“Grand Hotel 2XL” ka një staf të plotësuar, kështu që në të nuk kishte si të mungonte një ekonomiste, një çikë të sertë. E sertë, por e bukur; e bukur, por beqare. Ekonomistja e “Grand Hotel” quhet Xhilda, është bjonde dhe ka një nishan të madh karakteristik në fytyrë, personazh ky, i sjellë nga aktorja Markela Dede… Dikur Kela ka qenë pjesë e stafit të “Al Pazar”, një spektakël po i familjes së Vizion Plus. Për të gjitha ndryshimet, flet aktorja dhe ekonomistja…

 

– Kela, je bërë sërish pjesë e Vizion Plus, por tashmë si ekonomistja e “Grand Hotel 2 XL”. Ishte dëshira jote për t’u rikthyer në Vizion, apo të erdhi ndonjë ftesë?

– Më erdhi ftesa dhe e pranova me shumë kënaqësi.

– Kush e përcaktoi rolin e Xhildës, ekonomistes?

– Roli i Xhildës është pjesë e një tërësie dhe lindi gjatë formimit të “Grand Hotelit”. Duhej patjetër një ekonomiste në hotel, nuk kishte si të mungonte. Fakti që jam unë ajo, më jep më shumë kënaqësi.

– Cilat janë tiparet e ekonomistes së “Grand Hotel”?

– Ekonomiste e sertë, ama grua e ndjeshme. Xhilda ka harruar të martohet e kur kujtohet, është pak vonë…

– Po nishanin në faqe dhe emrin Xhilda, kush i vendosi?

– Emrin Xhilda ma vunë, kurse nishanin, e vuri vetë Xhilda. (Qesh)

– Cilin ke tipin më të vështirë në hotel, pra, atë që bën më shumë shpenzime?

– Kopshtarin Arqimidh e sulmoj shpesh. Kopshti me lule i duket Xhildës gjëja më pa vlerë, për të cilin nuk ka pse të investohet qoftë edhe vetëm ujë. Xhilda i ka alergji lulet.

– Veç rolit të ekonomistes, ke ndonjë rol tjetër në “Grand Hotel”?

– Herë pas here, në hotel vijnë klientë të ndryshëm. Sigurisht që disa prej tyre do t`i interpretojmë ne, edhe pse e kemi nga një rol, apo personazh të përcaktuar. Deri më tani, kam interpretuar rolin e një serbeje dhe rolin e Kleopatrës, motrës së Jeronimit. (Albano, i cili interpreton rolin e baristit).

– Kela, dimë që ke marrë pjesë në një serial që po trasmetohet te Digitalb. Ç’mund të na thuash për të?

– Apapapa, sa shumë dini edhe ju! (Qesh) Po, është e vërtetë, kam luajtur një rol të vogël te “Dekalogu”, me regji të Altin Bashës. Më vlejti shumë si eksperiencë.

– Sa e vështirë është të kalosh nga njëri staf në tjetrin, të përshtatesh me kolegët dhe rolet?

– Asgjë nuk është e pamundur! Ka vështirësitë e veta, pa dyshim, por ka edhe të mirat e saj.

– Të pëlqen të jesh aktore në të tilla spektakle, apo është thjesht rastësi?

– Deri tani, rastësi, por ku i dihet… jeta ka plot të papritura. (Qesh)

– Një telekomedi pritet të nisë në TVSH dhe ty të gjejmë sërish te humori…

– Po, jam pjesë e telekomedisë me 6 seri “Familja”, me ftesë të regjisorit Ylli Pepo, të cilin gjej rastin ta falënderoj që më besoi një nga rolet kryesore. Pa dyshim që ishte një eksperiencë e bukur.

– Ke për të na rrëfyer ndonjë gjë tjetër për lidhjen tënde me humorin?

– Po ç’të të them tjetër? Ja, të gjitha u zbuluan! (Qesh)

– Ndonjë angazhim tjetër veç “Grand Hotel”, apo je e angazhuar me kohë të plotë aty?

– Momentalisht, jo. Vetëm “Grand Hotel”!

– Propozime për të qenë prezantuese e ndonjë emisioni televiziv, apo imazh i ndonjë reklame, të kanë ardhur?

– Kur ta vendos për të qenë imazh apo prezantuese, të premtoj që do të kesh privilegjin ta marrësh vesh e para vendimin.

– Po me ekonominë e portofolit tënd ia del mirë, apo je tip që shpenzon shumë?

– Nuk shquhem si ndonjë ekonomiste e zonja, ama as skandaloze nuk jam.

– A është shoppingu qetësues nervash për ty?

– Është një nga elementët, por jo i pari.

– Dhe, nga ana tjetër, çfarë t’i ngre më shumë nervat?

– Aaa, kjo ka shumë pika! (Qesh) Njëra prej tyre është korrektësia e me këtë përfshij çdo aspekt.

– A ke vërdallë ndonjë çun bukurosh që t`i qetëson apo t`i ngre nervat?

– Më pëlqen kaq shumë kjo rehatia e të qenit vetëm akoma, sa s’po dua të infiltroj askënd në jetën time tani për tani.

– Po mikesha më e mirë jotja, cila është?

– Mikesha më e mirë, pa dyshim, ngelet ime motër. Zë vendin e parë.

– Me çfarë motoje e fillon ditën?

– Buzëqesh, është ilaçi i jetës!

– Po pasi dita ka përfunduar, çfarë i thua vetes?

– Nani nani tani, se nesër do buzëqeshësh prapë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here