– Doktor Jashari, ju drejtohem njëkohësisht si vëlla, si mik dhe si patriot. Jam ajo 52 vjeçarja me banim në Greqi, që në këtë moshë, m’u desh të përballesha me përdhunimin. Mezi po prisja të shkoja te fëmijët e mi, te nipër e mbesa, por kisha humbur rrugën në një qytet të madh e të zhurmshëm dhe pagova një njeri që të më ndihmonte. I kërkova ndihmë sepse m’u duk si burrë fisnik, kurse ai më çoi s’dihet se ku, më dhunoi e më përdhunoi, pinte dhe më rrihte dhe unë, në ato momente tmerri, me gojën të lidhur sikur po mbytesha, duhej të duroja gjithçka deri edhe kamzhiket e këtij sadisti dhe format seksuale perverse që as autorja e “50 hijeve të Greit” nuk do t’i përshkruante dot. Ne kemi folur dhe nga afër për problemin që kalova, për aq vështirësi këtu në dhé të huaj, por këtë problem e kam përsëri dhe nuk flas dot me njeri. Ndjej një lodhje të tmerrshme psikologjike, shpirtërore, shëndetësore, etj. por të drejtën time dua ta nxjerr, sikur të jem në orën e fundit të jetës. Ju lutem të më përgjigjeni në gazetë, t’i jepni rëndësi letrës sime dhe të më thoni se çfarë të bëj. Si ta vazhdoj këtë jetë të përçudnuar?
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara 52 vjeçare! Gjatë seancave që bëmë, pashë te ju një njeri që donte të vdiste, por edhe e kuptonte se s’duhej të vdiste, se jeta duhet vazhduar qoftë edhe e gjymtuar apo edhe në rrethanat e saj më të vështira, se jetën e jep dhe e merr vetëm Zoti dhe çdo njeri që do të ndërpresë jetën e vet apo të dikujt tjetër, edhe sipas librave të shenjtë, bën një ndër “gjynahet e rënda”. Për fatin e mirë, ju, zonja 52 vjeçare, jeni edhe besimtare, lexuese e Biblës dhe kjo është një gjë shumë e mirë, pasi Bibla dhe Kurani i shenjtë janë dy thesare të kulturës botërore. Unë ju pyeta se sikur ta gjenit përdhunuesin dhe t’ju jepej leje për ta vrarë, a do ta vrisnit? U gëzova kur dëgjova përgjigjen tuaj logjike e të dëshiruar: “jo, nuk e vras dot se jam besimtare, por as nuk e fal dot”. Ju më pyesni nëse mund ta vazhdoni këtë jetë të përçunduar. Po ju tregoj një anekdotë: Dy miq të vjetër, të masakruar në kampin famëkeq nazist Holokaust, por që kishin shpëtuar të gjallë, pas shumë vitesh takohen dhe i pari e pyet mikun e tij: “A i ke falur nazistët?”. “Bah! Unë i urrej ata për vdekje, madje kam një urrejtje që sa vjen e po më shtohet”, u përgjigj ai. “Atëherë, i shpjegoi miku i tij, ti qenke ende i burgosuri i tyre”. Ndaj e dashur letërshkruese, mbani mend se vetëm përdhunuesi është fajtor, nuk jeni ju. Pse të vuani sikur të jeni ju fajtorja?! Jeta rrjedh si lumi, ndiqeni atë, mbajeni “timonin” e varkës dhe mos u mërzitni. Në po atë lumë do të shihni të mbytur edhe armiqtë tuaj.
