EDI RAMA
Përsëri këtë javë Edi Rama shkëlqeu në Paskuqan. Themi pa ironi “shkëlqeu”, sepse e drejtoi vërtet shumë bukur ceremoninë e dorëzimit të tapive, aq bukur sa asnjë nga drejtuesit televizivë shqiptarë nuk ia kalon. Ka shumë talent në gjetjen e batutave, natyrshmërinë e gjithçka tjetër që i duhet një drejtuesi spektaklesh në televizion. Por, nuk mund të rrinim pa e pyetur zotin kryeministër: Mirë herën e parë që u shpërndanë tapitë ai mori pjesë dhe ua dha në dorë njerëzve, por kështu do të vazhdojë ai sa herë do jepen tapi?! Mos do të ishte më mirë që kjo të bëhej pa bujë, por duke ua çuar tapitë me postë njerëzve nëpër shtëpira, siç do të bëhej në çdo vend europian? Mirë që organizohen shfaqje të tilla, se në Shqipëri jemi, po pse duhet të jetë patjetër dhe vazhdimisht i pranishëm kryeminsitri në një ceremoni kaq teknike sa shpërndarja e tapive? Nuk ka punë tjetër ai? Kaq shumë kohë të lirë ka? Nëse po, nuk mundet që gjatë kësaj kohe të vrasë mendjen, apo të flasë me këshilltarët e tij ekonomikë e socialë për të gjetur një zgjidhje për ekonominë e këtij vendi, për të rritur mirëqenien e shqiptarëve? Se, ata nuk kanë nevojë të dëgjojnë vetëm batuta e të qeshin me shakatë e kryeministrit, por në radhë të parë kanë nevojë për bukë e për punë… Dakord, ai është i talentuar, i zoti për të drejtuar spektakle, por në radhë të parë është kryeministër që e merr rrogën nga taksat e popullit. Dhe, populli nuk paguan as që ai të bëjë propagandë e as për të bërë gallatë me fshatarët…
ROMANA VLAHUTIN
Nuk e intervistuam dot këtë javë as zonjën Romana Vlahutin, ambasadoren e BE-së në Tiranë. Ju, të dashur lexues, që ndiqni lajmet politike, e kuptoni se pse deshëm ta takonim zonjën Vlahutin. Ajo kishte premtuar se në datën 13 maj do të fliste më konkretisht për problemin e futjes në politikë të njerëzve që kanë pasur probleme me ligjin, pra, e thënë troç, do të shpallte publikisht emrat e atyre kandidatëvë për kryetarë bashkie që janë të inkriminuar, me precedentë penalë, apo të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale. Por data 13, kur mbaroi edhe afati i regjistrimit të kandidatëve në KQZ kaloi dhe zonjës Vlahutin nuk iu dëgjua zëri. Ne, deshëm ta pyesnim zonjën Vlahutin: Mos vallë u pastruan listat dhe këtë herë kemi vetëm kandidatë të kulluar e të pastër si qelibari? Apo të inkriminuarit ishin aq shumë sa, po të hiqeshin të gjithë, do të dështonin zgjedhjet?
Top of Form
ILIR META
Me Kryetarin e Kuvendit dhe të LSI-së, Ilir Meta, këtë javë deshëm të bënim një intervistë për xhinset. Jo për xhinset dhe modën e tyre në përgjithësi, por për ata kuponët 5 mijë lekësh me stemën e LSI-së që qarkullonin nëpër rrjetet sociale, me anë të të cilëve mund të blije deri në 5 mijë lekë pantallona xhins. Berisha e quajti këtë si formë të blerjes së votave, por ne nuk do merremi me këtë se na bëri përshtypje tjetër gjë. Në zgjedhjet e kaluara u tha se në Lezhë LSI kishte dhuruar I-phone që kushtonin nga 400-500 euro secili, ndërsa në këto zgjedhje jep kupona për xhinse që me shumicë nuk blihen as 5 euro. Ka rënë vallë vlera e votës, është shtuar varfëria, apo LSI-së i kanë mbaruar paratë? Për këtë deshëm ta pyesnim zotin Meta.
BUJAR NISHANI
Na bëri shumë përshtypje një fakt që kishte lidhje me Presidentin Nishani gjatë vizitës së Presidentit turk Rexhep Erdogan. E vutë re se në konferencën e shtypit, mes tij dhe zotit Erdogan, ishte… Skënderbeu? Po, po, busti i madh i Skënderbeut që ndante zotin Nishani nga mysafiri turk. Ishte rastësi, provokacion për të prishur vizitën, apo ishte vënë me qëllim për t’i treguar presidentit turk se, ti vërtet na quan vëllezër, por ne kemi luftuar me njëri-tjetrin! Ç’do të na thoshte presidenti Nishani për këtë?
ERION VELIAJ
Edhe këtë javë, kandidati i Rilindjes ishte shumë i zënë me fushatën elektorale e nuk gjeti pak kohë për ne. Pyetjeve që kishim bërë që javët e kaluara ne deshëm t’i shtonim edhe një që na lindi këtë javë, teksa po e dëgjonim atë të fliste para banorëve në zonën e Don Boskos. Ai tha se “Tiranës i duhet një kryetar që nuk e ka mendjen te partia”. Për kë e hodhi atë kunj vallë, zoti Veliaj?! Për Edi Ramën dhe Lulzim Bashën që, kur ishin në krye të Bashkisë së Tiranës, ishin edhe kryetarë të partive të tyre? Apo e ka fjalën që njerëzit duhet të votojnë kandidatët e pavarur?
RECEP TAYIP ERDOGAN
Pa dyshim, ngjarja politike më e diskutuar e javës ishte vizita e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Deshëm ta pyesnim zotin Erdogan për shumë gjëra, por nuk mundëm. Së pari, deshëm ta pyesnim për momentin e përlotjes së tij në Prezë. Është e vërtetë se ai u prek shumë, aq sa lotoi, sepse shumë vite më parë ai është arrestuar si islamist pikërisht se ka recituar këtë poezi? Është e vërtetë se ajo poezi flet për xhihadin, luftën e shenjtë mes të krishterëve dhe myslimanëve? Me ç‘të drejtë ai kërkoi që shteti shqiptar të mbyllë shkollat e armikut të tij Gylen? Si mund të japë urdhër ose të kërkojë ai që të luftojmë opozitën e tij? Cila e drejtë ndërkombëtare ia lejon këtë? Apo kjo është e drejta që ia japin “mexhidet” e falura për xhaminë e parlamentit? Nëse ata janë terroristë, a nuk duhet të bëjë një kërkesë për këtë prokuroria dhe gjykata turke? Apo Sulltani nuk pyet për gjykata e prokurori?!
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)