– I nderuar Dr. Demiri, e lexova me vëmendje përgjigjen tuaj për letrën që ju kisha nisur më parë, por jam pak i paqartë. E thënë shkurt, unë jam në qendër të vëmendjes, pra, njerëzit merren me mua, është diçka e organizuar. Pyetja ime tani për ju është: Ta marr këtë si presion psikologjik, apo të mjaftohem që merren me mua? Në fillim, e pata të vështirë, ndërsa tani, sikur jam mësuar përshtatur. Po mundët, më ktheni përgjigje këtë javë. Faleminderit.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – I nderuar letërshkrues, nga letra juaj e parë nuk e kam kuptuar aq të plotë gjendjen tuaj ose kam kujtuar se mos keni depresion bipolar, pasi ka raste, siç thonit ju, kur jeni plot energji e shumë optimist dhe kjo quhet faza e euforisë, kurse pastaj fillon të veprojë ai “poli” tjetër, që quhet deprimim, kur njeriu ndjehet për ibret, copë-copë e që ndoshta as jetën nuk e do. Ky e ka edhe emrin depresion bipolar (dy polësh) sepse depresionet unipolar apo sinedepresioni (që do të thotë, depresion pa depresion) janë më të rrallë. Unë të kërkova për të ardhur për një diagnostikim të saktë pasi në distancë nuk mund të përdorim as testet përkatëse. Sigurisht që terapia e kthjellimit psikik për ju në të gjitha rastet është shumë e nevojshme, minimumi me 5 seanca. Pra, do të duhej për të gjitha sa thoni ju, psikoterapia dhe nëse do të duhej referuar rasti yt te psikiatri, këtë përsëri e vendos psikologu.
Duke lexuar këtë letrën tuaj të dytë, mendoj se mund të na duhet edhe asistenca e psikiatrit, pasi nuk kemi të bëjmë thjesht me obsesione (fiksime) apo ankth social, kur ju thoni se “jam në qendër të vëmendjes, pra, njerëzit merren me mua”, por mendoj se kemi të bëjmë ndoshta me sëmundje ose shkëputje nga realiteti, kur ti thua diçka që unë s’e besoj, se është diçka e organizuar. Obsesionet janë diçka e zmadhuar, duke i parë si me lupë zmadhuese problemet apo dyshimet, por gjithsesi, ato nuk trajtohen si patologji, por si çrregullime të ankthit, edhe pse të tillë klientë të axhituar dhe dukshëm në ankth, mund të përngjajnë fare lehtë me të sëmurët nga psikoza, që manifestojnë delir. Është ky një nga gabimet më të shpeshta që në Shqipëri e bëjnë jo vetëm mjekët e përgjithshëm apo ata të urgjencave, por fatkeqësisht, edhe disa psikiatër. Bashkëbisedimi i shtruar me ty do ta ndante mirë këtë gjendje: A është superndjeshmëria jote, hipervigjilenca e ankthi që të krijojnë këto ide derealizimi, apo është sëmundja që të bën të “shohësh” figura apo “dëgjosh” zëra edhe aty ku nuk ka rreziqe. Të gjithë ata që vuajnë nga ankthi apo obsesionet, e kanë shpesh frikën e një presioni të brendshëm, por vetëm pasi kthjellohen me psikoterapi dhe sqarohen, vetëdija e tyre e ngushtuar e rimerr veten dhe pas disa seancave, ajo nuk i “ha” më “mashtrimet” e pavetëdijes. Para disa ditësh, kisha në klinikë një rast si i yti. Psikiatrët e kishin trajtuar një student me rispolept dhe olamzapinë për shkak se ai kontrollonte të gjithë shtëpinë se mos i kishin vendosur përgjues ose “bombë”. Në këtë rast, psikiatrët e kanë trajtuar atë si të sëmurë dhe e kanë vënë në gjumë trurin e tij pothuaje nuk mendon më as frikëra, as të mira e as të këqija. Unë s’do të isha dakord që ky djalë të trajtohej e paaftësohej në këtë mënyrë, do të isha dakord me psikiatrët po të mos ishte fakti i një armiqësie që ai kishte me dy keqbërës të cilën ai nuk e kishte treguar nga turpi apo nga frika se nuk ruhet sekreti apo se mund të alarmoheshin prindërit. Psikiatrët duhet të kishim këmbëngulur e kërkuar edhe mendimin e psikologut, përpara se të caktonin këtë terapi të rëndë, me shumë kosto financiare e me mjaft efekte anësore, si për shembull shëndoshja e tepërt për shkak të gjumit, qetësimit artificial dhe jetës sedentare. Mirëpo prindërit e tij të kulturuar, pedagogë, erdhën e më morën dhe gjatë psikoterapisë (ajo që Niçe e ka quajtur “pastrimi i oxhakut”) doli krejt e vërteta, pra, ai kishte një frikë dhe një dyshim real, edhe pse të zmadhuara dhe nuk i dhimbsej aq jeta e vet kur kontrollonte edhe për bombë, por e familjarëve. Sqarimi i problemit, psikoterapia njohëse (konjitive) dhe takimi ynë me “keqbërësit”, e çliruan këtë djalë nga “sëmundja” dhe ilaçet-helm që merrte. Doli se këta të dy keqbërës i kishin bërë presion atij për xhelozi ndaj një goce e cila tani jetonte e martuar në Amerikë dhe u çuditën se ky ende ruhej për diçka që ata gati e kishin harruar… Keqbërësit u tremben nga takimi me mua dhe premtuan që do ta kenë mik. Këtë lloj frike për t’u ruajtur ia kishin “induktuar” edhe prindërit me këshillat stereotipe si djalë i vetëm që ishte… Pse, sëmundje është kjo?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *