Britania mund të lidhet me SHBA-në me superstradën më të gjatë të botës. Sipas propozimeve të hedhura, mund të ndërtohet një mega itinerar në Rusi, që shtrihet në një gjatësi afro 20 mijë kilometra nga cepi perëndimor i Rusisë në ngushticën e Beringut, ku vendi afrohet me Alaskën. Lidhja me rrjetin ekzistues të rrugëve në Evropë dhe Azi, për herë të parë mund t’u krijojë mundësinë udhëtarëve të shkojnë me makinë nga Britania e Madhe në SHBA.
Një rrugë hekurudhore Trans-Siberiane, si edhe tubacione nafte dhe gazi mund të instalohen përgjatë autostradës, ndërkohë që janë bërë plane për një tunel hekurudhor për të lidhur zonën e largët Çukotka të Rusisë (ku dikur ka qenë guvernator manjati i futbollit Roman Abramoviç) me Alaskën. Megjithëse ekzistojnë rrugë që përshkojnë Rusinë, disa janë të një cilësie të keqe, sidomos në lindje të vendit. Ndërmjet tyre është edhe e njohura Rruga e Kockave, ndërtuar nga të burgosurit politikë të Stalinit. Kjo skemë e re shihet si një mënyrë për ta bërë Rusinë një qendër të transportit ndërkombëtar, një urë mes Evropës, Azisë dhe Amerikës së Veriut, duke rigjallëruar kështu ekonominë ruse dhe duke tërhequr më shumë turistë.
Vladimir Fortovi, drejtues i Akademisë së Shkencave të Rusisë, kohët e fundit i parashtroi një plan të të ashtuquajturit Trans-Eurasian Belt Development (TEPR) (Rripi i Zhvillimit Trans Euroaziatik) presidentit rus, Vladimir Putin. “Plani është shumë ambicioz dhe i kushtueshëm, por do të zgjidhë shumë probleme për zhvillimin e një rajoni të gjerë”, tha ai.
Rruga më e gjatë e vazhdueshme, aktualisht ndodhet në Australi, ku Autostrada 1 i bie përqark vendit dhe ka një gjatësi prej 15 mijë km. Në Rusi, rrjeti i Autostradës Trans-Siberiane është mbi 11 mijë km i gjatë, gjë që do të thotë se rruga e re do të jetë më e madhja dhe më e gjata që është ndërtuar ndonjëherë, me seksione shtesë në lindje dhe perëndim. Duke përdorur tunelet, ose anijet nga Anglia në kontinent dhe nga Rusia në SHBA, një shofer mund të përdorë autostradën për të udhëtuar nga Britania në SHBA për herë të parë. Ndërtimi i kësaj rruge shihet si një korridor “i fuqishëm” që do të ofrojë mundësinë të krijohen qytete të reja.
Ekipi që ka bërë projektin thotë se ai do të kushtojë triliona dollarë, por këmbëngul se përfitimet ekonomike do t’i kalojnë shpenzimet. Ende është e paqartë se si një Rusi me probleme ekonomike do të gjejë paratë për një investim të tillë. Pesë vjet më parë, Vladimir Putini udhëtoi përgjatë disa rrugëve ekzistuese në lindjen e largët ruse, si pjesë e një turneu për të takuar votuesit para zgjedhjeve presidenciale. Hipur në një makinë ruse Lada të verdhë, ai përshkoi 2000 km përmes Siberisë, por u habit kur zbuloi se në ç‘gjendje të keqe ishte rruga, bile makina e tij u fotografua hipur në një karrotrec. Autostrada R504 Kolyma, ose Rruga e Kockave, e cila u quajt kështu pasi skeletet e atyre që vdiqën në ndërtimin e saj u përdorën në themelet e saj, është e vetmja rrugë kryesore që shkon deri në anët më të skajshme të lindjes së largët ruse. Ajo lidh zonën e Magadanit (afër Kamçatkës) me qytetin e Nizhni Bestiakut, por është e pambajtur, bile 200 km janë krejtësisht të braktisura dhe të vështira për t’u përshkuar edhe me fuoristradë.