Sapo ka publikuar klipin e saj më të fundit me titull “Love love”, por suksesin e këngës po e ndjek nga larg, nga Los Anxhelosi, ku po kalon disa ditë relaksi me familjen e saj. Edhe pse një bisedë e bërë në distancë, Morena e gjen kohën për të na folur rreth klipit, vetes, familjes dhe dashurisë… Lexoni një intervistë me dashuri nga Morena.

 

Mia.B: – Morena, në këto momente që po flasim, ti na përcjell dashuri nga Los Anxhelosi. Pse ke shkuar atje?

Morena Taraku: – Arsye ka plot, por njëra ndër to është një pushim i këndshëm me familjen. (Buzëqesh)

– Në Los Anxhelos ndodhen edhe studiot kinematografike më të njohura. Mos ndoshta po e sheh aktrimin dhe famën ndërkombëtare si një mundësi?

Aktrimi është diçka që e dashuroj më shumë se çdo gjë tjetër dhe nuk ia fal vetes që s’u futa në të. Jam rritur me pluhurin e teatrit… Jam vajzë e regjisorit!

– “Love Love” titullohet edhe kënga dhe klipi yt më i ri të cilin ka vetëm pak ditë që e ke lançuar. Me kë ke bashkëpunuar këtë herë?

Këtë këngë e ka bërë Big Bang (Red Box).

– Unë në klip shoh një Morenë mjaft seksi, në formën e saj më të mirë…

S’besoj se ka diçka ma ndryshe nga ajo që jam çdo ditë.

– Kujt i thotë Morena “Love Love”?

– Asaj kënge që sapo është lançuar. (Buzëqesh)

– Komentet rreth klipit kanë qenë pozitive, por jam kurioze të di komentin e babait tënd në momentin kur ka parë klipin për herë të parë.

– (Qesh) Falë babait, jam rritur në shtëpi me botën e artit, kështu që klipi është një gjë që në shtëpinë tonë s’ka shumë vend për komente. Sot është ai klip, nesër vjen diçka tjetër, gjë shumë normale.

– Meshkujt që do ta lexojnë intervistën tënde, do ta pëlqejnë shumë këtë pyetje: A ka Morena aktualisht një mashkull në krah?

Po shijoj ditët e lira, pra, jam singëll.

– Një mashkull do të të bënte për vete me humorin që e karakterizon, me bukurinë apo me sigurinë në vetvete?

Një mashkull do të më bënte për vete me sjellje, sinqeritet dhe pozitivitet.

– Gjithnjë e më shumë tradhtia po kthehet në një fenomen të pashmangshëm. Mendon se për këtë e kanë fajin më tepër femrat apo meshkujt?

Tradhtia mund t’i ndodhë çdokujt, pa marrë parasysh femër apo mashkull. Nuk mendoj se është sëmundje që i përket dikujt personalisht, por është një gjë që besoj se duhet të zhduket nga shoqëria njerëzore. Tek unë s’kanë vend tradhtarët. (Qesh)

– Nëse vjen në shtëpinë tënde, çfarë ambienti të pret?

Buzëqeshje.

– Çfarë mbizotëron në dhomën tënde?

Rrobat. (Qesh)

– Çfarë gjëje interesante të ka ndodhur këto ditë?

– Takoj çdo ditë risi dhe i them vetes: Nëna e vakive. (Qesh)

– Çfarë ka ndryshe një mëngjes në Los Anxhelos nga një mëngjes në Prishtinë?

Gjithçka. (Qesh)

– Cili është ndryshmi që ka sjellë muzika në jetën tënde?

Muzika është pjesë e pandashme e jetës time dhe ndryshon gjithçka në mua.

– Kur nuk ndihesh mirë apo nuk je në humor, çfarë ta rregullon ditën?

Humorin, ditën, ambientin, jetën ma rregullon vetëm babi, kur e kam afër.

– Hera e fundit që të ka munguar përqafimi i tij?

Sot.

– Je aq e lidhur me babain saqë ia tregon çdo gjë tënden apo ka edhe gjëra të cilat nuk mund t’i flasësh me të?

Unë jam rritur me babin, ai ka qenë nënë e baba për mua. Flas gjithçka, por kurrë diçka që mund ta lëndojë atë.

– Për kë të merr malli më shpesh?

Për mamin që s’e kam më në jetë.

– Çfarë nuk do t’i falje kurrë një mashkulli?

Tradhtinë.

– Zakonisht, pas një ndarjeje, për ta harruar sa më shpejt ish-in e tyre, femrat vendosin të udhëtojnë…

Unë jo! Në një rast të tillë, dua ta përballoj realitetin kudo që jam.

– Ndër udhëtimet e tua, cilin do të konsideroje si më të bukurin?

– Këtë udhëtim ku jam tani, bashkë me familjen, në Los Anxhelos.

– Ushqimi ndaj të cilit ke krijuar varësi së fundi?

Penne arabiata.

– Miss, modele, imazh publicitar… Cilën prej këtyre mendon se e ke lënë pas dore qëkur nise të merreshe me muzikën?

– Të gjitha kanë vendin e vet.

– Kë falënderon për gjithçka që ke arritur deri tani?

– Zotin e falënderoj për çdo hap.

– E konsideron veten një femër të fortë?

– Forcë quaj besimin dhe besoj se e kam.

– Mendon se meshkujt frikësohen nga një femër e fortë dhe e pavarur?

– Po.

– Pse ndodh kjo?

– S’e kam kuptuar kurrë as unë!

– Për ç’arsye do ta braktisje dikë?

– Për një gënjeshtër të thënë në fytyrë dhe për tradhti. Dua afër vetes vetëm njerëz të fortë dhe nuk frikësohem.

– Çfarë nuk harron kurrë të marrësh me vete para se të dalësh nga shtëpia?

– Telefonin.

– Çfarë këngësh gjen në CD-në e makinës tënde?

– Gjithçka, pos tallavasë.

– Diçka rreth projektit tënd të radhës?

– Kam shumëçka për të dhënë, pritni. (Buzëqesh)

– Si do të doje ta mbyllje intervistën?

– Ju dua të gjithë juve që jeni me mua, në suksese dhe në dështime.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here