– Jam astmatik. Cilat janë ushtrimet më të mira për mua? Jam pak mbipeshë, prandaj ju pyes. Faleminderit. Eldrini.
Mario instruktor: – I nderuar Eldrin, do kishte qenë mirë që për këtë gjë të pyesnit mjekun tuaj. Megjithatë, nga disa kërkime që bëra për rastin tuaj, për astmatiket rekomandohen vetëm këto ushtrime: ecja e lehtë në natyrë, e cila përveçse do t’ju ndihmojë të bini në peshë, përmirëson edhe astmën. Bëni nga gjysëm ore ecje 4 herë në javë, ose edhe më shumë, nëse mundeni. Fillojeni gjithmonë me ecje të lehtë fare dhe përshpejtojeni gradualisht, por jo duke vrapuar. Joga është një ushtrim i cili rekomandohet për astmatikët, pasi ajo nxit kontrollin e frymëmarrjes. Ushtrimet e jogës të cilat kryesisht kanë të bëjnë edhe me ushtrimet e frymëmarrjes, aktivizojnë shumë zona në mushkëri. Sipas studimeve, ata astmatikë që kishin bërë joga disa herë në javë, pas disa javësh e kishin zvogëluar përdorimin e ilaçeve. Noti është gjithashtu një sport ideal për astmatikët, aq më tepër që tani po vjen sezoni veror dhe jeni në kohë për ta vazhduar. Këto janë pak a shumë ato që rekomandohen për ju. Nuk duhet të luani futboll apo basketboll sepse janë sporte shumë të rënda dhe nuk rekomandohen për ju. Nuk rekomandohet as të vraponi në pistë apo me biçikletë, pasi duan shumë energji e shpejtësi dhe një astmatik e ka pak të vështirë t’i përballojë. Gjithsesi, konsulta me mjekun tuaj do t’ju ndihmonte më shumë.