– Jam emigrant në Breshia të Italisë, i datëlindjes 1949 dhe dua të kthehem në Shqipëri, sepse mosha që kam dhe disa probleme shëndetësore më bëjnë që të mos e përballoj punën në ndërtim. Kam filluar punë në vitin 2001 dhe kam gjithsej rreth 12 vite me kontribute. A mund të përfitoj pension nga këto vite që kam në Itali?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – I nderuar letërshkrues, në kuadrin e reformave “Monti”, në Itali, ka ndryshime thelbërsore në legjislacionin e sigurimeve shoqërore, që lidhen kryesisht me zgjatjen e moshës së përfitimit të pensionit, duke e korrektuar me koeficientin e jetëgjatësisë (speranza di vita) si dhe mënyren e llogaritjes së pensionit, të cilat prekin sigurisht edhe emigrantët shqiptarë në Itali. Kështu, mosha e daljes në pension të burrave, nga 65 vjeç që ishte deri më 31.12.2011, u bë 66 vjeç më 1.1.2012, u rrit me 66 vite e 3 muaj nga 1 janar 2013 dhe në vitin 2020, do barazohet mosha e daljes në pension të burrave dhe grave me 66 vite e 3 muaj. Nisur nga sa më lart, për përfitimin e pensionit, aktualisht ka dy mënyra llogaritjesh. Punonjësit e siguruar deri në datën 31.12.1995, të cilët kanë të drejtë të daljes në pension në qoftë se mund të plotësojnë të paktën 20 vjet kontribute (1040 kontributet javore) dhe punonjësit e siguruar pas datës 31.12.1995, të cilët kanë të drejtën e daljes në pension në qoftë se ata mund të kenë jo më pak se 5 vjet kontribute (260 javë), të cilët e përfitojnë pensionin në moshën 70 vjeç;
– Po kështu, pensionin e invaliditetit e përfitojnë punonjësit që rezultojnë me paaftësi të përhershme për të kryer ndonjë punë për shkak të një sëmundjeje apo defekt fizik ose mendor me humbjen e mbi 74 % të aftësisë për punë, të cilët duhet të kenë jo më pak se 260 javë (pesë vjet kontribute) nga të cilat 156 javë (tre vite kontribute) në pesë vitet që i paraprijnë datës se paraqitjes së aplikimit. Përsa u përket punonjësve ekstrakomunitarë të riatdhesuar, ata kanë disa favore dhe lehtësira, krahasuar me përfitimet e punonjësve rezidentë në Itali, duke reduktuar moshën për përfitime. Në rast riatdhesimi përfundimtar, punonjësit ekstrakomunitarë me kontratë pune (me përjashtim të kontratës sezonale), gëzojnë të drejtën për përfitimin nga sigurimet shoqërore në Itali dhe përfitojnë të tilla të drejta, edhe kur nuk ekziston një marrëveshje reciproke me vendin e origjinës (bazuar në Ligjin Bossi – Fini, 18 paragrafi 13 i Ligjit 30 korrik 2002). Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit Bossi – Fini, ndryshoi edhe trajtimi i emigrantëve të riatdhesuar, tani jo më me kthimin e shumës së kontributeve të paguara, por në disa favore për përfitimin e pensioneve të pleqërisë dhe familjare. Për përfitimin e pensioneve të pleqërisë, duhet të dallojmë dy raste, sipas të cilave, pensioni llogaritet me sistemin kontributiv, apo me sistemin retributiv (me pagat).1. Në rastin e parë, punonjësit ekstrakomunitarë, të punësuar mbas 1 janarit 1996, mund të përfshihen për pension pleqërie në rast riatdhesimi, të llogaritura me sistemin kontributiv, me plotësimin e 66 viteve e 3 muaj (është bërë shtesa me koefiçientin e jetëgjatësisë), edhe nëse nuk kanë plotësuar kërkesat e parashikuara, pra, edhe nëse nuk kanë plotësuar 20 vite kontribute. 2. Në rastin e dytë, punonjësit ekstrakomunitarë, të punësuar para periudhës 01.01. 1996, mund të përfshihen, në rast riatdhesimi, në pension pleqërie, të llogaritur me sistemin retributiv, ose të përbërë, vetëm kur plotësojnë 66 vjeç e 3 muaj (është bërë shtesa me koefiçientin e jetëgjatësisë) si për burrat, ashtu dhe për gratë, vetëm kur plotësojnë jo më pak se 20 vite kontribute. Duke qenë se ju keni filluar punë mbas vitit 1996, jeni në kushtet e përfitimit të pensionit të pleqërisë sipas pikës së parë, pra, në moshën 66 vjeç e 3 muaj dhe pa plotësuar 20 vite kontribute, mjafton të keni mbi 5 vite kontribute. Për të përfituar statusin e të riatdhesuarit, personi i interesuar duhet të paraqesë pranë Konsullatës Italiane këta dokumente: – vërtetim nga njësia vendore e pushtetit lokal të zonës, që të përmbajë datën e saktë të hyrjes përfundimtare në atdhe, si dhe adresën e tij aktuale; fotokopje të pasaportës, duke përfshirë dhe faqen ku ndodhet vula e fundit e kthimit në Shqipëri; vërtetim nga organet kompetente (drejtoritë e tatimeve) në atdhe që kanë ndërprerë aktivitetin e punës; dokumenti i çrregjistrimit nga komuna ku emigranti ka qenë banues në Itali. Këta dokumente duhet të përkthehen nga përkthyes të miratuar nga Ambasada Italiane në Tiranë, lista e së cilës ndodhet ne sitin e ambasadës. Mbas përgatitjes së këtyre dokumenteve, personat e interesuar duhet të lënë një takim në ambasadë, për të paraqitur këto dokumente dhe për të marrë statusin e të riatdhesuarit. Mbas marrjes të statusit të të riatdhesuarit, të interesuarit duhet të dorëzojnë aplikimin përmes kanaleve të mëposhtme online pra në internet:1. Web – Nëpërmjet portalit të Institutit, www.inps.it servizi On-line – Servizi per il cittadino. 2. Nëpërmjet telefonit, duke kërkuar Qendrën e Kontaktit të integruar në numrin 803164 falas, ose nga një numër celular nga 06.164.164.3. Nga institucionet dhe ndërmjetësuesit e autorizuar, si Patronatet, të cilat u ofrojnë qytetarëve shërbimet e nevojshme telematike, falas. Si gjithnjë, Patronati INAS ALBANIA, do t’ju asistojë dhe ndihmojë në çdo kohë, deri në përmbylljen e të gjitha procedurave. Për trajtimin e pensioneve për të riatdhesuarit, është ngarkuar zyra INPS Peruxhia. Modularin që duhet plotësuar, e gjeni në linkun e mëposhtëm; http://www.inps.it/portale/default.aspx?imenu=107wamp;formspalladestramodulistica=truewamp;sricerca=ap50