Blerina Çizmja: – Fisnik, kur u takuam, më the se eksperienca në Big Brother, në total, ishte…
Fisniku: – Shumë e bukur, një eksperiencë që duhet ta jetojë çdo njeri dhe që më vlejti për të njohur më shumë veten. E dija që kisha durim, por jo aq shumë, pashë te vetja disa anë që edhe mund t’i eliminoj, siç pashë edhe ca anë që duhet t’i zhvilloj akoma më shumë.
– Do m’i thuash ato anët që do t’i eleminosh?
– Jo, ato jo! (Qesh) Duhet të eliminoj ato debatet që na janë bërë refleks në atë shtëpi, debatet që u bënë pjesë përbërëse e ditës sonë atje. Duhen bërë diskutime dhe jo debate.
– Ju keni bërë debate për aryse nga më të ndryshmet, por kryesisht për gjëra shumë…
– …banale! Jam përpjekur të mos marr pjesë te këto debate, por rrjedha të përfshin. Unë do të doja të bëheshin debate konstruktive.
– Po pse ndodh gjithmonë që debatet degjenerojnë në një pikë, ku ti nuk e kujton dot as pse u bë debati?
– Po, degjenerojnë sepse debati bëhet që ta kapim tjetrin sa më keq, për të dalë vetë mirë. Gjithçka bëhet për ta nxjerrë tjetrin keq sepse nuk mund ta fitojnë sfidën me njeriun më të mirë te vetja, por duan të fitojnë sfidën me njeriun më të keq te tjetri.
– Një taktikë, që unë nuk arrij ta kuptoj atje, është që të bësh debat me një person, për ta “mbrojtur” atë, pasi në këtë mënyrë, e vë atë në qendër të vëmendjes…
– Unë nuk e kam parë këtë gjë, por kam parë që ata duhet të bëhen dyshe ose treshe në debate që të jenë më të sigurtë. Kjo ndodh sepse debatet nuk nisin nga një pikë standarde apo nga një temë, por janë debate për gjëra nga më banalet dhe për ta mbajtur gjallë, është e nevojshme që të ketë sa më shumë njerëz.
– Ti ke parë njerëz që kanë hyrë e kanë dalë në atë shtëpi. Mendon se është përpjekur njeri deri më tani për ta ngritur pak këtë nivel?
– Janë përpjekur derisa kanë patur nerva, por pastaj janë ezauruar të gjithë. Unë jam përpjekur të ngre pak nivelin, ka qenë zysha… Edhe Fatjoni ka qejf të bëjë shumë debate, edhe Tea ka qejf të bëjë diskutime. Pastaj, varet nga niveli i personit se sa ka për të dhënë te ky diskutim dhe se çfarë mesazhi do të japë.
– Meqë jemi te Tea…
– Opa! (Qesh)
– Ajo asnjëherë s’ka qenë e qartë në atë çfarë ka ndjerë. Ti, je i qartë? Çfarë ndjen ti për Tean?
– Tea s’ka qenë asnjëherë e qartë?! Te publiku ndoshta, sepse për mua Tea ka qenë shumë e qartë në atë çfarë ka ndjerë dhe unë kam qenë shumë i qartë gjithashtu. Se, kjo gjëja jonë kështu është, shumë e paqartë për të gjithë të tjerët, por shumë e qartë për ne. Ne e dimë se çfarë qëndron mes nesh. Është më tepër një lidhje shpirtërore. Jemi dy njerëz që e kemi njohur njëri-tjetrin dhe na janë përshtatur shumë gjëra. Pastaj, s’ka nevojë të jetë kjo ndjenja e madhe, dashuria e madhe, ka edhe ca gjëra të tjera mes miqësisë dhe dashurisë…
– Prapë edhe ti qëndron te mesi… jo, “unë e dua, po nuk e dua”, “është kështu dhe jo ashtu…”…
– Jo, “e dua”, unë s’kam thënë ndonjëherë! (Qesh) Kam thënë që e pëlqej, por asaj i kam thënë shumë më shumë se kaq dhe më vjen keq që nuk janë transmetuar te publiku.
– Ti, e ke ndjekur Tean tani që është brenda?
– Po.
– Si të është dukur?
– Si Tea! Asgjë s’ka ndryshuar. Shpresoj të marrë pak zemër nga kjo mungesa ime dhe, unë e shoh edhe fituese.
– A ishte i vërtetë ai trekëndëshi që u krijua mes teje, Teas dhe Veselit?
– Atë trekëndëshin mund ta quash të mirëqenë po qe se do të flasësh për dy meshkuj dhe një femër. Nëse do të flasësh pastaj për marrëdhëniet që janë krijuar aty në mes, s’kishte trekëndësh. Ishin dy palë marrëdhëniesh që ishin shumë të ndara nga njëra-tjetra.
– Çfarë ishte sipas teje, marrëdhënia e Teas me Veselin?