Unë e di shumë mirë se ç’do të thotë të të përdhunojnë në moshën 52 vjeçare. Edhe unë si psikolog, e nderuara letërshkruese, nga rrëfimet tuaja rrënqethëse, sado me përvojë që jam, nuk kam fjetur atë natë; por kur dikush na lëndon ose na mërzit shumë, Zoti thotë: “Fale dhe harroje përndryshe do të infektohesh me një “virus” i cili do të kontrollojë mënyrën tënde të të menduarit, të të vepruarit dhe të folurit”. Ja pse edhe Jezusi në çastin kur po e kryqëzonin tha që “të lutemi për ata që na keqtrajtojnë”… Ja pse Jezusi iu lut Zotit, duke thënë: “Fali o Zot pasi ata nuk dinë se ç‘bëjnë”. (Luka 23:34) Çliroje kujtesën nga kjo që ka ndodhur, braktise, harroje, pranoje si diçka e që nuk e kthen dot pas, shih përpara dhe jo pas, pra, jeto pa kujtuar dhe jo kështu, duke qarë e duke vuajtur…
– Nga letra jote unë arrij të të kuptoj se ti ende nuk je çliruar nga ajo që ndodhi sepse ti ishe rritur si një grua e kulturuar e me arsim të lartë pedagogjik dhe nuk e kishe imagjinuar kurrë që të jetosh në emigracion larg Atdheut e nxënësve të tu, aq më pak se në këtë planet të ketë njerëz aq të këqinj, maniakë seksualë, perversë që mund të të lëndojnë aq shumë. Unë, si psikolog me përvojë të gjatë, autor i shumë librave e mijëra leksionesh e di shumë mirë se çfarë tmerri përjeton një grua e përdhunuar, aq sa nga përvoja ime, u kam thënë shpesh edhe studentëve të mi se nuk ka gjë më të vësthirë në punën e profesionin tonë sesa rikuperimi i një femre të përdhunuar e mos e paftë askush atë fat të keq, pasi edhe pas vitesh me radhë, dhimbja vazhdon, tmerri gjithashtu në sytë fjetur e të zgjuar, se është njëlloj sikur të rikuperosh një statujë të ndarë copash aq sa vetë e përdhunuara në mjaft raste thotë: më mirë të kisha vdekur(!).
Ka prej tyre që nuk munden më ta durojnë ndoshta as jetën seksuale normale pasi mund të kenë kaluar në një gjendje negativizmi të theksuar. Fatmirësisht, ti nuk i ke pësuar këto gjëra dhe fakti që ke arritur t’ua fshehësh familjarëve këtë gjendje dhe t’i duash më shumë ata, tregon se ti e ke kaluar atë që quhet hapi i parë që duhej të bëje, pra, të përballesh me ndjenjat e tua edhe pse lëndimi është shumë i thellë dhe fshehja në këto raste, shumë shumë e vështirë. Në këto raste, as ngjarja, as fshehja, nuk janë mungesë morali apo sinqeriteti. Ja përse ke nevojë të lutesh: Zot ma ndrysho zemrën time dhe shëroje shpirtin tim të ndarë në copa!
Unë, si psikolog, njëkohësisht dua të të them: Bravo të qoftë që erdhe enkas nga jashtë dhe takove psikologun, ke vepruar si një zonjë tepër e zgjuar, pasi në këto raste problemi diskutohet vetëm me psikologun dhe juristin. Të lumtë që nuk e përhape këtë lajm – murtajë, duke e plasur si një “bombë” në shtëpi. Prandaj ti me të drejtë thua se Zoti ia lëshon problemet atij që di t’i mbajë.
Por ai që më shqetëson mua është numri i pakët i seancave që ti ke bërë, pasi më e keqja nuk është ajo që të ndodhi sesa ajo që do të të mbajë lidhur me këto kujtime tepër të hidhura, që as në filma nuk mund t’i realizojnë dot ashtu siç m’i tregoje ti. Është ndër rastet e rralla që unë them se më mirë se ti, nuk e di e nuk e gjen dot autorin. Aq u trondita saqë tek unë nuk funksionoi parimi ynë profesional se halli i tjetrit është i tjetrit e mos u përfshij. Unë arrita të kuptoja se doja të punoja me ty, më shumë se për gjithçka, për shkak të respektit për ty, për bukurinë tënde shpirtërore e zgjuarsinë gati hyjnore.
Si përfundim, mendoj se ti ke ende nevojë për trajtim (i cili do të jetë falas) pasi nuk do të mjaftonin as mijëra faqe si përgjigje për ty. Edhe një këshillë kam për ty: “Izolo si bleta”. A e di se ç’bëjnë bletët po t’u futet në koshere një brumbull, një krimb apo mi i vogël? E pickojnë, e ngordhin dhe menjëherë e izolojnë me dyllin e freskët dhe direkt mbi të vazhdojnë duke ndërtuar hojet me mjaltë, pa u marrë fare me të. Analizoje…