tjetër, Elisabeta Gjoni? Për nder, ndihem me fat, që ju kam në emocionet e mia më pozitive. Të përqafoj fort Ilda Dega!
– Kisha kohë pa të parë, i dashur Genc Mataj. Pyeta edhe Ben Shtyllën, por as ai nuk të kish parë. Por… ja! Një mëngjes u shfaqe prapë. Më duket, me shoqen e jetës! Të uroj për zemrën që ke i dashur Genci, po, patjetër, edhe për atë fizkulturën kaq të dobishme që bën mëngjeseve. Urime.
– Unë nuk kam probleme andrologjike, i dashur Dr. Evi Dani. Pra, këtë urim nuk po ta bëj si pacient, por si shok sportist i rinisë së hershme që edhe tani, vazhdon të bësh sport. Ndërkohë, sinqerisht, më pëlqen edhe humanizmi yt ndaj kafsheve të pambrojtura. Të uroj gjithë të mirat, miku im Evi!
– Vetëm pak sekonda u pamë aty te Shqupi, i dashur Çim Babasi. Po, si afër, si larg, ne të dy e dimë se respekti për njëri-tjetrin është i certifikuar! Të uroj gjithë të mirat, njeri zemërflori. Puthi fort kalamajt dhe transmetoi respektin tim modest stafit tënd shumë të edukuar, aty te “Babasi-co”. Urime.
– Rasti i drejtimit të emisionit “Kronikë e pambaruar” nga ty, e dashur Diana Çuli, më ritregon se suksesi në gazetari nuk është pronë e 25-30 vjeçarëve. Mund të jesh edhe 50 dhe të kesh freski në mendime, analiza të thella, gjuhë të zhdërvjellët, personalitete të ftuar, shumë të spikatur. Urime ti shkrimtare, përkthyese dhe tani, edhe moderatore! Urime ti, mikja ime e vjetër dhe mbesa e shokut tim të shtrenjtë Veniamin Lazrit.
– U mrekullova kur të pashë atë mëngjes, i dashur shoku im i vjetër i tregtisë me Turqinë, Alfred Kosta! Ti, çun punëtor, trim, baba zemërqeshur, tani edhe praktikant fizkulture. Epo, edhe barku duhet ulur pak! Dhe kjo do vullnet, të cilin ti e ke me shumicë, miku im i vjetër. Urime Fredi!
– Ishte pak për të qeshur! Unë të solla një kollare si dhuratë, kurse ti më the që… edhe kur je martuar, ke qenë pa kollare! Gjithnjë më surprizon, miku im i shtrenjtë Rexhep Tabaku, atje në Dushk të madh. Këtë radhë, u kënaqa fort edhe me nipin tënd, kopja jote. Të përqafoj fort, miku im i mrekullueshëm, Rexhep!
– Ti e di sa u gëzova kur të pashë i dashur Luan Leka! Përtej fizkulturës, lëvizjes, kam përshtypjen se (për të gjithë që venë nga liqeni) ka diçka nga aventura, thirrja për të ikur nga rutina e së përditshmes, shpërngulja e trupit, e reja që përsëritet dhe që (për mua) banon në thelbin e njeriut. Urime dhe të përqafoj fort, “koleg” i fizkulturës, Luan Leka.
– Kur K/Ministri i Shqipërisë zgjedh x biznes për të promovuar një ide, nuk është rastësi. Nuk është rastësi që për zejtarinë u zgjodh “Ardeno”, shkolla shqiptare e përpunimit të drurit. O Zot, sa u kënaqa! Të përqafoj fort, Tonin Alia.