– Marrëdhënie për të kuptuar se pse Veseli drejtohej te Tea. Pastaj, interpretimet që ka marrë janë nga më të ndryshmet, por unë e di shumë mirë dhe e kam shumë të qartë se çfarë janë ata të dy me njëri-tjetrin.
– Domethënë, nga ana jote s’ka xhelozi për Veselin?
– Jo, s’ka.
– Kur Tea të dalë, do të përpiqeni të krijoni një lidhje ju të dy?
– Një lidhje në çift po thua? Po, s’ka… kjo që kemi ne është më e mirë se lidhja në çift! (Qesh)
– Po mamin e Teas e ke takuar?
– Jo, nuk e kam takuar dhe nuk e di se pse duhet ta takoj. E di që ka folur llafe shumë të mira për mua… (Qesh) Realisht, nuk e di se çfarë ka mami i Teas. Shpresoj të mos jetë serioze ajo çfarë tha, se unë “e kam përdorur Tean” se në fakt, nuk ka qenë kështu dhe asaj ia ka thënë edhe Tea.
– Po motra si të ka parë?
– Motra është shumë krenare për vëllain, edhe pse ka idenë që duhet të kisha bërë ca veprime ndryshe. Megjithatë, unë sikur prapë ta filloja, prapë të njëjtën gjë do të bëja.
– Me sa u kuptua, ajo sikur nuk ishte shumë pro që ti të qëndroje me Tean…
– Po, sepse kishte parë një lloj fokusimi timin te Tea dhe kjo s’ishte mirë për lojën. Këtë e kisha diskutuar edhe më përpara. Edhe me Tean, një nga arsyet pse ne e shkëputëm “lidhjen” ishte kjo, pasi qëllimi ishte të merrnim lekët dhe gjërat e bukura që mund t’i kishim gjatë rrugëtimit, t’i linim për diku tjetër.
– Çfarë ju afroi më shumë me njëri-tjetrin dhe çfarë ju prishi me njëri tjetrin, ty dhe Eleonorën?
– Na afroi më shumë vala e mendimit, e kishim pothuajse të njëjtë. Ishim mirë sa ishim mirë dhe unë e dija se do të ishim shumë keq po të ishim keq, sepse të dy kështu funksionojmë. Na prishën shumë gjëra, ca inate të vogla të mbajtura fshehtur. Çfarë ndodhi mes nesh është më komplekse nga ç’duket. Çdo kohë ka patur ngacmime nga të dyja krahët. Kemi patur edhe përballje me matje pulsi, edhe diskutime gjatë të gjithë kohës, por mbase nuk janë dukur, për shkak të tonit të ulët që kemi përdorur me njëri-tjetrin. Kulmin e quaj te misioni që kisha, që nuk ia dhashë zyshës, por Marsuelës. Në fakt, prapë Marsuelës do t’ia jepja po të më jepej mundësia.
– Mendon se e ke tepruar me debatet me të?
– Patjetër që e kam tepruar dhe kam kërkuar ta pranoj këtë pjesë unë dhe zysha, se edhe ajo e ka tepruar me mua. S’kam marrë konsensus nga ajo dhe e kemi lënë kështu, por besoj se do të flasim shumë gjatë kur të dalë jashtë.
– Fisnik, a shpresove deri në momentin e fundit që mund të ishe fitues?
– Jo, kisha shkuar në Big Brother për të më njohur njerëzit dhe për të dhënë ca sinjale që unë mendoja se duhet t’i jepja nga një mikrofon më i madh se ai që kisha. Big Brother besoj se e ka bërë këtë gjë dhe unë jam krenar për sinjalin që kam arritur të përçoj te njerëzit. Deri tani kam marrë komente shumë pozitive dhe kjo do të thotë që këto sinjale janë përçuar në veshin e duhur.
– Si vazhdon jeta jote tani?
– Me biçikletë! (Qesh) Kam ca projekte që dua t’i vë në zbatim, përgjithësisht në televizion, One man shovv dhe Stand up comedy. Do të përpiqem t’i mbaroj sa më shpejt dhe t’i realizoj. Si ide i kam të qarta dhe, nëse do të gjej një shtysë të mirë, do t’i bëj.
– Cili do ti që ta fitojë Big Brother sivjet?
– Dua ta fitojë Fatjoni dhe Tea, por nuk e di sa forcë do të gjejnë këta të dy. Të paktën ata i njoh dhe ua kam parë vlerat. Përgjithësisht, duhet të fitojnë vlerat, që edhe ne të mbahemi mend si njerëz që kemi qenë në një format që ka përçuar vlera. Se kush do ta fitojë, me thënë të drejtën, nuk e di, por besoj se në finale do të jetë Alba, Xhesi, Fatjoni, Tea dhe zysha.
– Ka ndonjë gjë që do ta shtosh tani në fund?
– Dua t’u them “faleminderit” të gjithë atyre që po më mbështesin fort dhe që kanë parë një gjë të mirë tek unë.