Mëkatoj duke e ditur
Kam disa kohë me ty njohur
Nuk di si erdhe këtu tek unë
Pa ardhur ti isha i ftohur
Ndërsa tani i ngrohur shumë.
Flasim me gjuhë mesazherësh
Me kode të gjetura nga vetë ne
Të zgjodha ty mes shumë të tjerësh
Se je e bukur dhe shumë e re.
Më jep një grusht rini dhe mua
Në mundsh një grusht dhe bukuri
Të kem një moshë me ty unë dua
Të rend sërish për dashuri.
Nuk paska moshë më të bukur
Ende pa mbushur njëzet vjeç
Kur mbi çdo lule qëndron një flutur
Të rrallë janë që rrinë veç.
Të dua pranë sepse më zgjove
Një ndjenjë që lidhur kisha në zemër
Erdhe papritur dhe më kujtove
Se çfarë magjie vjen me një femër
Ti s’më jep dot nga vetja nur
Por pak rini mund të ma japësh
Sepse një shpirt nuk plaket kurrë
Për dashurinë portat t’ia hapësh
Nëse të dua kështu papritur
Ti mos u tremb se nuk është krim
Ndaj mëkatoj duke e ditur
Të dashurosh nuk është gabim. Romeo Gegushi
Të dashuruarit
Të dashuruarit nuk mund të humbin
Komunikojnë shpirtërat “atje-këtu”
Kur di të duash s’e pranon fundin
E bën natyra të jetë kështu…
Të dashuruarit si tremben zjarrit
Sepse në flakë janë tërësisht
S’i fshihen dimrit, e as beharit
E bën natyra, sigurisht…
Të dashuruarit s’kanë planet tjetër
Por janë këtu si unë e ti
Të rinj në moshë edhe të vjetër
Jetojnë dhe vdesin në dashuri! Bledi Ylli
Në emër të dashurisë
Me thonjtë e mi,
Kërkoj t’ia nxjerr sytë
Këtij realiteti të ndyrë…
Dua të qëlloj
Mbi shpirtrat katilë!
T’i djeg e t’i flak përjetësisht
Në autostraden e vdekjes
Gënjeshtarët, fodullët
Hajdutët, shfrytëzuesit, përdhunuesit
E së fundmi, me një pishtar në dorë,
T’ia vë flaken kësaj bote të çmendur
Në emër të dashurisë! Alban Arapi
Vetmi e heshtur
Sa shikime, kam lënë këtu
Kur pas shiut, qielli pasqyrohej
E kush mbi këtë mrekulli
Mund të mos dashurohej
Përballë shtëpisë sime ndodhej
Dhe më vidhte shikimin e lotuar
Kjo kaltërsi mbushur plot me jetë
Atëherë kur isha e vetmuar
Sa kujtime u gdhendën aty
Sa fjalë fshehur, mu në shpirt
Ku mbrëmjeve pyesja qiellin
Përse mungojnë, dashuritë?
Sa pyetje kam lënë në atë shikim
Tej në pyllin e heshtur, përbri kaltërsisë
Ku prisja pas shiut të lindte dielli
Dhe të më sillte pakëz dashuri!